September 29th, 2023
Ne jemi mësuar të lexojmë për fatin e vështirë të grave shqiptare andaj nuk mund ta mohojmë që ky ka qenë dhe është një realitet i dhimbshëm i kombit tonë. Por, në letërsi, autorët shqiptarë na kanë sjellë një realitet tjetër: atë të gruas revolucionare dhe sypatrembur. Petro Marko ndoshta ishte nga të vetmit autorë që na ka trashëguar historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht historinë e grave tona. Çdo libër i tij ka elemente biografike dhe shumë personazhë të tij kanë qenë njerëz real dhe jo fiktiv. Ai mbroi dhe dëshmoi faktin se, pos fatit tragjik, gruaja kishte një rol shumë të lartë në luftë. Petroja shkruan për gruan shqiptare, e cila ishte e gatshme për luftë kur bëhëj fjalë për të mbrojtur vendin dhe njerëzit e saj. Këtë fakt e ndeshim dhe tek vepra e Marin Barletit, Rrethimi i Shkodrës, ku përshkruhet në një fragment se si për të mbrojtur muret e kalasë luftuan pleq, burra, fëmijë dhe gra.
Mendimet e burrave se gratë nuk mund të bëjnë “punë burrash”, ranë poshtë në periudhën në mes dy luftrave botërore. Zotësia dhe guximi i grave për të marrë pjesë direkt në luftë, qoftë me uniformë ushtarake, apo si vullnetare dëshmoi fuqishëm për karakterin e tyrë të fortë. Pavarësisht rolit të madh që patën gratë gjatë luftrave botërore përsëri është folur pak për to. Kemi pak autore të cilat shkruan për këto tema dhe shumica prej tyre deri vonë kanë shkruar me pseudonime burrash, për shkak të stigmës që vinte me ekspozimin e emrave të grave, ose edhe pasbesinë që njerëzit kishin në kapacitetin intelekutal të grave.
Në letërsinë tonë kemi mungesë të autoreve të cilat do të rrëfenin historinë e grave gjatë periudhave të ndryshme, andaj Petroja vendosi të rrëfente historinë e tyre. E veçanta e personazhëve të tij qëndron aty se, autori nuk shkruan vetëm për gruan shqiptare, por për të gjitha. Ai ishte universal dhe arriti të tregoj historinë e grave që ndodheshin përtej kufijve të Shqipërisë.
Drita, Kristina tek Hasta la vista ishin infermiere në shërbim të popullit spanjoll. Personazhi i Besës te Stina e armëvee cila merrte pjesë drejtpërdrejtë në luftën antifashiste ishte një nga emrat më të njohur që fashistët në Shqipëri ia kishin frikën. Pra, Petroja nëpërmjet personazhit të Besës, e ngrit femrën në një nivel shumë të lartë, të barabartë me burrat, duke i dhënë Besës tiparet e një vajze të vendosur, guximtare, e cila ka aftësinë dhe është e denjë për të udhëhequr luftën. Besa ishte një vajzë e cila nuk kishte frikë të ketë një qëndrim dhe një opinion ndaj luftës, sepse besonte në aftësitë e saj për t’i kuptuar këto situata. Petroja thotë: “As dimri, as lufta nuk e ndalonin vajzën e re të ëndërronte.”
Pushtuesit e ndryshëm që shkonin e vinin në Shqipëri, nuk u jepnin hapësirë vajzave dhe as djemve të ëndërronin për një të ardhme të mirë. Ata jetonin me këtë luftë. Ishin mësuar me armë në dorë. Andaj dhe autori shkruan: “Pushka mbron gjithë dëshirat e saj, dashurinë dhe urrejtjen.”
Një emër tjetër i harruar por me të cilin historia shqiptare duhet të krenohet, është Justina Shkupi. Ajo ishte e gatshme të sakrifikojë rininë e saj për popullin e shtypur, andaj Petroja e bëri heroinë kryesore në librin e tij. Justina Shkupi, e njohur për lexuesit si Drita, ishte vullnetarja e parë dhe e vetmja shqiptare që shkoi në Spanjë. “Me karakter fisnik dhe besnike” shkruan Petro për të.
Skënder Luarasi, studiues, shkrimtar dhe mbi të gjitha një antifashist, pas takimit me Justina Shkupin në Korçë e bindi se ajo duhej atje, në Spanjë, sepse ishte një infermiere shumë e mirë. Justinën më mirë do ta njohim përmes personazhit të Dritës, infermiere te Hasta la Vista, një shoqe shumë e mirë jo vetëm e Gorit por e të gjithë të plagosurve në luftën kundër fashizmit. Petroja nuk kursen të shkruajë për këtë mikeshë shumë të mirë të tij në autobiografinë "Intervistë me vetveten". Ai e adhuronte karakterin e saj sepse ishte shembulli më i mirë që përfaqësonte të gjitha vajzat shqiptare. Ajo dhe vullnetarët e tjerët ishin të drejtë, të zotë, që shkuan të luftojnë për diçka të madhërishme. Kjo ishte një sprovë shumë e madhe për të, si vajzë e vetme, të jetë pjesë e një luftë, në një vend krejtësisht të panjohur për të. Por, ajo i bindi të gjithë se ajo ishte një shqiptare e vërtetë.
Petro Marko në librin e tij Intërvistë me vetveten na jep një listë të vullnetarëve shqiptarë pjesmarrës në luftën e Spanjës. Për fatin e mirë, Justina ishte në mesin e emrave të cilët mbetën gjallë dhe u kthyen në Shqipëri. Figura e saj u la në harresë për një kohë, derisa Nënë Tereza shkoi të gjejë varrin e saj, duke e rikthyer Justinën përsëri mes nesh. Dy mikesha që ishin njohur nga fëmijëria, dy vajza nga Shkupi që bënë shumë për njerëzimin, secila në mënyrën e saj.
Tek intervistë me vetveten Petroja shkruan: “Justina Shkupi, shquhej për besnikërinë dhe ndërgjegje në punë. Kur po evakuohej një spital i brigadave internacionale nga Murcia në Veri, çdo vagon i mbushur me të plagsur kishte dhe nga një përgjegjës sanitar, mjek ose infermier. Në një vagon ishte përgjegjëse Justina. Treni u bombardua. U pa se të gjithë mjekët dhe infermierët dolën nga treni duke lënë të plagosuri në vagonë. Vetëm Justina nuk kishte lëvizur, ishte në krye të detyrës. E gjetën duke i bërë transfuzion gjaku një të plagosuri që kishte marrë një plumb tjetër në shpatull.” Vetëm ky fragment është i mjaftueshëm për të vërtetuar atë se kush ishte Justina Shkupi.
Krijimtaria e Petros përfshinë rrëfime, ngjarje historike ku lufta është e egër, e pandalshme, personazhët kalojnë gjendje të rënda fizike, psikologjike, shpirtërore. Diçka që vëmë re gjatë leximit të librave të tij, sidomos me dy personazhet e lartëpërmendura, është fakti se ato, pavarësisht lodhjes, frikës, situatave në të cilat lufta i detyron të përballën, karakteri dhe ideali i dy vajzave, nuk lëkundet për asnjë çast të vetëm. Dy heroinat janë përfaqësueset e vajzave shqiptare, për të cilat shkruhet dhe flitet rrallë.
KY SHKRIM ËSHTË SHKRUAR EKSKLUZIVISHT PËR MOLLEKUQJA.MK. TË DREJTAT E PUBLIKIMIT I KANË VETËM MOLLEKUQJA.MK DHE AUTORI, SIPAS MARRËVESHJES MES TYRE.
Besarta Ramadani është Magjistre e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Gjatë studimeve ka qenë pjesëmarrëse në konferenca të ndryshme me disa studime letrare. Ka të botuara poezi në një përmbledhje poetike. Ajo është bashkëautore e disa punimeve të botuara në revista shkencore. Për dy vite ka punuar si lektore. Aktualisht punon për një qëllim të vetëm, që libri të jetë pjesë e pandashme për njerëzit rreth saj dhe jo vetëm.
TË NDRYSHME
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia