Untitled-design-12.png

Frikë nga barazia

N'THELB

December 19th, 2021

Hezitimi për edukimin për temat delikate është një sjellje prej struci. Duke e futur kokën në rërë, apo duke heshtur e injoruar, fenomenet s’është që nuk ndodhin. Realisht më i habitur jam nga mësuesit e arsimtarët, të cilët në moshën delikate të fëmijëve kanë edhe më shumë peshë, që bëjnë sikur nuk i kuptojnë realitetet e botës moderne dhe hezitojnë t’i edukojnë drejtë të rinjtë. Edukimi ka qenë dhe është mbrojtja për çdo gjë të padëshiruar dhe baza për përparim

Mori jehonë mbase jo tipike çmimi “Jasmin” që fitoi Adelina Marku. Sado të jem subjektiv, vërejta një mirënjohje të madhe që iu dha. Sigurisht prezenca e saj ndër vite në opinion me shkrimet në media të ndryshme në gjithë rajonin, këtu në gazetën “Koha” apo edhe si drejtuese emisionesh dhe intervistuese edhe në TV Alsat, por edhe për shkak të personalitetit të saj tejet origjinal e karizmatik, mirënjohja s’ka se si mos të vinte. Por kur u përcoll ky njoftim u tha se “ishte shqiptarja e parë” që merr këtë çmim, që shkon në nivelin e çmimeve të karrierës ose jetësore. Nuk kishte qenë ashtu. Kanë fituar më herët edhe zonjat Kadrie Zenullahu në vitin 2008 dhe Mirela Saiti në vitin 2014, po aq të nderuara. E përmend këtë detaj, sepse Adelina Markut, ata që e njohin e dinë, se pikërisht nuk do t’i pëlqente të evidentohej ose të merrte meritë më shumë vetëm se është femër. Madje, ajo do të thoshte se ka fituar sepse ka kontribuar mirë, me dinjitet me sakrificë si individ. E mendimi e shkrimet, puna kur vlerësohet duhet të ketë për bazë cilësinë dhe vlerat që mbart, jo gjininë. Por ky moment më bëri të mendoj në dy dimensione, e para, a duhet ende t’i shohim çështjet në femra – meshkuj edhe aty ku nuk duhet. Dhe tjetra, çfarë edukimi u japim brezave që vijnë, e sidomos vajzave për këto çështje, ato të gjinisë dhe barazisë. A i kemi tejkaluar ne si shoqëri këto paragjykime? Kjo e dyta ka të bëjë edhe me një zhvillim tjetër ku isha i ftuar të flas si prind në një diskutim publik rreth edukimit dhe pubertetit të fëmijëve e ku mësova se kishte ende mësues e prindër që kishin hezitim t’i edukonin fëmijët për trupin e tyre, apo edhe për zhvillimin e ndryshimet që u ndodhin atyre në pubertet. Por, ja t’i shtjelloj të dyja.

FUQIA FEMËRORE

Në natën e rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve lokale, më 17 tetor 2021, ku publiku priste me vëmendje të madhe të shohë se kush ka fituar e jo pas votimit të qytetarëve, në studio kisha ftuar vetëm zonja. Liridona Beqiri, juriste dhe aktiviste, Vlora Reçica, hulumtuese pranë Institutit për demokraci dhe Pranvera Kasami, drejtoreshë e Institutit për lidership dhe politika publike. Edhe për këtë zgjidhje u bë diskutim, i vogël e i heshtur. Më shumë mbështetës e pak dhe kritikues për shkak të mos popullaritetit të tyre të madh. Por tre zonjat të cilat kanë përkushtim të madh në punën e barazisë, me aktivizëm me hulumtime edhe në terren,e me trajnime sidomos në fushën e politikës, apo dhe zhvillimit personal me të cilat merret ndër të tjera Pranvera Kasami, ishin argumente të mjaftueshme që ata janë “legjitime” të jenë në një platformë aq me vëmendje. Por angazhimi dhe kontributi i tyre nuk ishte i vetmi shkak, në fakt kjo që do them më poshtë ka edhe më shumë peshë, në këto zgjedhje kishte një fokus “jo tipik” ndaj votës së femrës. Madje ajo targetohej me qëllim nga kampi i tani kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Shikoni, ky moment në politikë ku pavarësia e gjykimit dhe votimit të votuesve femra, me kaq theksim mbase bëhet për herë të parë, por tregon se prezenca e tyre në media, në forume, në platforma duhet të jetë tashmë po aq normale sa mbase as që duhet diskutuar.

Pranvera Kasami me organizatën e saj ka bërë një studim “Roli i gruas në politikë në rajonin e Pollogut”, nga i cili do veçoja dy momente, e para është se rendja pas votës së vajzave dhe grave që vihet re nga ana e politikës, madje edhe e partive maqedonase ndaj votueseve shqiptare, nuk shkon në përputhje me rezultatet e studimit. Ato thonë se do të duhet të ketë më shumë politikane edhe si zëra, por edhe si kandidate. Sepse në një anë ua duan votat e nga ana tjetër, thotë studimi, “kanë një rol dytësor” në parti e pushtet.

Po i njëjti studim evidenton edhe elementin e dytë, që nuk lidhet veç me politikën, por edhe me rolin e qasjen ndaj barazisë gjinore, edukimin. “Pa edukim nuk mund të përforcohet pozicioni i gruas në shoqëri”, thotë studimi. Por kjo vlen për të gjitha aspektet. E tani, nëse nuk evidentohen gratë e vajzat, nëse nuk janë pjesë e barabartë e debateve dhe diskutimeve, atëherë s’ka se si e gjithë shoqëria t’i shohë si të tilla. Adelina Marku e ndjen veten të barabartë, por a e kanë të gjitha këtë ndjesi?

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia