Untitled-(1440-x-550-px)-2.png

Interneti ka sjellë probleme të reja që komunikimi virtual nuk mund t'i zgjidhë

SEEN

November 13th, 2021

Ndoshta mund të flasim?

 

Me zhvillimin e industrializmit dhe urbanizmit duke filluar nga shekulli XX dhe duke vazhduar kështu me shekullin XXI njeriu, si e vetmja qënie e cila mund të mendojë, u ndje i përhumbur në shpejtësinë e ndryshimeve që po ndodhnin. Në letërsi por jo vetëm, mes të tjerash përveç mendimit kolektiv u bë më e evidentueshme shtjellimi i përmbytjes shpirtërore, mërzisë personale dhe vetmisë. Njëashtu, hyrja e teknologjisë në jetën e njeriut bëri që relacioni kohë, vend dhe njeri të ndryshojë (për të mos thënë të humbasë). Vetminë dhe ndjenjën e mos të qenurit i kuptuar nga njerëzit për rreth apo nga të dashurit, njeriu e përmbushi me internetin. Kështu psikologu i botës moderne ndryshoi emër dhe u quajt “rrjetet sociale”. 

Me skenar të Adrew Stern filmi “Disconnect”(2012) i regjisorit Henry Alex Rubin, shpjegon arsyen  se përse njerëzit zgjedhin të kalojnë më shumë kohë në rrjetet sociale. Filmi që ndahet në storje të cilat kohë pas kohe bashkohen me njëra tjetrën tregon efektet negative të teknologjisë në komunikimin njerëzor. Më saktësisht shtjellon problemin se përse njerëzit zgjedhin komunikimin virtual dhe pasojat që vijnë nga ky komunikim. Historia e parë e filmit përshkruan një çift që kanë humbur fëmijën e tyre dhe të cilët nuk e ndajnë mërzinë bashkë. E lodhur nga ky lloj mos komunikimi me të shoqin, bashkëshortja Cindy (Paula Patton) nis të ndajë dhimbjen me një të panjohur në internet. Ky i fundit, ia merr të gjithë të dhënat dhe më pas të gjithë parat. E zhgënjyer Cindy sëbashku me të shoqin, në të gjithë këtë kompleksitet arrijnë të komunikojnë, të kuptojnë mangësitë e tyre, të preken dhe të rikthejnë unin e të dashurit njëri-tjetrin.

 Në storien e dytë Beni (Johan Bobo) është një adoleshent asocial dhe fëmijë i padashur nga familja.  Beni nis të flas me Jessican nëpërmjet rrjetit social Facebook. I ndjerë i përfshirë në këtë lidhje ai i dërgon Jessicas një foto nudo. Jessica, nuk është asgjë tjetër përveçse një llogari e rrjeshme e krijuar nga dy shokë shkollar të Benit, të cilët duan të eksplorojnë dhe të dinë çfarë ndodh në jetën e Benit por edhe më, nga asocialiteti i Benit të ndjehen superior kundrejt tij. Kur ata shpërndajnë fotografinë e Benit, ky i fundit tenton të vetvritet, kështu i ati mandej e tërë familja kuptojnë largësinë mes tyre dhe Benit. Gjëja kryesore që ka shtyrë Benin të flasë dhe të bindet se Jessica mund të jetë një person real dhe më pas me shpërndarjen e fotografive lakuriq, i mbytur në zhgënjim të tentoj për vetvrasje është mosafrimiteti me familjen e tij dhe mosndjerja e dashurisë familjare e shoqërore. Ky film i kushton rëndësi të madhe adoleshentëve, si mosha më e prekur në (keq)përdorimin e internetit. Pjesa më e veçantë e filmit është se regjisori nuk i jep të drejtë njërës palë dhe fajëson tjetrën, përkundrazi në këtë mes më shumë se gjithkënd tjetër ai fajëson prindërit. Kështu, shokët të cilët hapin adresën e rrejshme të Jessicas dhe njëashtu shpërndajnë fotografinë e Benit, pa ju dhënë të drejtë në veprimin që bëjnë shpjegohen si djem të familjeve që nuk angazhohen për ta. Pra, arsyeja pse ata veprojnë kështu dhe keqardhja që ndjejnë pas veprimit të bërë janë detaje madhore që tregojnë se  i gjithë njerëzimi sidomos adoleshentët e kanë më të theksuar nevojën emocionale, ndjenjën e të qenurit i dashur, i përkëdhelur dhe i kuptuar.

Në storien e tretë, sërish paraqitet ankthi për të ardhmen. Gazetarja Nina (Andrea Riseborough) bind striptistin virtual Kyle (Max Thierlot) që të bëjnë një reportazh rreth punës së tij. 18 vjeçari Kyle ndjehet i afërt dhe beson se Nina do ia ndyshojë jetën prandaj dhe i jep informata rreth vendbanimit të tij asaj. Mirëpo Nina e detyruar bën bashkëpunim me federacionin dhe e zhgënjen Kylen. Kjo pjesë e filmit i kushton vëmendje industrisë së pornografisë së fëmijëve dhe mënyrës se si shumica prej tyre futen në këtë industri. Me anë të Ninës ashtu si Kyle edhe ne fillojmë të shpresojmë se diçka do të ndryshojë, por metafora që regjisori përdor duke mbaruar të gjithë storjet në mënyrë idilike por këtë të fundit jo, tregon se mënyra se si të tjerët, në këtë rast Nina, i referohen dhe mundohen ta zgjedhin problemin është një problem tjetër më veti.

Filmi i cili i përket zhanrit dramë-thriller, tregon storje që shumicës mund t’i duken klishe dhe shumë herë të dëgjuara. Skenat e grindjes si skenat e momentit katarsistik në të gjithë zhvillimin e storjes së filmit nuk japin ngrohtësinë që i gjithë filmi jep. Ndonëse këto skena bëjnë të dukshme dashurinë që nuk është thënë dhe ndjerë më parë mes Benit dhe babait të tij, Cindyt dhe bashkëshortit të saj e Kyle dhe Ninas, të përkthyera në pamje, lënë për të dëshiruar. Përdorimi i close-up, dialogjet që vazhdimisht lënë hapësirën të kuptojmë se ka mungesë komunikimi dhe se ka dëshirë për këtë të fundit, janë dëshmi se një ndër aftësitë më të zhvilluar të homosapiensit komunikimi, në botën moderne është në regres. Filmi s’bënë asgjë tjetër përveçse një përkujtim të vogël se sado bota të shkojë përpara, komunikimi më i shëndetshëm gjithmonë do të jetë ai që përveçse dëgjohet, i fut në përdorim edhe shqisat tjera së bashku me respektin dhe dashurinë.

SHKRIMI ËSHTË SHKRUAR EKSKLUZIVISHT PËR MOLLEKUQJA.MK. TË DREJTAT E PUBLIKIMIT I KANË VETËM MOLLEKUQJA.MK DHE AUTORI, SIPAS MARRËVESHJES MES TYRE.
Besa Tusha

Besa Tusha

Besa Tusha aktualisht është studente e vitit të fundit në universitetin e Arteve të Bukura "Mimar Sinan" në Stamboll. Ajo ka punuar si asistente e regjisë në disa filma studentor atje. Përveç kësaj ka qenë pjesë e stafit në Festivalin e Filmave të Shkurtë dhe Dokumentar "DokuFest" në Prizren. Besa ka qenë edhe pjesë e jurisë në edicionin e tretë të Festivalit të Filmave të Shkurtë "KFYD" në Turqi. 

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia