pink-minimalist-gynecologist-logo---2024-02-27t153114.428.png

Rënia e flokëve ndikon në shëndetin mendor të burrave, Grubi: E përjetova shumë keq

N'THELB

February 27th, 2024

“Rënien e flokëve e përjetova keq, ndoshta sepse për një periudhë të gjatë të jetës sime, flokët ishin një pjesë e madhe e identitetit tim”, kështu rrëfeu Fatos Grubi i cili ka kaluar në procesin e rënies së flokëve në një moshë të re.

Ky fenomen ndikon shumë në shëndetin mendor dhe vetbesimin e burrave. Ka studime që tregojnë se humbja e flokëve në moshë të re mund t’i çojë djemtë në depresion ose probleme tjera të shëndetit mendor.

Për ‘Mollëkuqja’, Fatos Grubi rrëfen sfidat: Të flitet më shumë për këtë temë

Ishte në përfundim të studimeve në universitet kur pa një foto të tijën nga një kënd ku vërehej qartë rënia e flokëve. Ky ishte momenti kur Fatosi e kuptoi se po humbiste flokët. Ai thotë se kjo si proces kishte filluar ndoshta edhe më herët por që nuk e kishte kuptuar.

Ai shtoi se ka provuar metoda të ndryshme, si shampo të tillë që përmbajnë kofein, hudhër apo ata që reklamohen për përdorim të kuajve. “Isha i gatshëm të provoj çdo gjë”, theksoi Fatosi, por asnjëra nga këto nuk pati efekt të dukshëm.

untitled-design-(8)-1708875321.png

Humbja e flokëve pati ndikim negativ në shëndetin e tij mendor, ku atij ju shfaq edhe një rast i lehtë i dismorfisë trupore.

“U shmangesha fotografive, prisja flokët shumë shkurtë që të mos binte në sy maja e kokës ku rënia e flokëve ishte më e madhe, ndërsa vetëbesimi më zbriste dita ditës”, thotë Fatosi.

Megjithatë ky problem filloi të gjejë zgjidhjet e para në vitin 2022 kur ai vendosi të hulumtojë më tepër për këtë problematikë dhe të shohë për zgjidhjet e mundshme.

“Mësova që shkaktari kryesor është hormoni dihidrotestosteron (DHT), i pranishëm në përqindje më të madhe tek meshkujt. Me këtë njohuri, fillova të hulumtoj mënyra se si të ul nivelin e këtij hormoni në organizëm, dhe nëse kjo do të rezultonte në rikthimin e flokëve të humbur”, tha Fatosi.

Pas konsultimit me burime të ndryshme online, ai nisi terapinë për rritjen e flokëve në mënyrë shkencore: uljen e nivelit të hormonit DHT në organizëm dhe përforcimin e qarkullimit të gjakut në lëkurën e kokës.

“Dy vite më vonë, shoh rezultat të mrekullueshëm dhe të dukshëm, e sa i përket vetëbesimit, më është rikthyer tërësisht, bashkë me dijen që për këto gjëra meshkujt duhet të flasin më tepër, sepse ndikojnë shumë mbi shëndetin tonë mendor dhe mbi mënyrën se si e shohim veten, e rrjedhimisht edhe si ndërveprojmë me të tjerët”, përfundoi Fatosi.

Pasiguri, ankth, depresion dhe vetëbesim i ulët: Burrave që ju bien flokët në luftë edhe me shëndetin mendor

Sipas specialistëve të shëndetit mendor, rënia e flokëve mund të ketë ndikim të rëndësishëm psikologjik te burrat, si në formën e stresit, ankthit, depresionit ose humbjes së besimit, vetëbesimit të ulët apo ankthit social.

Psikologia Sabrije Tefiki për Mollëkuqja thekson se individët që përjetojnë rënie të flokëve mund të përballen me ndjenjat e pasigurisë dhe ulje të vetëbesimit.

untitled-design-(5)-1708875375.png

“Ky ndryshim në pamje fizike, ndikon në aspekte të ndryshme të jetës së përditshme, të ndërveprimeve sociale, marrëdhënieve ndërpersonale dhe barra bie edhe mbi standardet konvencionale shoqërore të bukurisë që mund ndjenja si ankthi, stresi madje edhe depresioni nga një ndryshim i tillë (rënia e flokëve) të thellojnë këto pasoja”, tha Tefiki.

Duke qenë se të qenurit pa flokë apo tullac ka perceptime negative në shoqëri, kjo thellon ende më shumë problemin me vetëbesimin e burrave të prekur nga ky problem. Pasiguria mund të jetë e dëmshme pasi studimet kanë treguar se humbja e flokëve mund të çojë në një ndjenjë të "të qenit të shëmtuar", duke çuar në ankth të madh për pamjen e tyre.

Psikologia Tefiki ndër të tjera theksoi se sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit nga 58 pjesëmarrës, 88% kanë raportuar se rënia e flokëve kishte një efekt negativ në jetën e tyre të përditshme, 75% raportuan se kishte efekt negativ në vetëvlerësim, dhe 50% probleme sociale për shkak të rënies së flokëve.

Ata që kalojnë faza të ndryshme të rënies së flokëve janë shpesh në ankth dhe shfaqin shenja depresioni, kryesisht për shkak të mungesës së zgjidhjeve praktike për rënien e flokëve të tyre. Kjo çon në më shumë pasiguri dhe vetëbesim të ulët.

Ndërsa studime të tjera tregojnë se humbja e flokëve rezulton në cilësi më të ulët të jetës, veçanërisht në lidhje me vetë-imazhin dhe marrëdhëniet ndërpersonale. Tefiki thekson se në raste të tilla sugjerohen mjedise mbështetëse, dialog i hapur dhe qasje në burime që nxisin shëndetin pozitiv mendor.

Humbja e flokëve te burrat, problem i përhapur në mbarë botën

Të dhënat në rang botëror tregojnë se humbja e flokëve është një problem i përhapur te burrat, studimet për këtë problematikë të zakonshme tregojnë se kjo ndikon ndjeshëm në vetëbesimin e tyre.

Humbja, rënia apo rrallimi i flokëve te burrat dhe djemtë si proces mund të fillojë edhe në moshë të hershme te disa, duke filluar që para moshës 21 vjeçare, ndërsa me kalimin e viteve gjasat janë më të larta që një burrë të preket nga kjo problematikë.

Pse ndodh rënia e flokëve te burrat dhe çka e shkakton?

Rënia e flokëve te shumica dërrmuese e burrave ndodh për shkak të gjendjes trashëgimore e cila njihet si alopecia androgjenetike, apo e njohur më shpesh edhe si "male pattern baldness".

Sipas Shoqatës Amerikane të Humbjes së Flokëve, 95 përqind e rënies së flokëve te burrat shkaktohet nga alopecia androgjenetike.

Megjithatë, edhe pse "male pattern baldness" është shkaku kryesor i rënies së flokëve, nuk është i vetmi kusht që mund të shkaktojë rënien e flokëve. Janë tre faktorë tjerë të cilët mund të çojnë në humbjen e flokëve.

  1. Alopecia areata – si gjendje e bën që sistemi imunitar i trupit të sulmojë gabimisht folikulat e flokëve të shëndetshëm, gjë që çon në humbjen e flokëve.

  2. Telogjen effluvium – rënia e tepërt e flokëve ndonjëherë mund të ndodhë rreth 2 deri në 3 muaj pas një lloj goditjeje në sistem ose ngjarje stresuese.

  3. Mangësitë ushqyese – nivelet optimale të hekurit dhe lëndëve të tjera ushqyese janë thelbësore për një shëndet të mirë të përgjithshëm, si dhe për rritjen e shëndetshme të flokëve, mangësitë të lëndëve ushqyese mund të çojnë në humbje të më shumë flokëve se normalisht.

Cilat janë trajtimet më efektive?

Trajtimet e rënies së flokëve, variojnë nga produktet në lëkurën e kokës deri te trajtimet më invazive që synojnë rikthimin e rritjes së flokëve ose zëvendësimin e flokëve të humbur.

Ekzistojnë barna të miratuara për trajtimin e rënies së flokëve te burrat. Dy medikamentet e provuara se trajtojnë ose parandalojnë rënien e mëtejshme të flokëve te burrat janë finasteride (Propecia, Proscar) dhe minoxidil (Rogaine, Ioniten). Trajtimi me laser është një tjetër zgjidhje, ndërsa zgjidhje tjetër është edhe kirurgjia e transplantimit të flokëve.

A mund të parandalohet rënia e flokëve te burrat?

Studimet tregojnë se parandalimi i humbjes së mëtejshme të flokëve nga shenjat e para të rrallimit është i mundur. Finasteride dhe Rogaine janë dy trajtime të njohura që mund të parandalojnë humbjen e mëtejshme të flokëve me alopecinë androgjenetike.

Ndryshe, në rast të shqetësimeve për rënien e flokëve rekomandohet që fillimisht të konsultohen mjekët apo dematrologët për zgjidhjen e opsioneve të trajtimit më të përshtatshëm.

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia