iStock-1138355421.jpg

Vaksinat kundër virusit Kovid 19 nuk kanë ndikim negativ në fertilitetin e burrave dhe grave

PASOJA

September 5th, 2021

“Imune” ndaj lajmeve të rreme dhe teorive konspirative në lidhje me vaksinat kundër Kovid-19 nuk kanë qenë as gratë të cilat në të ardhmen planifikojnë të lindin fëmijë. Për të hequr çdo dyshim në lidhje me ndikimin e vaksinave në shëndetin reproduktiv, “Mollëkuqja” bisedoi me gjinekologen Gordana Kiproska e cila në mes të tjerash, grave dhe burrave të cilët planifikojnë të krijojnë familje në të ardhmen ju dha një mesazh: Vaksinohuni, shkruan Mollëkuqja.mk.

“Vaksinat të lënë steril”, “Vaksinat janë krijuar për të ulur numrin e popullatës duke sterilizuar njerëzit”, “Grave gjidhënëse vaksina ua dëmton shëndetin seriozisht”, këta janë vetëm disa nga tezat të cilat qarkullojnë në rrjetet sociale dhe kanë shqetësuar gratë të cilat në të ardhmen planifikojnë të lindin.

Vaksinat kundër virusit Kovid 19 nuk kanë ndikim negativ në fertilitetin e burrave dhe grave

Për këtë, intervista e javës e “Mollëkuqja” është realizuar me gjinekologen e “One Hospital”, Gordana Kiproska. E njëjta i përgjigjet çdo shqetësimi tuajit i cili ka ardhur si pasojë e dezinformatave në lidhje me përmbajtjen e vaksinave kundër Kovid-19.

Së pari, Kiproska e filloi intervistën duke ju rekomanduar të gjithë personave, pa marrë parasysh në qoftë se planifikojnë të krijojnë familje në të ardhmen apo jo, të vaksinohen, sepse ajo konsideron që kjo është gjëja më e sigurt që mund të bëjnë në këto rrethana.

“Në përputhje me rekomandimet e Organizatës Britanike për Mjekësi Reproduktive rekomandohet që personat në periudhën reproduktive të vaksinohen, pa marrë parasysh se a planifikojnë të kenë fëmijë tani apo dikur në të ardhmen gjatë jetës së tyre” tha gjinekologia Kiproska, duke cituar një studim të OBMR-së britanike.

Kiproska për “Mollëkuqja” mohoi çdo mundësi që vaksinat kundër virusit korona të kenë ndikim negativ në fertilitetin e burrave dhe grave, duke rrëzuar kështu çdo konspiracion të publikuar nga persona jo kompetent.

“Nuk ekziston absolutisht asnjë dëshmi apo vërtetim dhe as mundësi teorike që vaksinat të kenë ndikim negativ në fertilitetin e burrave dhe grave”

Gordana Kiproska

Veprimet e përditshme të shumicës mund të krijojnë probleme serioze në shëndetin reproduktiv të grave, se cilat janë këto veprime dhe si mund t’i shmangim ato, na tregon gjinekologia Gordana Kiproska e cila në mes të tjerash për të gjithë lexuesit e “Mollëkuqja” dha disa këshilla praktike.

“Për përmirësimin e shëndetin reproduktiv rekomandohet ushqim i shëndetshëm dhe i balancuar, me fjalë tjera, të ushqyerit me ushqime të pasura me vitamina, minerale dhe mikroelemente, proteina si dhe sasi specifike të karbohidrateve dhe yndyrave. Gjithsesi që është i rëndësishëm marrja e moderuar e ushqimit, pa sheqer dhe me pak yndyrë. Rekomandohet marrja optimale e të gjithë përbërësve të cilat mundësojnë balans normal hormonal. Gjithashtu rekomandohet edhe stërvitja e moderuar, si dhe shmangja e situatave stresuese në jetë. Gjithsesi edhe mbrojtje nga Kovid-19, virus ky i cili mund të ketë disa efekte negative në gratë shtatzëna dhe fetusin” shtoi Gordana Kiproska, gjinekologe.

Edhe nga Ministria e Shëndetësisë e RMV-së na konfirmuan se nuk ka pasur ndonjë kufizim në lidhje me vaksinimin e nënave gjidhënëse, autoritetet shëndetësore rekomandojnë vaksinimin e të gjithëve pa përjashtim.

“Vaksinat që kemi në dispozicion janë të sigurta për qytetarët si dhe për nënat gjidhënëse”

Ministria e Shëndetësisë

Ndërkaq, edhe nga Qendra për Parandalim të Sëmundjeve (CDC) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rekomandojnë vaksinimin e nënave gjidhënëse si dhe atyre shtatzëna, “Vaksinimi është i sigurt për të gjithë personat e moshës mbi 12 vjeçe, duke përfshirë gratë shtatzëna, nënat gjidhënëse, personat që tentojnë të ngelen shtatzëna tani, apo planifikojnë në të ardhmen” shkruan në ueb faqen e CDC-së.

 

Ardit Ramadani

Ardit Ramadani

Ardit Ramadani është magjistër i Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë. Ai është autor dhe redaktor i disa hulumtimeve. Më herët, ka punuar si verifikues i fakteve në Vërtetmatës.mk dhe Crithink.mk, si gazetar në ‘Portalb.mk’ dhe në Televizionin Kombëtar ‘Alsat M’. Aktualisht, Arditi është kryeredaktor përgjegjës në portalin ‘Mollekuqja.mk’ dhe udhëheqës i hulumtimit në Forumin për Ndryshime në Arsim. Arditi është bashkë-themelues në të dy këto organizata.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia