pink-minimalist-gynecologist-logo---2024-08-29t130941.137.png

Presidenti i Bullgarisë nënshkruan ligjin që ndalon “promovimin” LGBTIQ+ nëpër shkolla

N'THELB

August 29th, 2024

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, pavarësisht thirrjeve për të përdorur veton dhe paralajmërimeve për protesta, ka nënshkruar amandamentimin e ligjit të miratuar së fundmi, i cili ndalon “promovimin” e LGBTIQ+ nëpër shkolla.

Ligji, i cili ndalon “propagandën, promovimin ose nxitjen e ideve dhe pikëpamjeve që lidhen me orientimin seksual jotradicional dhe/ose identitetin gjinor të ndryshëm nga ai biologjik në sistemin arsimor”, është botuar 16 gusht në Gazetën Zyrtare të Bullgarisë, shkruan Radio Free Europe.

Qindra akademikë nga Bullgaria përmes një letre të hapur i kanë kërkuar presidentit Radev që të përdor veton e tij ndaj amendamentit dhe ndër të tjerash thanë se këto ndryshime synojnë të trajtojnë një problem që nuk ekziston në sistemin arsimor të Bullgarisë por në fakt ato thjesht do të normalizojnë sulmet politike ndaj komunitetit LGBTIQ+.

Komisioneri i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, Michael O’Flaherty, në një reagim teksa kishte shprehur shqetësimin e tij lidhur me këtë ligj, poashtu i pati kërkuar presidentit të mos e nënshkruante këtë ligj.

Radev nuk i komentoi këto thirrje, por zyrtarët për komunikim me media thanë se qëndrimi i tij është bërë i ditur me nënshkrimin e ligjit.

Qindra njerëz protestuan në Sofje dhe duke brohoritur “Fashizmi vret, pushteti mbulon” kanë kërkuar dorëheqjen e presidentit dhe shfuqizimin e ligjit. “Jemi këtu sepse nuk do të tolerojmë që të biem në vrimën e zezë të fashizmit”, njëri nga protestuesit iu drejtua turmës para presidencës.

Në të njejtën kohë, një kundërprotestë e partisë pro-ruse Vazrazhdane u zhvillua në një vend tjetër të kryeqytetit. Të dy protestuat u zhvilluan në prani të shtuar të policisë.

Ligjvënësit kanë votuar edhe një amendament tjetër të ligjit për arsimin, i cili përcakton “orientimin seksual jotradicional” si “të ndryshëm nga nocionet e pranuara dhe të vendosura përgjithësisht…të tërheqjes midis personave të gjinive të kundërta”.

Mbështetësit e amendamenteve argumentojnë se ato pasqyrojnë frymën e kushtetutës së Bullgarisë, e cila bazohet në vlerat e krishtera ortodokse.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia