pink-minimalist-gynecologist-logo---2023-12-18t160052.109.png

Gjykohet se me kërcënim mundësoi të përdhunohet vazhdimisht një e mitur, Gjykata e liroi nga paraburgimi

PASOJA

December 18th, 2023

Një 26 vjeçar nga Velesi është liruar nga paraburgimi, ai akuzohet për kryerje të veprës penale tregti me fëmijë. Më herët, prokuroria kishte vërtetuar se ky person duke e shantazhuar dhe kërcënuar një 15 vjeçare me materiale pornografike, kishte mundësuar që ajo në mënyrë të vazhdueshme të përdhunohet nga persona tjerë, si dhe të incizohet. Përkundër kësaj, gjykatës së apelit i mjaftuan 70 mijë euro garanci që atë ta lirojnë nga paraburgimi.

Avokatja e viktimës alarmoi se vajza ndjehet e pasigurtë, ndërsa nuk sheh arsyetim të logjikshëm në vendimin e Gjykatës së Apelit. Që të lirohet nga paraburgimi, apeli fillimisht solli aktvendim në të cilin thotë se personi nga Velesi nuk mund të ndikojë te dëshmitarët. Tani, me garancion po ‘sigurohen’ se ai nuk do të ikë.

“Në lidhje me pyetjet e drejtuara në lidhje me lëndën, sqarojmë se në rastin konkret baza e masës paraburgim është vetëm për ekzistimin e mundësisë të ikjes sipas nenit 165, paragrafi 1, pika 1 e Ligjit për Procedurë Penale, dhe jo për shkak të ndikimit tek dëshmitarët apo përsëritjes së veprës. Ndryshe, të akuzuarit i është shqiptuar masa e paraburgimit nga data 26.01.2023. Masa e garancisë është një nga masat për sigurimin e pranisë së të akuzuarit. Në këtë fazë në fjalët përfundimtare, këshilli vendosi se garancioni i ofruar është për nga baza dhe shuma, i mjaftueshme për të siguruar paraqitjen në gjykatë të të akuzuarit”, u përgjigjen nga Gjykata e Apelit.

Lirimi i tij ka sjellë frikë të shtuar tek vajza e mitur, thotë avokatja e saj Natasha Boshkova. Ajo thotë se praktikë të heqjes së paraburgimit për persona që dyshohen për kryerje të kësaj vepre – nuk ka pasur. Shtoi se nuk sheh arsyetim të logjikshëm për këtë vendim.

“Përvoja ime e mëhershme me kështu raste ku ka pasur akuzë për kështu vepre penale, nuk ka praktikë për heqjen e paraburgimit gjatë procedurës. Nëse gjykata e shkallës së parë ka vendosur se ai mund të ndikojë te dëshmitarët, mendoj që kjo ende është e mundur, kështu që, nuk shoh arsyetim në atë se ai në këtë fazë të procedurës, nuk mund të ndikojë te dëshmitarët. Nuk e kam parë vendimin dhe në bazë të cilave rrethana është liruar personi, vetëm e di se paraburgimi i është hequr. Konsideroj që në këtë fazë të procedurës, në të cilën jemi, nuk mund të ketë pikë kthyese të gjykatës së shkallës së dytë dhe të thotë se nuk mund të ketë ndikim tek dëshmitarët, nëse paraprakisht, kjo ka qenë edhe baza e shqiptimit të masës së paraburgimit” tha Boshkova për Skopje1.

Vajza, e cila sipas Prokurorisë ka qenë e shfrytëzuar seksualisht, ndërsa personi tashmë që e gëzon lirinë, e ka shantazhuar dhe kërcënuar me materiale pornografike – nuk është e vendosur në të ashtuquajturat, shtëpi të sigurta. Ajo është në shtëpi, ndërsa avokatja shtoi se lirimi nga paraburgimi e të akuzuarit të parë do të ndikojë në sigurinë e saj.

“Në lidhje me viktimën, ajo gjatë gjithë kësaj kohe është ndjerë e pasigurtë. Thjeshtë ka pritur rezultatet e procedurës. Kështu që, lirimi nga paraburgimi e këtij të akuzuari, besoj që negativisht do të ndikojë në sigurinë e saj dhe shëndetin. Ajo tashmë nuk është e sigurt, më herët ishte. Jeton në shtëpinë e saj” shtoi për Skopje1 ajo.

Lënda është në fazë të gjykimit, ka pasur edhe pranime të fajit. Kështu, një person tjetër nga Velesi i moshës 27 vjeçe, për përdhunim të vajzës, në këtë lëndë, ishte dënuar me dy vite burg. Të akuzuar janë 14 persona nga Velesi.

Në janar të këtij viti prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit e kishte publikuar rastin. Në kumtesë thuhej se i akuzuari i parë, 25 vjeçari nga Velesi, nga fundi i dhjetorit të vitit 2021 dhe përgjatë vitit 2022, duke e kërcënuar të miturën – viktimën, ka mundësuar të akuzuarve tjerë që të kryejnë akte seksuale me viktimën e tregtisë me njerëz – përkatësisht përdhunim, shfrytëzim seksual dhe pornografi.

“Ai, në dhjetor të vitit 2021 përmes aplikacionit ‘Instagram’ ka filluar komunikimin me 14 vjeçaren – viktimë të tregtisë me njerëz dhe pas disa javësh komunikim përmes aplikacionit, pasi e fitoi besimin e viktimës, e kishte mashtruar se do të fillonin një lidhje dashurie bashkë. Në takimin e parë i kishte realizuar materialet pornografie të cilat i kishte shfrytëzuar për kërcënim të viktimës, që ta detyrojë të shkonte edhe në takime tjera, duke e kërcënuar se nëse nuk do të shkonte, këto materiale pornografike do t’i shpërndante në rrjetet-sociale, me çka do ta dëmtonte imazhin e saj” shkruan në akuzën fillestare, të cilën e siguroi Mollëkuqja.

Sipas prokurorisë, siç mëson Mollëkuqja, këto organizime kanë ndodhur në disa shtëpi të ndryshme me qera në Veles. Në të njëjtat kanë marrë pjesë më shumë persona të cilët kanë konsumuar alkool dhe drogë, më pas në atë gjendje kanë kryer akte me vajzën e mitur.

Në këtë lëndë akuzohen 15 persona, dy nga Tetova të cilët kishin marrë dënime me kusht. Tani nga 13 persona të cilët u ulën në bankën e të akuzuarve, një prej tyre e pranoi fajin dhe u dënua me 2 vite burg. Një pjesë e të akuzuarve ju kërcënohet minimumin 3 vite burg, ndërsa pjesës tjetër nga minimum 8 vite burg.

Ardit Ramadani

Ardit Ramadani

Ardit Ramadani është magjistër i Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë. Ai është autor dhe redaktor i disa hulumtimeve. Më herët, ka punuar si verifikues i fakteve në Vërtetmatës.mk dhe Crithink.mk, si gazetar në ‘Portalb.mk’ dhe në Televizionin Kombëtar ‘Alsat M’. Aktualisht, Arditi është kryeredaktor përgjegjës në portalin ‘Mollekuqja.mk’ dhe udhëheqës i hulumtimit në Forumin për Ndryshime në Arsim. Arditi është bashkë-themelues në të dy këto organizata.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia