cover-(5).png

Historike: Për herë të parë një grua zgjidhet presidente në Maqedoninë e Veriut

FEMINISTING

May 9th, 2024

Maqedonia e Veriut për herë të parë që nga pavarësia e saj nga Jugosllavia do të ketë presidente një grua.

Gordana Siljanovska Davkova në zgjedhjet parlamentare të 8 majit 2024 fitoi bindshëm kundër kandidatit të saj, presidentit të deritanishëm, Stevo Pendarovski.

Siljanovska e cila vjen nga partia VMRO-DPMNE, sipas rezultateve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve ka fituar më shumë se 560 mijë vota, ndërsa Pendarovski që u mbështet nga LSDM-ja mori mbi 250 mijë vota.

Siljanovska pas fitores ka theksuar se është koha për punë dhe përgjegjësi.

“Sinqerisht pyes veten për disa orë se si e kam merituar këtë nder, e di që jam përgatitur, e di që i jam përkushtuar fushatës, e di që kam folur atë që kam menduar dhe jo atë që dikush ka pritur të dëgjojë”, ka deklaruar Siljanovska Davkova.

Inagurimi i presidendes të sapozgjedhur pritet të bëhet më 12 maj.

Siljanovska në programin e saj me të cilin garoi për presidente, në drejtim të barazisë gjinore zotohet për dy pika.

Ajo thekson se kabineti i saj do të udhëhiqet nga parimi i gjithëpërfshirjes si dhe në shërbimin diplomatik do të angazhohet për barazi gjinore më të madhe.

“Unë do të avokoj për përfaqësim të drejtë në të gjitha bazat, etnike, gjinore, fetare dhe natyrisht në raport me personat me nevoja të veçanta”, thuhet në programin e Siljanovskës.

Së bashku me zgjedhjet presidenciale u mbajtën edhe zgjedhjet parlamentare, sipas rezultateve të para, Kuvendi i RMV-së prej 120 karrigesh do të ketë rreth 41 gra deputete, megjithatë ky numër mund të rritet.

Kujtojmë që nga pavarësia, RMV-ja nuk ka pasur kryeministre apo kryetare të Kuvendit. Vetëm dy gra kanë qenë ushtruese detyre si kryeministre dhe kryetare kuvendi për më pak se një muaj.

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia