brown-floral-women-bookmark.png

Maqedonia e Veriut po e ndryshon Kodin Zgjedhor, a do të rritet numri i grave në Kuvend?

N'THELB

May 17th, 2023

Shumë pak informacione qarkulluan në opinion për përmbajtjen e bisedimeve në grupin e punës për Kodin zgjedhor, i cili deri tani ka pasur vetëm një takim. Disa nga anëtarët në këtë grup pune anonimisht konfirmuan se në këtë takim të parë, nuk është diskutuar aspak çështja e përfaqësimit gjinor, ose rritja eventuale e përfaqësimit të grave në Kuvend.

Tema e Kodit zgjedhor, kurdo që të hapet, shkakton përplasje mes partive politike, ndërkohë që secila prej tyre deklaron se asnjë ndryshim nuk do të bëhet pa konsensus. Në tavolinë për t’u diskutuar paralajmërohen edhe disa ndryshime madhore për të cilat për momentin qëndrimet janë të ndryshime.

Përfaqësimin e barabartë gjinor fillimisht në formë zyrtare e kanë propozuar partitë më të vogla të koalicionit të shumicës, Lidhja Demokratike, Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë, partitë e turqve, etj. Kjo nismë daton që nga 5 marsi 2021 por për shkak të mospërputhjes së qëndrimeve për çështje të tjera, as nuk ka arritur në shqyrtim në seancë plenare.

moracanin-maja.jpg

Në këtë Kuvend janë dorëzuar dy propozim-ligje për ndryshim të Kodit zgjedhor, njëri është për një njësi zgjedhore dhe tjetri për lista të hapura për zgjedhjet lokale dhe 50% gra në listat e kandidatëve edhe në zgjedhjet lokale, edhe në zgjedhjet parlamentare, në kontekst të rritjes së pjesëmarrjes të gjinisë më pak të përfaqësuar, që në këtë rast janë gratë. Vetëm të kujtoj se ky Kuvend më 8 Mars miratoi konkluzione në mesin e të cilave ishte pikërisht edhe zotimi për 50% gra në listat zgjedhore

Maja Moraçanin, nga Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë, një nga propozuesit e nismës.

Deputetja Maja Moraçanin është ndër më të zëshmet në Kuvend për përfaqësimin e barabartë gjinor, por nuk është e vetmja. Pothuajse të gjitha deputetet që takuam, ishin në një linjë për këtë ide, kështu deklaroi deputetja Lolita Ristova nga LSDM-ja dhe Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE.

“Për këto çështje bisedojmë por nevojiten ndryshime ligjore. Është koha të gjejmë një mënyrë me të cilën do të propozojmë rritjen e përfaqësimit të grave në Kuvend, në pushtetin ekzekutiv dhe të kemi më shumë gra kryetare komunash. Por gratë në politikë nuk guxojnë të mbeten vetëm numër. Nevojiten gra të përgatitura, të afta, me vlerë të cilat ekzistojnë por duhet vetëm t’i motivojmë, deklaroi Lolita Ristova, kryetare e kubit të deputeteve, nga LSDM.

“Ne ishim modeste. Filluam me 30 dhe pastaj me 40 por kjo më frymëzon, pse mos ta ndjekim përsosmërinë e natyrës dhe të bëhemi 50 me 50?”, tha Gordana Siljanovska Davkova, kryetare e Komisionit për mundësi të barabartë të grave dhe burrave, nga VMRO-DPMNE.   

Se kur do të bëhet ky ndryshim ligjor për të cilin duket se të gjithë janë dakord nuk e din askush. Përfaqësuesit e popullit në Kuvend thonë se duhet të bëhen me konsensus mes partive më të mëdha parlamentare.

Në një nga daljet publike të kohës së fundit, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, po ashtu tha se punohet në këtë drejtim.

"Sigurisht angazhimi ynë nuk duhet të ndalet këtu por duhet të shkojmë më tej drejt barazisë, gjegjësisht 50-50 dhe realisht listat e kandidatëve të pasqyrojnë përfaqësimin e grave në shoqëri" kishte deklaruar Jovana Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

REÇICA: SI SHOQËRI ENDE S’JEMI TË GATSHËM PËR KYÇJEN AKTIVE TË GRAVE NË POZITA LIDERSHIPI

Vlora Reçica nga Instituti për Demokrati “Societas Civilis”, njohëse e mirë e punës së Kuvendit dhe aktiviste për barazi gjinore, thotë se në vendet si i yni, kuotat ligjore janë akoma zgjidhje e mirë.

vlora.jpeg

Kuotat politike, fatkeqësisht, janë ende te domosdoshme në Maqedoninë e Veriut. Kjo u pa në zgjedhjet e fundit lokale, ku vetëm 25% e kandidatëve për kryetar/e të komunave ishin gra dhe në fund vetëm dy nga 81 komuna fituan pozitën. Kjo na tregon se si shoqëri ende nuk jemi të gatshëm për kyçjen aktive të grave në pozita lidershipi dhe nëse nuk do kishim kuota, përfaqësimi i grave në politikë do ishte shumë i ulët. Në anën tjetër, me rritjen e numrit të deputeteve që nga viti 2017 kemi sjelljen e disa ligjeve të rëndësishme për barazinë gjinore dhe jetë më cilësore të grave në vend

thotë Vlora Reçica.

Reçica shtoi se përfaqësimi në Kuvend, duhet të reflektojë shifrat reale të popullsisë.

“Kuantiteti jo gjithmonë do të thotë kualitet, por përfaqësimi më i lartë i grave në Kuvend do të na jep një hapësirë më të madhe për avokim për ndryshime kyçe. Fundja, regjistrimi i popullsisë na thotë që jemi 50.4% gra dhe 49.6% burra. Ndoshta është koha që shtëpia përfaqësuese të reflektojë këtë kompozitë të popullsisë”, përfundon Reçica.

Ç'thotë ligji për këtë?

Kodi zgjedhor aktual parashikon që të paktën 40% e deputetëve në Kuvend të jenë gra, e Kuvendi aktualisht numëron 51 deputete gra, ose 42.5%. Kjo normë vlen edhe për përbërjen e këshillave komunal.

“Në listën e dorëzuar të kandidatëve për deputetë dhe për anëtarë të këshillave të komunave dhe të Qytetit të Shkupit, të paktën 40% e kandidatëve i takojnë gjinisë më pak të përfaqësuar, edhe atë, në çdo tre vende, të paktën një vend i takon gjinisë më pak të përfaqësuar dhe në mënyrë plotësuese edhe të paktën një vend tjetër për çdo dhjetë vende”, shkruan Kodi zgjedhor, neni 64.

Ky ndryshim është bërë në vitin 2015 kurse përpara kësaj, përfaqësimi i grave në listat e kandidatëve rregullohej po ashtu me kuotë që parashikonte të jetë të paktën 30%.

VENDET ME PËRFAQËSIMIN MË TË LARTË TË GRAVE NË KUVEND

Të dhënat nga interneti janë interesante sa i takon përfaqësimit gjinor nëpër parlamentet e shteteve në botë. Sipas “Global data on national parliaments”, në majë të listës për përfaqësim më të lartë të grave në Kuvend qëndrojnë edhe disa nga vendet më konservatore kurse mjaft poshtë në listë janë disa nga vendet me demokratike ku të drejtat e grave janë në një fazë më të avancuar. Megjithatë, kjo mund të nënkuptojë që në vendet me avancim më të lartë të barazisë gjinore nuk përdoren kuota ligjore dhe zgjedhja e kandidatëve bazohet në masë më të madhe në meritokraci, se sa që ndodh rëndom në vendet në zhvillim.

Sipas të dhënave nga muaji mars i vitit 2023, vendin e parë për përfaqësim prej 61.3% gra në Kuvend e ka Ruanda, vendin e dytë e mban Kuba me 53.4% kurse vendin e tretë Nikaragua me 51.7%. Në këtë listë Maqedonia e Veriut është vendin e 22 (me 42.5% gra në Kuvend).

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi është gazetare e diplomuar dhe redaktore në televizionin Alsat M. Ajo ka kryer studimet master për Marrëdhënie me Publikun. Fatlumja shkruan më tepër për tema politike, të edukimit dhe të diplomacisë. Ajo ka marrë pjesë në shumë projekte tjera për verifikim të fakteve.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia