January 25th, 2022
Rrugëtimi i një gruaje në sferën politike në Maqedoninë e Veriut nuk është aspak e lehtë. Në politikë gruaja përfaqësohet denjësisht vetëm në sektorët ku barazia gjinore është rregulluar me ligj. Pra, nëse nuk ka kuota gjinore të përcaktuara paraprakisht barazia gjinore as që trajtohet si temë diskutimi ndërkohë thuajse çdo fjalim i politikaneve tanë rrotullohet rreth vlerave dhe ambicieve evropiane. Është paradoksale kur të gjithë e dimë se barazia gjinore është një ndër objektivat kryesore të Bashkimit Evropian. Parimi se burrat dhe gratë duhet të marrin pagë të barabartë për punë të barabartë është ngulitur në Traktatet Evropiane që nga viti 1957, konkretisht me Nenin 157 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFEU). Neni 153 TFEU i mundëson BE-së të veprojë në fushën më të gjerë të mundësive të barabarta dhe trajtimit të barabartë në çështjet e punësimit, dhe brenda kësaj kornize neni 157 TFEU autorizon veprime pozitive për të fuqizuar gratë. Për më tepër, neni 19 TFEU parashikon miratimin e legjislacionit për të luftuar të gjitha format e diskriminimit, përfshirë edhe ato në bazë të seksit.
Barazia gjinore në Maqedoninë e Veriut garantohet me Kushtetutë, si vijon:
Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë të barabartë në liri dhe të drejta, pa marrë parasysh gjininë, racën, ngjyrën e lëkurës, origjinën kombëtare dhe shoqërore dhe besimet fetare, pronën dhe statusin shoqëror.
Përveç kësaj, Republika e Maqedonisë së Veriut ka nënshkruar disa konventa dhe direktiva që trajtojnë aspekte të ndryshme të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut dhe të grave. Midis tyre është Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, e njohur më mirë si Konventa e Stambollit, të cilën Maqedonia e Veriut e ka nënshkruar më 8 korrik 2011, e ka ratifikuar më 23 mars 2018 dhe ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2018.
Që nga përbërja e Qeverisë së parë të Maqedonisë së Veriut, më 20 mars 1991, përfaqësimi dhe integrimi i grave në politikë ka ecur me hapa shumë të ngadalta. Përfaqësimi i gruas vazhdon të jetë në hendek edhe sot e kësaj dite. Edhe në përbërjen aktuale të Qeverisë në vendin tonë në postet më të rëndësishme dominojnë burrat. Nga gjithsej 16 ministri që ka vendi gratë udhëheqin vetëm 4 ministri. Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut përfaqësimi i gruas është më i kënaqshëm krahasuarat me fushat tjera të politike bërjes, nga 120 karrige në total 47 janë të përfaqësuara nga gratë. Arsyeja pse gratë kanë përfaqësim më të mirë në shtëpinë ligjvënëse të vendit tonë është shkaku se në këtë institucion kuotat gjinore rregullojnë përfaqësimin gjinor. Në bazë të kuotave gjinore në Kuvend gratë duhet të kenë të siguruara të paktën 40% të ulëseve. Gratë në vendin tonë kanë përfaqësim tejet të ulët në pushtetin lokal, nga gjithsej 81 komuna në Maqedoninë e Veriut vetëm dy prej tyre udhëhiqen nga gra. Gjatë zgjedhjeve lokale për kryetar komune garuan plot 299 kandidatë prej të cilëve vetëm 25 ishin gra. Në listat e kandidatëve për anëtarë të këshillave komunal, 55 për qind ishin meshkuj dhe 45 për qind femra.
Rajoni Jugperëndimor ende nuk është mjaftueshëm “i pjekur” për të pranuar rritje të angazhimit politik të grave. Pra, edhe pse janë të përfaqësuara në politikë, gratë kanë më pak gjasa të marrin poste drejtuese. Nëse shikoni menaxhmentin e ndërmarrjeve publike në Ohër – gjithsej gjashtë, vetëm dy drejtohen nga gra. Në Strugë ka katër ndërmarrje publike, por vetëm njëra prej tyre drejtohet nga një grua. Në rajonin e Strugës funksionojnë edhe katër institucione shëndetësore publike, por ato drejtohen vetëm nga burrat.
Një hap pozitiv në Strugë është emërimi i një gruaje si kryetare e Këshillit Komunal për herë të parë që nga pavarësia e vendit. Aktualisht pozicionin e kryetares së Këshillit Komunal në Strugë e mban Arbëresha Vlashi, një vajzë e cila ka mbaruar fakultetin ekonomik në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër dhe magjistraturën për shkencat politike pranë Institutit për hulumtime socio-juridike dhe politike në Shkup. Arbëresha Vlashi për një kohë shumë të gjatë ka qenë aktiviste në skenën e sektorit jo qeveritar ku të drejtat e njeriut dhe grupeve të margjinalizuara kanë qenë busull drejt formimit të saj moral dhe profesional.
Rruga që Arbëresha duhej të bënte për të arritur në postin e Kryetares së Këshillit të komunës në Strugë nuk ka qenë aspak e lehtë, madje edhe pas emërimit të saj në këtë pozicion vazhdojnë sfidat.
“Çdo sfidë në jetë ka peripecitë e saj, ndonjëherë duhet të ndiqni rregullat e definuara e ndonjëherë duhet të keni guximin dhe besim për të dëshmuar se keni një bagazh të cilin për momentin të tjerët nuk e disponojnë. Rruga e cila më dërgoi deri në këtë post ka të bëjë më shumë me formimin tim profesional, e cila lidhet drejtpërsëdrejti me agjendën e blertë, sepse mbi 13 vite punoj në Qendrën për zhvillim te rajonit planor Jugperëndimor e cila merret me zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të rajonit. Njohuritë mbi projektet me që kanë si bazë efikasitetin energjetik, infrastrukturor, krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, janë rruga drejt këtij pozicioni, sepse në fund të fundit obligimi im është të marrim vendime te drejta, të qëndrueshme dhe mbi të gjitha efikase dhe ekonomike për të gjithë qytetaret e qytetit të Strugës”, deklaroi Arbresha Vlashi.
Paragjykimet janë pjesë e pandashme në rrugëtimin që një grua ndjek, qoftë në politikë ose në ndonjë sferë tjetër profesionale.
“Paragjykimet dhe stereotipet kanë qenë të bazuara jo direkt në mua si personalitet por ata kanë qenë të bazuara mbi kontekstin kulturor që ka shoqëria jonë. Pritshmëria që masa e madhe kanë krijuar ndaj grave është se vlerat tradicionale formatojnë praktikat shoqërore, konkretisht, përgjegjësia për familjen u atribuohet vetëm grave ndërsa përgjegjësit për marrje të vendimeve ose krijimin e politikave u atribuohen burrave. Në mënyrë konstante vajzat dhe gratë kanë “frikë” të jenë pjesë e jetës politike në RMV. Ky ambient i krijuar bën që këta paragjykime dhe stereotipe të bëhen të dukshme dhe që ndikon direkt tek vendimi që vajzat dhe gratë të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe jetës politike”, u shpreh Arbresha Vlashi.
Pabarazia gjinore dhe nënvlerësimi i gruas në vendin tonë u dëshmua edhe në analizën e fundit nga “Reaktor” . Mesatarisht, gratë në vend bëjnë 72.5 për qind të punës së papaguar në shtëpi, ndërsa kontributet e burrave mezi tejkalojnë një të katërtën e ngarkesës totale të punës. Në baza ditore, gratë shpenzojnë 18 herë më shumë kohë duke larë enët, 12 herë më shumë kohë për pastrim, nëntë herë më shumë kohë për gatim dhe tre herë më shumë kohë për kujdesin ndaj fëmijëve, se sa burrat, thuhet në studimin e “Reaktor”.
Kjo analizë konfirmon ndarjen stereotipe gjinore dhe tregon se mesatarisht burrat shpenzojnë më shumë kohë në punë të paguar (punësim), ndërsa gratë shpenzojnë më shumë kohë në punë të papaguar, gjegjësisht të “ngarkuara” me përgjegjësitë shtëpiake.
Shefkije Alasani Dika ka kryer studimet në Universitetin e Evropës Juglindore në drejtimin "Komunikim Ndërkombëtar". Tre vite ka punuar si gazetare në sektorin e informimit online në Televizionin Alsat, kurse nga viti 2019 punon si gazetare e pavarur në projekte të ndryshme mediatike. Shefkija është edhe verifikuese e fakteve dhe recensente.
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia