Untitled-design-(5)-1650487477.png

Harxhime, lodhje fizike, psiqike dhe deri në fatalitet– rruga e grave rome drejt shëndetit gjinekologjik nuk është e lehtë

PASOJA

April 21st, 2022

As akti më i lartë i një shteti, Kushtetuta, nuk ka detyruar shtetin që në komunën Shuto Orizari të sigurojë një gjinekolog/e, kështu sipas Salija Bekir nga „Iniciativa e Grave” rreth 13 mijë gra në këtë komunë edhe pse janë në periudhë riprodhuese, nuk kanë gjinekolog ku mund t’i kryejnë kontrollet. Senada Jashar banon në këtë komunë, por shtatë muaj më herët kishte sjellë në jetë një fëmijë në një komunë tjetër, për „Mollëkuqja” ajo flet për vështirësitë financiare dhe jo vetëm me të cilat është përballur gjatë shtatëzanisë. “Shfajësohen” nga Ministria e Shëndetësisë.

Pas disa muajve me sakrifica, harxhime financiare, lodhje psiqike dhe dhimbje, Jashar shtatë muaj më herët solli në jetë një fëmijë në Klinikën për Gjinekologji. Senada Jashar nuk kishte fatin që fëmijën e saj ta lind në komunën ku ajo vetë kishte lindur dhe ishte ritur, gjegjësisht në Shuto Orizare.

Ka qenë vështirë për mua të udhëtoj çdo muaj deri atje sepse nuk kisha veturë dhe më duhej të përdorja transportin publik në kohë pandemie me dhjetëra persona tjerë në autobus gjatë shtatëzanisë. Çdo kontroll e kam paguar 200 denarë për një EKG pa më dhënë llogari fiskale”

u shpreh Senada.

Kështu, Senada Jashar përmes „Mollëkuqja.mk” ritheksoi nevojën që komuna Shuto Orizare të ketë një gjinekolog, i cili sipas saj “duhet të jetë i përhershëm dhe jo të qëndroj vetëm disa muaj dhe të largohet dhe aty t`i kemi kontrollet falas”.

“Infeksione, gjakderdhje, aborte spontane..” gjinekologia Aliu flet për pasojat e mungesës së kontrolleve të rregullta gjinekologjike

Gjinekologia Nurije Aliu për Mollëkuqja, është shprehur se mirëqenia dhe shëndeti i gruas janë sfidë e të gjitha sistemeve shëndetësore në botë. Ajo deklaroi se organizimi i mirëfilltë i tyre jep rezultatet e duhura, derisa rajonet me zhvillim të ulët ekonomik vuajnë zakonisht pasojat e organizimit të dobët shëndetësor. 

278581681_302765072006655_7599575581867316754_n.jpeg

Kujdesi për shëndetin e gruas përfshin konsultimet te mjeku gjinekolog që nga puberteti, faza riprodhuese dhe menopauza. Sipas saj, kjo nënkupton kontrollime ekografike, PAP test, kontrollime të gjirit, teste mikrobiologjike, hormonale, laboratorike etj. Kontrollet preventive te mjeku gjinekolog janë shumë të rëndësishme dhe të domosdoshme për çdo grua. Fazë e posaçme jetës së gruas është shtatëzania e cila kërkon mbikëqyrje permanente. Ekografia në shtatëzani është kapitull në vete. Ajo është metode e pazëvendësueshme për monitorimin e shtatëzanisë. Kjo mundëson detektimin e prezencës së shtatëzanisë në mitër ose jashtë saj, numri i fryteve, zhvillimi i tyre, prezenca e anomalive të frytit, ndryshime në placentë të ujit amniotik etj. Analizat mikrobiologjike na pasqyrojnë pastërtinë e organeve gjenitale ose infeksioneve të ndryshme të tyre. Analizat hormonale pasqyrojnë statusin hormonal të grua dhe çrregullimet e ndryshme hormonale

theksoi gjinekologia Nurie Aliu për Mollëkuqja.mk.

“Kontrollimet dhe konsultimet për planifikim familjar dhe mbrojtje nga shtatëzania e padëshiruar janë shumë të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të gruas apo vajzës. ­Çdo zbulim i patologjive të ndryshme kërkon trajtim të menjëhershëm dhe adekuat. Mos zbulimi dhe mostrajtimi i tyre ka pasoja të menjëhershme dhe afatgjate në shëndetin e gruas. Pasojat e menjëhershme janë përkeqësimi i gjendjes shëndetësore nga infeksione të ndryshme, gjakderdhje të theksuara, ruptura të kistave, torzione të kistave, aborte spontane, ruptura e vezëpërçuesve gjatë shtatëzanisë jashtë mitrës, abdomen akut etj”, shtoi gjinekologia Nurije.

Aliu gjithashtu u shpreh se në komplikime afatgjate numërohen proceset inflamatore kronike në organet reproduktive të gruas apo vajzës me dhembje kronike, çrregullime të ciklit menstrual, sterilitet primar e sekondar, progredimi i tumoreve beninje e malinje dhe disa herë me përfundim fatal. “Kjo tregon se kontrollet e rregullta te gjinekologu kane rëndësi jetike për shëndetin e gruas”, nënvizoi ajo.

„Iniciativa e Grave”: Shumë gra rome kanë ndërruar jetë pasi nuk ju është dhënë mundësia të bëjnë kontrolle të rregullta gjinekologjike, gratë rome përballen me shumë lloje të diskriminimit

Salija Bekir Halim nga “Iniciativa e Grave” për Mollëkuqja.mk theksoi se mungesa e gjinekologut për gratë rome është një temë e dhimbshme tash e disa vite. Sipas saj, në Shuto Orizare, janë afërisht nga 8.000 deri në 13.000 gra në periudhën riprodhuese dhe nuk kanë gjinekolog ku mund të bëjnë kontrolle të rregullta që ndonjëherë mund të nënkuptojnë jetë.

188548226_4388608104504230_371197411499196866_n.jpeg

Shembulli i fundit i Sarës tregon pikërisht këtë. Për shkak të ekzaminimeve jo të rregullta, ajo nuk e ka zbuluar në kohë sëmundjen nga e cila ka ndërruar jetë. Gjithashtu mund të theksojmë se në vitin e fundit tre gra të sapolindura kanë vdekur pasi nuk kanë bërë kontrolle të rregullta dhe nuk kanë zbuluar në kohë problemet shëndetësore që kanë qenë shkaku i vdekjes së tyre. Ne si organizatë joqeveritare  kemi apeluar kur erdhi mjeku Boshkovski për të punuar në ambulancën e Shuto Orizarës, se ai është në  prag të pensionimit dhe nevoja për një tjetër është reale. Puna jonë tani është e fokusuar te praktikanti – gjinekologu i cili duhet të fillojë punën në muajt në vijim dhe të jetë i obliguar të qëndrojë sa më gjatë të punojë në komunën e Shuto Orizarit

tha Salija Bekir Halim.

Ajo gjithashtu shtoi se gratë e komunitetit rom nuk trajtohen gjithmonë me respekt nga gjinekologët e komunave tjera. Sipas saj, këtu përfshihet diskriminimi në bazë të racës, ngjyrës së lëkurës, përkatësisë etnike, varësisë ekonomike dhe moshës.

“Gratë rome gjithashtu përballen me pagesa  të paligjshme nga gjinekologët e familjes, të cilët tashmë kanë arritur marrëveshje me Fondin Shëndetësor për të kryer ekzaminime pa pagesë. Përveç pagesës së transportit për të shkuar në ambulancën e gjinekologut të tyre në një komunë tjetër, gratë rome duhet të paguajnë edhe për kontrolle të cilat janë falas. Ne gjithashtu jemi dëshmitarë të refuzimit edhe nga mjekët gjinekologë. Domethënë kur gratë rome i drejtohen gjinekologëve për të qenë paciente të tyre, ato refuzohen me pretekstin se tashmë kishin një numër të plotë të pacientëve dhe të gjithë e dimë se nuk ka kufi kuotë për numrin e pacientëve”, u shpreh ajo.  

Ministria e Shëndetësisë shfajësohet, thtotë se asnjë gjinekolog nuk është i interesuar të punojë në ambulencën në Shuto Orizare

Nga Ministria e Shëndetësisë (MSh) për Mollëkuqja, deklaruan se Qendra e Shëndetit Shkup, rregullisht zhvillon procedurë për dhënien me qira të hapësirës për kryerjen e veprimtarisë gjinekologjike-obstetrike në ambulancën në Shuto Orizarës, por që deri më tani nuk është regjistruar asnjë kandidat i interesuar. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave ishte data 28 mars dhe nuk është dorëzuar asnjë ofertë.

Procedura për shpalljen e një njoftimi të ri është në përgatitje e sipër. Ambulanca është rinovuar dhe pajisje të reja mjekësore për gjinekologji janë blerë nga Ministria e Shëndetësisë

thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Siças raportit vjetor të Komisionit i parandalimit dhe i mbrojtjes nga diskriminimit, Nga ankesat e iniciuara nga maqedonasit, 61 për qind e ankueseve ishin djem, ndërsa 39 për qind gra. Ankesat e shqiptareve ishin vetëm nga burrat. Ndërkohë në mesin e romëve, ankuesit më të shpeshtë ishin gratë.

Ndryshe, kujtojmë që në komunën e Shtuo Orizarës, gjinekolog ka pasur për një kohë të shkurt deri sa ishte ministër i Shëndetësisë Arben Taravari në vitin 2017.

Zenel Miftari

Zenel Miftari

Zenel Miftari është absolvent në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup. Tani më dy vite është i punësuar në gazetën e përditshme KOHA dhe kryesisht merret me trajtimin e temave të arsimit dhe temat sociale. Ai është edhe aktivist i shoqërisë civile.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia