November 28th, 2021
19 vjeçarja me inicialet A.G është pre e dhunës dhe maltretimeve psikike përmes rrjetit social “Instagram” tanimë 3 vite e gjysmë. Kjo periudhë për të ka qenë një ferr i vërtetë, shprehet ajo për portalin tonë. Shantazhet dhe kërcënimet me vdekje kanë qenë momentet më të trishtuara e të cilat ende i vuan e që thotë se pasojat psikike nga këto situata nuk ka arritur t’i tejkalojë ende. Nga një komunikim i thjeshtë, mesazhet e instagramit kanë arritur deri në kërcënime fizike, madje dhe të familjarëve të saj, në momentin kur ajo nuk është pajtuar që të jetë bashkë me të. Rasti i saj është paraqitur në polici dhe në organet tjera kompetente, megjithëse ende nuk ka marrë një epilog, që ajo të ndjehet e sigurtë me jetën e saj. Këtë storie ajo e ndau me ne, si mbështetje dhe motivim për të gjitha ata të cilat frikësohen që rastet e tilla t’i paraqesin përpara institucioneve shtetërore.
“ U detyrova ta lej shkollën dhe të mbyll çdo rrjet social që kisha në emrin tim. I lash pas dore shoqet, e u mbylla në vete, nga frika dhe kërcënimi se ai do m’i publikojë fotot të cilat i kishte marrë nga unë pikërisht duke më kërcënuar për veprime edhe më të rënda. Kam qenë e mitur në kohën kur ka filluar të më shfaqet kjo problematikë. Është dashtë të veproj ndryshe, t’i tregoj familjes së ngushtë dhe të mbështetem tek ta që në fillim, me siguri pasojat do ishin shumë më të pakta se tash që kanë kaluar disa vite e unë shumë vonë i kam njoftuar prindërit për këtë gjë. Kam përjetuar shumë trauma, e më ka shkaktuar shumë dëme psikike, ndërsa momentet më të këqija kanë qenë kur i ka kontaktuar familjarët e mi dhe i ka kërcënuar edhe ata. E tregoj këtë storje me qëllim që t’ju ndihmoj gjithë vajzave të cilat përballen me këtë fenomen”.
Viktima A.G
Nga Klinika e Psikiatrisë në Shkup thonë se ky fenomen posaçërisht gjatë dy viteve të fundit sa zgjat pandemia është më i theksuar, dhe rastet e tilla janë në rritje. Pjesa më e dhimbshme e gjithë kësaj është që këto raste ndodhin në heshtje pa mos e kuptuar askush, derisa ndodhin pasojat e mëdha, shpesh herë tragjike, thonë mjekët psikiatër.
“Ky fenomen negativ, është me përmasa të mëdha dekadave të fundit. Shpesh herë e gjithë kjo ndodh në mënyrë të fshehur. Ky lloji i kriminalitetit elektronik, ndonjëherë zbulohet me vonesë, apo për fat të keq nuk zbulohet fare dhe e mundshme është që rastet e tilla të përfundojnë tragjikisht. Personat të cilët janë viktimë e këtyre sulmeve ndjehen të pa ndihmuar, të frikësuar me ndjenja të intensifikuara të fuqishme të frikës, të pa besimit në vete dhe nuk dinë ku të drejtohen. Po ashtu dhe nuk kanë besim në institucionet e shtetit. Shpesh ndodhin dhe tentimet për vetëvrasje. Nuk e di nëse kjo koincidon me pandeminë, por të gjitha fenomenet negative sociale janë intensifikuar ndjeshëm periudhës së fundit, në veçanti sjelljen e dhunshme. Kemi rritje të numrit të pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë pikërisht për këto situata, jo vetëm në mënyrë elektronike por edhe në mënyrë fizike. Është rritur numri i ankesave përmes linjave telefonike”.
Sllavica Arsovska, Klinika e Psikiatrisë në Shkup
Sipas ekspertëve, 95% e rasteve të tilla i ndodhin gjinisë femërore. Kryesisht moshat e mitura janë më të prekura nga ky fenomen virtual, por nuk përjashtohen në përgjithësi të gjitha gratë si dhe fëmijët. Sociologët këtë fenomen e kategorizojnë si më të dëmshëm edhe krahas metodave të tjera të dhunimeve, pasi që bisedat përmes rrjeteve sociale mund të ruhen dhe të publikohen. Publikimi i tyre pos dëmeve psikike, shkel dhe të drejtën e privatësisë së një personi.
“Mediat sociale jo çdo herë mund të jenë një zëvendësim për lidhjet njerëzore, ato shpesh mund të konsiderohen si një forcë e veçantë negative në jetët tona. Gjuha e urrejtjes, ngacmimet, ofendimet, kërcënimet, bullizmi, mesazhet me përbërje seksuale, shpesh janë pjesë e përditshmërisë tonë. Sipas studimeve, në nivel botëror përqindja më e lartë që dëmtohet dhe ndikohet nga këto dukuri përfshinë gjininë femërore duke shkaktuar pasoja te ndryshme psikike në jetët e tyre, nivele të larta të ankthit, stresit, depresionit, frikës, mos pëlqimit dhe urrejtjes për pamjen fizike, ndjenjën e zemërimit dhe zhgënjimit. Këto vuajtje emocionale mund të jenë më të larta se ngacmimet përmes metodave tjera sepse informacioni I dëmshëm është publik dhe i disponueshëm 24 orë njëkohësisht duke e bërë të vështirë edhe heqjen e përmbajtjes dëmtuese”.
Hatixhe Qazimi, Sociologe
Ekspertët rekomandojnë që të parët të cilët duhet të reagojnë ndaj këtyre fenomeneve janë prindërit. Derisa një fëmijë shfaq shenja të mbylljes në vetvete, komunikim të fshehtë përmes mjeteve teknologjike si dhe derisa fëmija iu ik kontakteve me moshatarët e tij, kjo gjë duhet të alarmojë.
“Që të zvogëlojmë numrin e rasteve të tilla, është e nevojshme që të ketë vëmendje më të madhe nga ana e të gjitha strukturave shtetërore si shkollat, spitalet, psikologët, sociologët, dhe prindërit para së gjithash. Rekomandohet që prindërit të flasin sy më sy me fëmijët e tyre, të flitet me fëmijën me qëllim që me kohë të vërehet derisa fëmija vuan nga maltretime të këtij lloji. Prindërit duhet të ndjekin ndryshimet në sjelljen e fëmijës së tyre, nëse fëmija fillon të bëhet më i tërhequr, më i heshtur, iu ikë kontakteve me moshatarët dhe personat tjerë. Nëse kjo gjendje zgjat më shumë, patjetër që atij fëmije është duke i ndodhur diçka”.
Sllavica Arsovska, Klinika e Psikiatrisë në Shkup
Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, nuk ka të dhëna se sa raste ku vajzat janë pre e ngacmimeve seksuale në rrjete të ndryshme sociale janë raportuar të paktën gjatë vitit të fundit. Të dhëna nuk posedon madje as për vitet paraprake. Portali ynë u drejtua me pyetje konkrete mbi të dhënat, dhe masat eventuale të cilat duhet t’i ndërmerr policia në kësi rastesh, megjithatë edhe pas pritjeve disa javore, nga ky dikaster përgjigje nuk ka.
Vjollca Aliti është gazetare e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Tanimë shtatë vite e ushtron profesionin si gazetare. Aktualisht është e angazhuar në televizionin Alsat, ndërsa paraprakisht ka punuar në disa shtëpi të tjera mediatike, përfshirë dhe shtypin e shkruar. Kryesisht Vjollca mbulon tema që kanë të bëjnë me sektorin e shëndetësisë, ku dy vitet e fundit kanë qenë tema që kanë të bëjnë me pandeminë.
TË NDRYSHME
Euphoria: Jeta e njeriut nuk është dy minuta por një video dy minutshe mund t...
Besa Tusha
20/06/2022
"Përndjekja", aktorëve politik nuk u “ngutet” të miratojnë propozim-ndryshime...
Teuta Buçi
19/04/2022
Ngacmuesit që fshihen pas tastierave dhe ekraneve janë "të fortë" vetëm në rr...
Besa Tusha
23/10/2021
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia