untitled-design-(11).png

L’Evenement: Një protestë nga barku i Anne kundrejt ligjeve dhe shoqërisë së Francës të viteve 60-ta

FEMINISTING

April 19th, 2023

*SPOILER

Pas lajmit se në Maqedoninë e Veriut shkalla e shtatëzanive të padëshiruara tek adoleshentët është një ndër më të lartat në Evropë e cila padyshim përkon me mospasjen e edukimit seksual referon një tjetër polemikë sociale: abortin. Jo njëjtë si në Poloni e shumë shtete të tjera që është një pengesë ligjore, aborti në Maqedoninë e Veriut dhe në rrethinën e tij paraqitet si problem moral dhe etik. Gruaja e dytë gjyqtare e Gjykatës së Lartë në Shtetet e Bashkuara Ruth Bader Ginsburg, e cila vazhdimisht punoi për t'i dhënë fund diskriminimit seksual dhe gjinor në ligjin amerikan e veçanërisht për pagë të barabartë, në lidhje me abortin thotë se “Vendimi nëse do të lindësh apo jo një fëmijë është thelbësor për jetën e një gruaje, për mirëqenien dhe dinjitetin e saj. Është një vendim që ajo duhet ta marrë për vete.” Këtë, jo me fjalë por me njëzetë e katër fotografi në sekondë e shprehë  “ulërimshëm” edhe Audrey Diwan në filmin e dytë me metrazh të gjatë të saj të titulluar “L’Evenement” (Happening).

Happening është adoptuar nga libri i Annie Ernaux me po të njëjtin titullë. Autorja tregon storien e saj, më saktë të një vajze 23 vjeçare, të palidhur, storien e një studenteje ambicioze të letërsisë që përpiqet të shpëtoj nga një shtatëzani e padëshiruar në vitet e 60-ta kur në Francë aborti ishte I jashtëligjshëm. Ashtu si libri edhe filmi përshkruan historinë e një vajze që sapo ka filluar të eksplorojë dhe kuptoj trupin e vetë që detyrohet t’a lëndojë këtë të fundit për ardhmërinë e saj. E veçanta e filmit është se thuajse fare nuk interesohemi për babain e fëmijës, e vetmja gjë që ne arrijmë të preceptojmë është se ky është trupi i saj dhe vendimi i saj. Njëkohësisht e vetëdijshme se kjo shtatëzani e padëshiruar do të qojë atë dhe familjen e saj në një dështim shoqëror Anne përdorë metoda nga më të ndyshme, nga më pak deri në ato që rrezikojnë jetën e saj për të larguar embionin që javë pas jave po rritej në barkun e saj. Filmi në asnjë mënyrë nuk ofron një çasje romantike por mbronë  kauzën e një vajze të brishtë dhe të pambrojtur që lufton kohën, traditat dhe ligjet detyrimisht me trupin e saj.

L’Evenement u vlerësua me Luanin e Artë në Festivalin e  78-të të Filmit në Venecia. E padiskutueshme është merita e aktores kryesore Anamaria Vartolomei, të cilës kamera vazhdimisht i rri shumë afër dhe qoftë karshi, profil apo nga pas në heshtjen dhe fytyrën statike të saj ndjenë frikën, lodhjen, tronditje dhe guximin e karakterit të saj. Me plane shumë të afërta dhe përndjekje të vazhdueshme me kamerë ne mishërohemi me Anne dhe të duam që ajo të shpëtojë. E rëndësishme për t’a theksuar është se në film Helene, një nga shoqet e Anna, luhet nga aktorja dhe regjizorja kosovare Luana Bajrami. Në raportin Anne dhe shoqet e ngushta të saj ndjehet fuqishëm frika për të treguar ose edhe vetëm për të qarë hallin e shtatëzanisë së padëshiruar. Mes shumë skenash ku Anne torturon trupin e saj tragjikisht për të liruar veten nga kafazi i ashtuquajtur shtatëzani e padëshiruar, skena ku Brigitte iu tregon Helene dhe Anne masturbimin me jastëk tregon haptazi mosdijenin, nevojën, dëshirën dhe kërshërinë për marrëdhënie. Kjo skenë aq sa duket e thjeshtë aq është dhe epike.

Filmi proteston haptazi ligjet shtetërore dhe kanunet shoqërore kundër abortit. Ai nuk lodhet duke kundërshtuar pandërprerë doktorin që mashtron Anne dhe i jep ilaq që ndihmon në ngjizjen e fetusit dhe assesi nuk trishtohet duke treguar shokun e saj që në këmbim kërkon marrëdhënie seksuale për ta ndihmuar Anne. Anne e quan sëmundje gjendjen e saj, një sëmundje që vetëm gratë e kuptojnë dhe ilaçin e kësaj sëmundjeje mundohet t’a gjejë vetë pasi që çdo fjalë e akumuluar mund të qonte në rrezik reputacionin e saj në të ardhmen. E vetëdijshme që me lindjen e një fëmije jeta e saj do merrte fund, Anne nuk frikohet nga vdekja. Mirëpo filmi dhe vet historia e Annie Ernaux asnjëherë nuk përshkruan një Anne që do të bëhet nënë por që koha nuk ia lejon, të dyja këto përshkruajnë një Anne tjetër, një nga ata që shumë e vetëdijshme për atë që do tani dhe më tej në jetë. Anne në asnjë moment nuk dyshon në vendimin për abort

Kjo traumë e shekullit XX që ndjehet shumë edhe në shekullin XXI, kjo histori fatkeqësisht e pakohë dhe tragjike në forma të ndryshme ndjehet shumë edhe në historitë e grave të sotme në Maqedoninë e Veriut. Asgjë më shumë se vetëdijësimi mbi edukimin seksual, arritja e marrjes më të lehtë të mjeteve kontraceptive dhe aftësimi i të kuptuarit se aborti nuk është vrasje e një jete por shpeshherë është shpëtimi i dy të tillave do të lehtësojë mbrojtjen nga shtatëzanitë e padëshiruara. Le të luftojmë që gruas të mos i cënohet e drejta  të vendosë në do apo jo të jetë nënë, mos të lëmë që padituria, shoqëria apo ligjet të luajnë rolin vendimmarrës.

Besa Tusha

Besa Tusha

Besa Tusha aktualisht është studente e vitit të fundit në universitetin e Arteve të Bukura "Mimar Sinan" në Stamboll. Ajo ka punuar si asistente e regjisë në disa filma studentor atje. Përveç kësaj ka qenë pjesë e stafit në Festivalin e Filmave të Shkurtë dhe Dokumentar "DokuFest" në Prizren. Besa ka qenë edhe pjesë e jurisë në edicionin e tretë të Festivalit të Filmave të Shkurtë "KFYD" në Turqi. 

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia