pink-minimalist-gynecologist-logo-(23).png

„Besarica", gratë në rajonet shqipfolëse e humbin identitetin pas martesës, pse dhe si ndodh kjo?

PASOJA

October 16th, 2023

Shumë gra humbin totalisht identitetin e tyre pas martesës, përveç ndërrimit të mbiemrit, ata nuk thirren as në emrin e tyre. Për shembull, në disa rajone shqipfolëse, por kryesisht në rajonin e Pollogut, nëse burri quhet Besar, bashkëshortja e tij automatikisht do të thirret “Besarica”, gjë që lë të nënkuptojë se ajo nuk është subjekt në vete, por dikush që i përket totalisht bashkëshortit të saj, pra, është pronë e tij. Nëse burri quhet Nehat, bashkëshortja “Nehatica”, Ibrahim, bashkëshortja “Ibrahimica”.

Rrënjët e kësaj tradite gjenden tek patriarkati. Ndonëse si fenomen është reduktuar nëpër gjenerata, ajo është ende e pranishme, sidomos në moshat më të vjetra. Aktivistët me të cilët bisedoi Mollëkuqja u shprehën shumë kritik në lidhje me këtë.

288209738_5073299612787592_9073859329701033101_n.jpeg

Aktivistja dhe gazetarja Dijana Toska thotë se kjo është vetëm një prej mënyrave që çon në humbjen totale të identitetit të gruas. Sipas saj, që në ditën e martesës kur babai i vajzës ia zgjatë dorën babait të djalit e jep pëqlimin me fjalët tradicionale “robi yt e gjaku im”.

“Andaj, që në ditën e parë të jetës së saj si grua e dikujt, vajza shqiptare zhvishet nga personaliteti i saj, emri e mbiemri i saj duke u robëruar si qenie njerëzore pa guxuar që të kërkojë të drejtat e saja elementare për një jetë të dinjitetshme.”

dr.jpeg

Sociologia Drita Memeti konsideron se në rastet kur vajzës i ndërrohet emri, vendoset në pikëpyetje i tërë identiteti i saj. Sipas saj, identeti përcaktohet me atë se kush je, çfarë të bën unike, kush janë vlerat e tua dhe se rrjedhimisht, shtimi i prapashtesës “ica” në emrin e bashkëshrtit e bën gruan që si e tillë të njihet në gjithë rrethin shoqëror, gjë që sipas saj është diskriminuese.

“Mbështetur në traditën shqiptare vajzës (tanimë nuses) nuk i është drejtuar askush me emrin e saj por në emër të bashkëshortit. Në të kaluarën janë të njohura edhe situatat kur edhe nëse dy motra janë martuar në të njëjtën familje, te shtëpia e bashkëshortit njëra tjetrës kanë qenë të obliguara që mos i drejtohen në emër por t'i drejtohen nëpërmjet emrit të bashkëshortit.”

Megjithatë, folëset tona theksojnë se në ditët e sotme ky fenomen është zvogëluar.

“Nuk dua të besoj se te gjeneratat e reja kjo traditë mund të përcillet ose të përkrahet. Ka ndryshime pozitive si trajtohej gruaja shqiptare në të kaluarën dhe si trajtohet sot në familje e shoqëri, ka ndryshuar sistemi dhe mentaliteti patriarkal, robëreshat çdo ditë e më shumë po shndërrohen në luanesha dhe ky revolucion i bënë nderë jo vetëm gruas por gjithë kombit. Arsimimi, punësimi, pavarësia materiale gruas shqiptare i kanë dhënë fuqinë për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e saja elementare”, tha Dijana Toska.

“E rëndësishme është që ka progres, gjeneratat e reja kanë bërë hapa të rëndësishme drejt ndryshimit të kësaj situate duke filluar kështu nga mënyra se si bashkëshorti i drejtohet bashkëshortes së tij për të vazhduar më pastaj te rrethi familjar të cilët marrin për bazë mënyrën se si bashkëshorti trajton bashkëshorten dhe në këto rrethana nuk llogaritet e ndaluar ose e turpshme që nuses ti drejtohen me emrin e saj dhe jo me prapashtesa”, tha Drita Memeti.

Përskaj këtij fenomeni, diskutim i hapur është edhe ndryshimi i mbiemrit të grave pas martesës. Në Maqedoninë e Veriut, më së shpeshti gruaja e merr mbiemrin e burrit ose mbiemrit të vet ia shton mbiemrin e burrit.

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia