Safety-(10).png

„Dhoma Publike”, një grup, shumë skandale, dhjetëra viktima, por pak dhe minimalisht të dënuar

SEEN

June 6th, 2022

Përkundër faktit që dhjetëra vajza kanë raportuar se kanë qenë viktima të grupit famëkeq „Javna Soba” apo „Dhoma Publike”, shparzëtirat ligjore dhe paaftësia e institucioneve shtetërore në Maqedoninë e Veriut ka arritur të dënojë vetëm tre persona, edhe atë krijuesin e grupit Darko Kotovski, administratorin Mihail Panevski dhe një anëtar të grupit nga Velesi.. Ratkoceri për “Mollëkuqja” këtë rast e cilësoi si skandaloz dhe që sipas saj të akuzuarit janë dënuar nën minimumin ligjor për këto raste.

Rasti i “Javna Soba” (Dhoma Publike) u zbulua në fillim të vitit 2021, kur viktimat alarmuan për abuzimin e rrjeteve sociale nga ndjekësit. Më pas pati një përpjekje për të rihapur grupe të ngjashme, pas së cilës autoritetet njoftuan ndryshime ligjore me ndëshkime rigoroze ligjore për t'u marrë me ndjekësit në rrjetet sociale. Është hapur një rast tjetër – “Dhoma Publike 2”, e cila është nën hetim. Të dy grupet vlerësohet të kenë numëruar më shumë se 12,000 anëtarë.

Nga 4 vjet burg për krijuesit e grupit dhe një anëtar

Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar krijuesit e grupit “Dhoma Publike” në Telegram, për ngacmime seksuale ndaj të miturave dhe grave. Aktgjykimi i është referuar krijuesit të grupit Darko Kostovskit dhe administratorit Mihail Panevski. Që të dy janë dënuar me katër vjet burgim. Ata akuzoheshin për prodhimin dhe shpërndarjen e pornografisë me fëmijë.

Në periudhën nga 19.12.2019 deri më 28.01.2020, krijuesit e grupit ishin të detyruar të kujdeseshin për përmbajtjen e përmbajtjeve tekstuale dhe audio-vizuale të shpërndara nga anëtarët e "Dhoma Publike”. Megjithatë, sipas gjykatës, ata qëllimisht lejuan grupin të vinte në dispozicion dhe të publikonte përmbajtje pjesët intime të vajzave të mitura.

Dy javë më vonë, Prokuroria Themelore Publike në Veles ngriti aktakuzë në Gjykatën Themelore të Velesit kundër personit të moshës 22 vjeçare për vepër penale “Prodhimi dhe shpërndarja e pornografisë së fëmijëve” nga neni 193-a paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal, gjegjësisht, akuzohet për kryerjen e të njejtës vepër penale si krijuesit e grupit.


Sipas profesoreshës Vedije Ratkoceri, dënimet për krijuesit e grupit janë nën minimumin ligjor

Sipas Kodit Penal të RMV-së për veprën penale “Prodhim dhe distribuim i pornografisë fëmijërore” (neni 193-a) dënimi i paraparë për këtë vepër penale është burgim prej 5 deri në 8 vjet burgim

shpjegon Ratkoceri.

‘’Dhoma publike’’ është një ndër skandalet më serioze që kemi pasur deri më tani dhe ndër rastet më sfiduese për institucionet e drejtësisë në vendin tonë. Kjo është për shkak se në këtë rast kishte gërshetim dhe implikim të shumë elementeve që pa dyshim sfiduan edhe sistemin e drejtësisë në vendin tonë.  Pavarësisht se numri i pjesëmarrësve në këtë skandal ishte i madh, pra si numri i anëtarëve që shkëmbenin fotografi, video materiale dhe të dhëna të tjera implikuese edhe numri i viktimave në këtë rast po ashtu ishte i madh. Pa dyshim, ajo çfarë ngriti alarmin në nivelin më të lartë është përdorimi i grupit dhe viktimizimi edhe i fëmijëve për qëllime seksuale. Në këtë drejtim ajo çfarë edhe prokuroria arriti ta dëshmojë  dhe t’i akuzojë krijuesin dhe moderatorin e grupit ishte vepra penale ‘’prodhim dhe distribuim i pornografisë fëmijërore’’ sepse kanë lejuar që në grup të postohen video të abuzimit seksual të fëmijës jo më të vjetër se 5 vjeç”, u shpreh Ratkoceri

vedij-1654446379.jpeg

Sipas saj, këtë vepër penale konsiderohet se e kryen “ai i cili prodhon pornografi fëmijërore me qëllim të distribuimit të saj apo të transferimit apo ofrimit apo në mënyrë tjetër e bën të mundur pornografinë fëmijërore”(paragrafi 1). “Objekt i mbrojtjes te kjo vepër penale janë të drejtat e fëmijëve në zhvillim të drejtë, mbrojtje nga keqpërdorimet seksuale dhe respektimi i dinjitetit të tyre. Prodhimi dhe distribuimi i pornografisë fëmijërore përbën formë veçanërisht të rrezikshme të inkurajimit të dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe zhvillim të epsheve të ulëta seksuale (pedofilisë), të cilat në asnjë rast nuk mund të konsiderohen si liri e përcaktimit seksual dhe raporteve seksuale. Përveç prodhimit, ndëshkohet edhe posedimi i pornografisë fëmijërore – “ai i cili furnizohet (blen) me pornografi fëmijërore për veten apo për tjetrin apo posedon pornografi fëmijërore, do të dënohet me burgim prej 5 deri në 8 vjet (paragrafi 2). Si mënyrë e kryerjes së veprës në këtë rast është furnizimi i cili nënkupton veprimin me të cilin kryerësi vjen deri te materiali pornografik (me blerje, riinçizim, shkarkim etj). Nëse kjo vepër penale kryhet përmes sistemit kompjuterik apo mjetit tjetër për komunikim masiv, kryerësi do të dënohet me burgim me më së paku 8 vjet (paragrafi 3)”, shtoi profesoresha Ratkoceri. 

Në fund ajo tha se edhe pse tash më të dënuarit, sipas vendimit gjyqësor, është dashur të kujdesen për përmbajtjen e materialeve të postuara në grup, ata këtë nuk e kanë bërë dhe qëllimisht kanë lejuar qasje deri te përmbajtje që kanë shfaqur abuzim seksual të fëmijës.

Pavarësisht kësaj, ata u dënuan me nga katër vjet burgim, dënim ky nën minimumin ligjor të paraparë në KPMV për këtë vepër penale

nënvizoi Ratkoceri.

Për katër vite, 12 persona kanë shkelur Kodin Penal 193-a, që është “Prodhim dhe distribuim i pornografisë fëmijërore”

Nga Ministria për Punë të Brendshme (MPB), deri te Mollëkuqja, kanë dërguar një pasqyrë tabelare me të dhëna statistikore për krimet e regjistruara dhe autorët e krimeve të nenit 193-a i Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga viti 2018 deri në vitin 2021. Sipas të dhënave të dorëzuara deri te ne gjatë vitit 2018 në vendin tonë kemi pasur dy vepra penale që kanë shkelur Kodin Penal 193-a të kryer nga një autor, ndërkohë në vitin 2019 kemi pasur një ngritje të veprave penale që kanë shkelur nenin 193-a, ku numri ka shkuar në 6 vepra penale të kryera nga 5 autor. Në vitin 2020 ka pasur prapë dy vepra penale nga një autor dhe në vitin 2021 katër vepra  penale nga pesë autor.

Ndryshe, një vit më parë vendi ynë u përfshi në një skandal të quajtur “Javna Soba” (Dhoma Publike), ku fotografitë private dhe eksplicite të vajzave të reja u publikuan në këtë grup. Fotografitë në fjalë ishin marrë nga llogaritë private të vajzave, fotografi private që janë vjedhë nga telefonat e tyre dhe fotografi që janë shpërndarë privatisht por që ndokush nga rrethi i ngushtë ka shpërndarë në këtë grup. Ka pasur raste kur në këtë grup janë shpërndarë dhe numra celularë dhe është shpërndarë dezinformatë se vajza punon prostitutë.

 LEXO EDHE KËTË: Shpërndarje e pornografisë së fëmijëve: Dy krijuesit e "Dhomës Publike" u dënuan me nga katër vite burg

Zenel Miftari

Zenel Miftari

Zenel Miftari është absolvent në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup. Tani më dy vite është i punësuar në gazetën e përditshme KOHA dhe kryesisht merret me trajtimin e temave të arsimit dhe temat sociale. Ai është edhe aktivist i shoqërisë civile.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia