May 15th, 2024
Këtë ditë ndërkombëtare të familjes, përmes shkrimit tim ua kushtoj grave të cilat kanë vendosur të kapërcejnë barrierat jetësore, të përballen me stigmat shoqërore - nënave vetëushqyese sipas zgjedhjes. Gjithashtu, Dita Ndërkombëtare e Familjes jo rastësisht është shumë afër Ditës së Nënës, sepse gruaja është ajo pa të cilën nuk mund të funksionojë familja, gruaja vazhdon ta ruajë primatin e themelimit të familjes, pa ndihmën e së cilës ngjizja mund të bëhet mirëpo mbartja e shtatzënisë dhe lindja e fëmijës ende mbetet në eksluzivitetin e saj.
Zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë si dhe kujdesi më kualitativ mbi shëndetin kanë zgjeruar kufijtë biologjik të moshës reproduktive të grave, gjë që u mundësoi atyre të realizojnë arritjet e tyre profesionale, dhe njëherit ndikuan në zvogëlimin e presionit social se natyra e saj biologjike është që të bëhet nënë vetëm përmes martesës ose bashkësisë jashtëmartesore.
Përgjatë tranzicionit të politikave të natalitetit, reproduktimi dhe roli i nënës në jetën e gruas kanë sjellur mosmarrëveshje në lidhje me liritë dhe të drejtat reproduktive si dhe interpretimin e tyre: të drejtat negative – kontrolli i lindjes dhe aborti, apo të drejtat pozitive të reproduktimit – lindja e fëmijës. Për një kohë të gjatë, fokusi i lëvizjeve feministe ishte tek të drejtat negative reproduktive. Me evolucionin e teknologjive reproduktive, e drejta e një gruaje beqare për të lindur përmes fekondimit të asistuar biomjekësor u vendos në qendër të vëmendjes, madje edhe në shoqërinë tonë me sjelljen e Ligjit për Fekondim të Asistuar Biomjekësor (2008). Po ky evolucion ua ka lehtësuar grave realizimin e amësisë duke iu shmangur krizave jetësore në drejtim të gjetjes së një partneri ideal ose pa shmangies së formaliteteve që shpiejnë drejt martesës civile. Andaj, rruga që gratë ndjekin drejt amësisë vetanake, realizohet përmes: adoptimit, fekondimit nga një donator i njohur, fekondimit nga një donator anonim, e gjitha kjo pa pasur nevojën e lidhjeve paraprake intime. Familjet monoprindërore nga nënat vetushqyese por pa zgjedhjen apo vullnetin e tyre i kemi edhe në situatat e vdekjes së bashkëshortit/partnerit jashtëmartesor, anulimit ose shkurorëzimit të martesës, si dhe në situatat e mosndërprerjes së shtatëznisë së paplanifikuar. Nga ana tjetër, të qenit beqar nuk duhet të ngatërrohet me aseksualitetin. Përkundrazi, beqaria mund të konsiderohet një fazë kalimtare (për ata që kërkojnë një partner, por nuk e kanë gjetur ende), ose një zgjedhje e përhershme (për ata që preferojnë të jetojnë vetëm, në vend që të jetojnë në bashkësi martesore/jashtëmartesore). Gjithashtu kjo gjendje jo domosdoshmërisht duhet të lidhet me modelet jetësore të grave të të njëjtës gjini si mundësi e vetme për të themeluar familje, sulme këto me të cilat po përballen në vazhdimësi nënat e vetme që kanë lindur fëmijë përmes fekondimit alogjenik. E drejta e reproduktimit, në kohën e një diversiteti të metodave për të ngjizur fëmijë, lirisht mund të kategorizohet si e drejtë individuale sepse është një zgjedhje e lirë për të vendosur se cilën rrugë do të zgjidhni për tu bërë prind.
Gjithashtu, është me rëndësi të theksohet se kjo e drejtë është ngritur edhe nivel ndërkombëtar si e drejtë themelore e njeriut. Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (1981), garanton të drejtën e gruas që ajo lirisht të vendos për të drejtat e saja reproduktive. Kjo e drejtë është promovim edhe i filozofisë feministe, sipas së cilës gruaja ka të drejtë që të vendos për reproduktimin ose mosreproduktimin e saj, përfshirë këtu lirinë absolute që të mbart një shtatzëni, të ndërpres ose të inicioj një shtatzëni me material gjenetik të donuar.
Në shumë raste, gratë beqare marrin vullnetarisht vendimin për të pasur fëmijë pa bashkëjetuar me ndonjë partner. Ky nivel i vendimmarrjes i bën këto gra ti qasen jetës monoprindërore sipas vullnetit të tyre të lirë dhe të drejtës për zgjedhje së mënyrës së reproduktimit. Pra, kjo kategori e grave janë gra të cilat dëshirojnë të realizohen si nëna mirëpo nuk dëshirojnë të themelojnë martesë/bashkëjetesë. Janë gra të dëshmuara në karrierën e tyre, të emancipuara dhe me një gjendje materiale stabile. Gjithashtu, në aspektin e filozofisë jetësore dhe familjare, janë gra mendjehapura, të cilat pranojnë të gjitha format e familjes bashkëkohore dhe janë të përgaditura të përballen me të gjitha sfidat jetësore të amësisë të cilat do të pasojnë, përfshirë këtu edhe rritjen e fëmijës si nënë e vetme në një formë jokonvencionale familjare. Në kategorinë e nënave të vetme, llogariten edhe gratë të cilat pas realizimit të disa ambicjeve personale dhe profesionale, nuk arrijnë dot të gjejnë partner që do të ju përgjigjet pritshmërive të saja, ndërkaq dëshirojnë të realizohen edhe si nëna, me shpresë se në një të ardhme të afërt do të gjejnë një partner i cili do të pranonte fëmijën e saj si të vetin, por jo domosdoshmërisht. Megjithatë, për shkak se stigma sociale e të qenit nënë e pamartuar ka nis të zbehet, e kjo mu për shkak të përmirësimit të pozitës së gruas në shoqëri, shumë gra vendosin të zgjedhin këtë mënyrë për të krijuar pasardhësit e tyre gjenetik në një moshë të re, madje nuk janë të pakta rastet kur këtë e bëjnë edhe në moshë më të pjekur (diku pas të dyzetave). Dua të theksoj se kjo metodë është shumë aktuale në RMV, madje edhe në vendet e rajonit.
Aspekti tjetër i amësisë vetushqyese sipas zgjedhjes por me donator të njohur, është rasti i fekondimit post’human, pra ngjizja e fëmijës me materialin gjenetik të ngrirë të bashkëshortit martesor ose jashtëmartesor. Poashtu, edhe ky model familjar tërheq shumë debate morale dhe etike, veçnërisht duke i etiketuar këto gra si egoiste dhe individualiste. Përkundrazi, janë këto gratë të cilët vendosin të realizojnë vendimin e përbashkët me bashkëshortin e saj tanimë të ndjerë duke ia plotësuar dëshirën e zgjerimit të familjes pas vdekjes. Janë këto gra stoike të cilat janë të përgaditura të përballet me të gjitha vështirësitë të cilat mund të paraqiten si në aspektin e mentalitetit social poashtu edhe në aspektin e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore si një nënë e vetme. Gruaja që ka vendosur të ndërmarrë një hap të tillë, me të vetmin motiv dhe qëllim për të sjellë në jetë fëmijën gjenetik të burrit të ndjerë, është një grua shumë e fuqishme, e pavarur, e gatshme për t'u sfiduar me të gjitha përbuzjet dhe etiketimet shoqërore, e përgatitur emocionalisht të krijojë një familje si dhe e gatshme për t'i dhënë fëmijës përgjigje të arsyeshme për mënyrën se si ai/ajo ka ardhur në jetë.
Për në fund, dua të potencoj se alternativat familjare përfshirë këtu familjet monoprindërore sipas zgjedhjes, gjithsesi janë kontribut i rolit të gruas duke dëshmuar se ajo e vetme, e shkurorëzuar, dhe pa ndihmën e bashkëshortit mund të përgadis dhe të edukojë fëmijët e saj në personalitete të fuqishme.
Arta Mero është profesoreshë inordinare në lëminë familjare dhe trashëgimore. Në Fakultetin juridik të Universitetit të Evropës Juglindore është që nga viti 2005 fillimisht si asistente në Qendrën për hulumtime shkencore të Fakultetit juridik, më pastaj si këshilltare studentore dhe nga viti 2017 është e angazhuar në mësimdhënie. Arta Mero nga viti 2018 deri vitin 2022 ka qenë prodekane në Fakultetin juridik. Aktualisht është koordinatore e Klinikës juridike dhe është direkt e kyçur në dhënien e ndihmës juridike falas për grupet e margjinalizuara të shoqërisë veçanërisht të grave dhe fëmijëve viktima të dhunës në familje.
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia