December 12th, 2022
Nëse në ditët e sotme mediat, sidomos televizionet, janë të mbushura me gazetare dhe prezentuese gra, dy dekada më herët, pikërisht në kohën e luftës së 2001-shit në Maqedoni ato mund të numëroheshin në gishta. Dihet se gazetaria është profesion sfidues dhe stresues, por vështirësohet akoma më shumë kur t’i duhet të gjindesh në vijën e parë të frontit, të raportosh për një konflikt, ndërkaq mbi kokë të “fluturojnë” plumbat. Duhet guxim në këto rrethana të marësh mikrofonin e ti nisesh punës, e sidomos kur je grua. E them “sidomos” sepse edhe burra kishte pak si raportues lufte.
Sadije Aliti ishte një ndër të paktat gazetare në Tetovë, për të mos thënë e vetmja, që nuk ka hezituar për të qenë afër qytetarëve atëherë kur të gjithë ishin sy e vesh se çfarë po ndodh në vend. Le të kujtojmë se ajo dhe shumë gazetarë të tjerë kanë raportuar në kohë kur teknologjia nuk ishte e zhvilluar si tani. Incidenti, ngjarja, konflikti ndodhte sot, ndërkaq botohej të nesërmen në gazetë.
Kur je vetë pjesë e një procesi mbase nuk e sheh rëndësinë e gjinisë, ose të qenurit ndër gratë e para që merresh me një profesion delikat e të rrezikshëm siç është rapotimi nga lufta. Por nga distanca efekti është shumë më i madh sepse qoftë edhe pa dashur mund të kesh frymëzuar vajza të tjera të jenë të guximshme e sfiduese qoftë edhe në profesione të tjera.
Dhe situata e asaj periudhe nuk ishte e lehtë, as në raport me paragjykimet ndaj një gruaje e as në raport me rreziqet që sillte konflikti. Lufta e vitit 2001 ishte një konflikt i armatosur që pak a shumë pritej, marrë parasysh disa incidente që kishin ndodhur gjatë asaj kohe. Në janar të atij viti ishte sulmuar stacioni policor në komunën e Tearcës, 10 kilometra në afërsi të Tetovës. Universiteti i Tetovës kishte filluar punën, por për autoritetet në Shkup vazhdonte të ishte i jashtëligjshëm. Në Reçicë të Vogël pati një viktimë pikërisht në mbrojtje të të drejtës për shkollim sipëror të shqiptarëve. Nga gazetarët në terren hetohej pakënaqësija e qytetarëve shqiptarë, ndërkaq shenjat se pritej një pranverë e nxehtë tashmë ishin më të dukshme. Do të ishte 14 marsi i vitit 2001 kur edhe u dëgjuan të shtënat e para të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Kalanë e Tetovës, ndërkohë që në sheshin e qytetit studentë të drejtuar nga profesorët e tyre e të mbështetur nga turma e njerëzve kërkonim të drejtat e tyre për arsimim sipërorë, por jo vetëm.
Siç kujton Sadije Aliti, asokohe gazetare në gazetën “Fakti”, lufta në Maqedoni ishte e pritur, pasi rrethanat ishin të tilla. Kosova, thotë ajo, kishte kaluar luftën, Lugina e Preshevës sapo kishte dalë nga konflikti i armatosur i Ushtrisë Çlirimtare e Preshevës Medvegjës dhe Bujanocit, tani jo se ishte e radhës por situata ishte e tillë e tensionuar që pritej të ndodhte diçka edhe këtu.
Gjatë gazetarisë së përditshme, kujton Aliti, është ndeshur me pakënaqëinë e qytetarëve shqiptarë, durimi ishte shterur, ishte vyshkur shpresa se në këtë shtet në aspektin ndërnacional do të ndryshonte diçka, ndërkaq sikur tek të gjithë ishte theksuar bindja se vetëm një konflikt i armatosur do të përmirësonte situatën e përgjithshme të shqiptarëve në Maqedoni, u shpreh Sadije Aliti.
Ajo nuk e shihte veten në këto momente si grua ose burrë, por si profesioniste sepse, siç thotë ajo, nuk ka qenë aspak e lehtë që të raportohej nga terreni. Pamjet që akoma i kujton sigurisht janë rrëqethëse, banorë që kishin lënë sofrat e tyre shtruar për të ikur, pas urdhërit të prerë për t’i lënë shtëpitë, nëna me fëmijët në krah, të uritur, pa ushqime, pa veshmbathje, ishin ngjitur malit Sharr dhe mundoheshin të gjenin rehati për familjet e tyre në fshatrat e rrethinës së Prizrenit.
“Unë ndoshta kisha fatin e para gazetare që të shkeli në disa fshatra, sidomos në fshatin Sellcë, ku kishte raste ku mbi tavolinë ose në sofër ishte e shtruar buka, do të thotë se njerëzit janë ngritur nga mëngjesi duke ngrënë”
Sadije Aliti
Ngjarje të tilla që do t’i kujtohen për një jetë janë të shumta, por i ndau disa, për shkak të rëndësisë së tyre. Në zonën që kontrollohej nga UÇK-ja ajo thotë se ishte ndjerë më e sigurtë, edhe pse kontrollet s’kanë munguar as nga ata. Nga ana tjerër vazhdimisht është dashur të jenë në lëvizje, duke kaluar barrikada e punkte të policisë maqedonase dhe kontrollet nga ata ishin të detajuara. Për t’i fshehur materialet për inçizim, si diktafonë dhe aparatin fotografik, është dashur të kamuflojnë diçka.
“Ishte diku fundi i marsit fillimi i prillit, ishte vlugu i zhvillimeve, luftime mes UÇK-së dhe forcave policore maqedonase, një pjesë e njerëzve ishin larguar nga shtëpitë e tyre. Fshati Sellcë kishte mbetur me pak banorë, më shumë pleq dhe disa të sëmurë. Në atë kohë rashë në kontakt me dy deputetë të PPD-së që ishin në parlament, ishte Abdihadi Vejseli dhe Abdurahman Aliti i ndjerë. Me imunitetin e deputetit, që i mbronte ligji, me arsyetimin se do të dërgonim ndihma në Sellcë u bashkangjita edhe unë. Materialet për incizim, diktafon dhe aparat, i kemi fshehur, i kemi mbuluar në ndihma. Kishim shumë pak kohë dhe ishim të përcjellë nga policia maqedonase, por kur dorëzonim ndihmat te banorët, shfrytëzonim rastin dhe merrnim intervista ose bënim fotografi për të dokumentuar ngjarjen, gjithçka fshehurazi”.
Sadije Aliti
Në atë kohë ishte krijuar një situatë aq e vështirë sa ishte e pamundur të kaloje rrugëve qoftë edhe për ata që e kishin të patjetërsueshme për shkaqe të punës. Nëse të ndalonin, kontrolli gjithsesi do të ishte i detajuar. Gazetarët kishin frikë, madje ishin trajnuar për të qenë vigjilent gjatë këtyre kontrolleve, sidomos të hapnin sytë që mos t’ju fusnin diçka fshehurazi nëpër çanta apo vetura. Këtë frikë përveç se kishte pasur rastin ta përjetojë Sadija, e kishte ndjerë në lëkurë edhe ish korespondenti i BBC-së në atë kohë, Seladin Xhezairi.
“Në kurset e trajnimit që i kishim bërë në Londër në BBC, na thoshin se gjatë ndalesave duhet të shfaqni kujdes kur t’ju kontrollojnë mos ju fusin diçka në çantë apo në makinë. Unë e drejtoja një makinë të vogël dhe kur na ndaluan atje me automatizëm u shpërfaqën ato mësimet nga kurset e trajnimi. I kisha ngjitur sytë nga makina, polici apo ushtari që ishte prapa meje më tha: Çfarë shikon? I thash: Shikoj makinën time. Me një urdhër të vrazhdë më tha: Ktheje kokën nga mali. Instiktivisht e ktheva kokën dhe e pashë një fole të një mitrolozi te vreshtët. Këtë nuk e harroj, sepse ishte moment i rëndë. Kur jemi nisur pas një ore, që mua m'u duk se zgjati deri në pafundësi, i thash kolegut që ishte me mua: shiko kur do na qëllojnë tani. Fatmirësisht nuk ndodhi kjo”.
Të tilla ishin rreziqet për gazetarët, dhe duke qënë se gazetare gra ishin pak, rreziku ndaj tyre ishte edhe më i madh. Megjithatë nëse je profesionist përgjegjësia është e madhe pavarësisht gjinisë. Aq më shumë në kohëra kur zhvillimi i teknologjisë nuk ka qenë si ky që kemi sot, si për ta mbledhur, edhe për ta përhapur informacionin. Atëhere një lajm transmetohej pas shumë orësh, por edhe ditësh nëse bëhej fjalë për mediat e shkruara.
Megjithatë frika ekzistonte te të gjithë, thotë ish gazetarja Sadije Aliti. Periudhë shumë e shkurtër dhe shumë e afërt e luftrave që ishin zhvilluar në Luginën e Preshevës dhe në Kosovë, akoma ishin të freskëta: pamjet e atjeshme, përdhunimet, vrasjet, masakrimet e maltretimet e ndryshme që kishin ndodhur, janë figura e parë që të kujtohet në momente të krizës, tregon ajo. Sigurisht se frika për ngacmime seksuale mbizotëronte, që në rast se do ndodhte do pasohej edhe me paragjykime e steriotipe, por Sadija kurrë nuk u gjend përballë ndonjë situate të tillë.
Sot, thotë ish gazetarja Sadije Aliti, gazetaria jo se është shumë e lehtë, por ekziston mundësia të informosh nga vendi i ngjarjes për shkak të teknologjisë. Mund të lidhesh direkt në redaksi ose rrjetet sociale dhe kjo të mbron disi. Atëherë përballeshe veç me rrezikun dhe komunikimet i bëje fshehtas. Megjithatë ajo ndjehet krenare që ishte pjesëtare e asaj periudhe që solli ndryshime në shoqërinë shqiptare në Maqedoni, që ishte pjesë e asaj armate të informimit, të cilët ishin të parët që shkelën ndjenjën e luftës, por edhe atë të lirisë. Në rrethana lufte, në rrethana delikate nuk ka rëndësi gjinia, situatat e tilla janë të vështira për të gjithë njerëzit. Megjithatë, siç e përmbyll rrëfimin Sadija, në Ballkan sigurisht se gratë e kanë pasur shumë më të vështirë fushëveprimin në kohë lufte e trazirash.
За верзијата на македонски јазик кликнете тука.
“Ky publikim u mundësua me përkrahje financiare nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja" dhe nuk i reflekton pamjet e Bashkimit Evropian.”
Lulzime Ameti ka kryer studimet në Universitetin e Evropës Juglindore në drejtimin "Shkencat e Komunikimit”. Ajo aktualisht ndjek studimet master në Universitetin AAB –Prishtinë në drejtimin “Komunikim Masiv dhe Gazetari”. Ka punuar si gazetare dhe prezantuese e edicionit të lajmeve në disa televizione si: Klan Macedonia, Art Channel, Tv Koha.
TË NDRYSHME
Kanceri i gjirit më prezent te gratë, te burrat dominon kanceri i mushërive: ...
Rita Behadini
14/05/2024
Nga dhuna deri te „muaji i mjaltit" - si funksionon kurthi i dhunës në familje?
Fatlume Dervishi
08/04/2023
Patriarkati s'e kursen as shëndetin mendor: "Histeria" që ju mveshet grave s'...
Rrezearta Elezi
17/04/2024
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia