untitled-design-(7)-1680953246.png

Nga dhuna deri te „muaji i mjaltit" - si funksionon kurthi i dhunës në familje?

PASOJA

April 8th, 2023

Sa shpesh, kur keni folur për dhunën në familje, e keni dëgjuar që dikush të thotë “Përse nuk ka ikur”, “Ajo nuk ka kërkuar ndihmë” ose “Vetë e ka zgjedhur”… Këto shprehje që duken pa qëllim të keq në dëgjim të parë, e vendosin përgjegjësinë tek viktimat e dhunës në familje, në vend se te dhunuesi.

Për ta kuptuar çfarë ndodh në mendjen e viktimës dhe çfarë në mendjen e dhunuesit, duhet të keni parasysh rrethin se si dhuna zhvillohet, funksionon dhe përsëritet.

Dhuna në familje zakonisht ndjek një model të cilin të mbijetuarit e saj e njohin shumë mirë. Ky rreth ose cikël është një model me katër faza në të cilat dhunuesi dhe i dhunuari sillen vazhdimisht. Është një kurth për të dhunuarin. Personat që asnjëherë nuk kanë qenë në një marrëdhënie të dhunshme mund të mos e dinë se sa e vështirë është për viktimat e dhunës të dalin nga ky rreth.

Cikli i dhunës është një mjet i zhvilluar nga studiuesja Lenore Walker dhe i detajuar në librin e saj “The Battered Woman”, botuar në vitin 1979. Walker e krijoi këtë mjet për të përshkruar natyrën përsëritëse të dhunës dhe efektin e saj te viktimat.

  • Faza e parë – Rritja e tensionit

Cikli fillon me rritjen e tensionit në një marrëdhënie e cila në fillimet e saja duket shumë normale, por që ky tension në këtë marrëdhënie ngjallë frikërat e para tek viktima. Ky tension në marrëdhënie mund të vijë nga stresi që lidhet me ngjarjet e përditshme si puna, konflikti familjar ose problemet financiare. Mund të vijë edhe nga ngjarje më të mëdha si sëmundjet dhe ngjarjet tragjike. Është e rëndësishme të theksohet se shumica e njerëzve mund të përballen me situatat stresuese si këta pa e zbrazur tensionin e kamufluar tek të tjerët, por jo edhe dhunuesi. Ai zgjedh t’i përdor këto ngjarje si një justifikim për veprimin e tij të mëvonshme.

Shpesh dhunuesi përdor me mjeshtëri metoda manipuluese për të izoluar viktimën e tij nga familja, shoqëria dhe rrethi. Shprehjet që ai do të përdorte janë “nuk na duhen të tjerët kur kemi njëri-tjetrin”, “familja jote s’ta duan të mirën”, “nuk më pëlqejnë shoqet e tua”, dhe të ngjashme. Viktima mund të përpiqet të qetësojnë dhunuesin dhe të shmangë përshkallëzimin duke u bërë e nënshtruar ose duke u përpjekur të jenë më të dobishme, ashtu siç kërkon dhunuesi.

  • Faza e dytë – Incidenti - Përshkallëzimi

Më pas ndodh një incident. Në këtë rast incidenti është vepër e abuzimit fizik, verbal, emocional ose psikologjik si goditje, shuplakë, ngulfatje, nënçmim, thirrje me emra nënçmues, ulërima ose bërtitje dhe kërcënimi.

Ndërsa i gjithë cikli i dhunës është një metodë që abuzuesit përdorin për të ushtruar pushtet dhe kontroll mbi viktimën e tyre, faza e përshkallëzimit ose faza kur ndodhin incidentet është një fazë veçanërisht e frikshme dhe e rrezikshme, e përpjekjes së dhunuesit për të dominuar viktimën. Në këtë fazë viktima veçse është e izoluar nga rrethi dhe të afërmit. Zakonisht viktimat janë të vetme dhe s’ka kujt t’i drejtohet. Dhunuesi e din këtë shumë mirë, sepse vetë e ka përgatitur terrenin për këtë fazë.

  • Faza e tretë – Pajtimi

Faza e tretë e ciklit të dhunës është faza e "pajtimit", megjithëse mund të quhet gjithashtu "faza e justifikimit". Gjatë kësaj faze, dhunuesi mund të kërkojë falje për sjelljen e tij, të përpiqet ta justifikojë atë me “Jam i stresuar vetëm për shkak të punës”, ose ta fajësojë viktimën dhe t'i japë asaj përgjegjësinë për të shmangur përsëritjen e dhunës me shprehje si “Mos më zemëro më kaq shumë”. Manipulimi është baza e kësaj faze, pasi dhunuesi mohon se diçka ka ndodhur ose se incidenti nuk ishte abuzim. Kjo është faza ku viktima kthen vëmendjen nga vetja dhe mendon se ndoshta incidentet dhe dhuna e përjetuar në fazat e tjera ka qenë për fajin e saj.

  • Faza e katërt – Qetësia

Më në fund, është koha për qetësi. Incidenti ose dhuna është falur dhe, për pak kohë, gjërat duken se janë në normalitet ose madje edhe më mirë se më parë. Të mbijetuarit e dhunës në familje kur ndajnë përvojat e tyre pas largimit nga dhuna, ndonjëherë i referohen kësaj si "faza e muajit të mjaltit". Ndonjëherë abuzuesit do të përdorin bombardimin me dashuri për të "kompensuar" abuzimin ose dhunën që kanë bërë më herët, megjithëse ky është vazhdim i manipulimit i cili krijohet për ta mbajtur viktimën të papërgatitur atë për atë që mund të vijë më vonë dhe që viktima të mbetet me dhunuesin për hirë të këtyre momenteve të mira.

  • Përsëritja e rrethit

Megjithatë, qetësia e fazës së muajit të mjaltit nuk zgjat. Më në fund, tensioni fillon të rritet përsëri. Kërkim-faljet dhe premtimet e abuzuesit bëhen të pasinqerta ose zhduken plotësisht. Pa kaluar shumë kohë, ndodh një tjetër incident abuziv. Rrethi lëviz gjithmonë në një drejtim dhe fazat përsëriten. Me kalimin e kohës, fazat e muajit të mjaltit bëhen më të shkurtra kurse të eskalimit më të gjata dhe me incidente më serioze. Kjo u ndodh të gjithëve, edhe grave me arsim të lartë dhe karrierë. E përbashkëta është se viktimat që janë në një marrëdhënie të këtillë kanë humbur vetëbesimin se do të mund të ja dilnin me sukses po të largohen. Ndjenjat e fajit, pasiguria dhe shqetësimi për mirëqenien e fëmijëve luajnë një rol të fortë në procesin e vendimmarrjes së viktimës.

Kur vendos të largohet, viktima është më e rrezikuar nga vrasja.

  • Viktima në kurth

large-antigona-alili-1680963887.png

Aktivistja për të drejtat e grave Antigona Alili vlerëson se viktimat e dhunës në familje përballen me shumë sfida kur përpiqen të çlirohen nga një marrëdhënie abuzive dhe të fillojnë një jetë të re. Alili sqaron disa nga faktorët me të cilët mund të përballen viktimat e dhunës në një lidhje abuzive siç janë:

  • Frika: Një nga sfidat më të rëndësishme është frika nga dhunuesi. Viktimat mund të shqetësohen për hakmarrjen, kërcënimet ose dëmtimin e tyre ose të të dashurve të tyre nëse përpiqen të largohen nga marrëdhënia.

  • Varësia financiare: Shumë viktima të dhunës në familje mund të varen financiarisht nga abuzuesit e tyre, duke e bërë të vështirë largimin e tyre. Kjo mund të jetë veçanërisht e vërtetë nëse ata kanë fëmijë për të mbështetur ose perspektiva të kufizuara për punë.

  • Lidhja emocionale: Pavarësisht abuzimit, viktimat mund të ndihen të lidhura emocionalisht me dhunuesin e tyre, duke e bërë të vështirë çlirimin nga marrëdhënia.

  • Izolimi social: Abuzuesit shpesh përpiqen t'i izolojnë viktimat e tyre nga miqtë dhe familja, duke e bërë të vështirë për ta të kërkojnë ndihmë ose mbështetje nga të tjerët.

  • Pengesat ligjore: Viktimat mund të përballen me pengesa ligjore, të tilla si marrja e urdhrave të ndalimit ose kujdestaria e fëmijëve të tyre.

  • Mungesa e burimeve: Viktimave mund t'u mungojnë qasja në burime të tilla si strehimi, kujdesi mjekësor, këshillimi dhe ndihma ligjore.

  • Stigma dhe turpi: Viktimat mund të ndihen të turpëruar-a ose të stigmatizuar-a nga shoqëria për të qenë në një marrëdhënie abuzive, duke e bërë të vështirë të kërkojnë ndihmë ose të flasin.

“Viktimat e dhunës në familje mund të mos njohin gjithmonë shenjat e abuzimit në marrëdhënien e tyre, veçanërisht nëse abuzimi është emocional ose psikologjik dhe jo fizik. Ata mund të mendojnë se abuzimi është faji i tyre ose se po reagojnë tepër. Për më tepër, abuzuesit shpesh manipulojnë viktimat e tyre, duke e bërë të vështirë për ta të besojnë në perceptimet e tyre dhe të njohin abuzimin. Edukimi dhe ndërgjegjësimi mund të jenë të dobishëm për t'i ndihmuar viktimat të njohin dhunën në kohë”, thotë Alili.

Pavarësisht këtyre sfidave, është e mundur që viktimat e dhunës në familje të çlirohen nga dhunuesi dhe të fillojnë një jetë të re.

“Është e rëndësishme që ata të kërkojnë ndihmë dhe mbështetje nga profesionistë, të tillë si terapistë, punonjës socialë ose avokatë të dhunës në familje, të cilët mund të ofrojnë udhëzime dhe burime. Mund të jetë gjithashtu e dobishme për viktimat që të zhvillojnë një plan sigurie dhe të punojnë me një avokat që mund t'i ndihmojë ata të lundrojnë në sfidat ligjore”, thotë Antigona Alili, aktiviste për të drejtat e grave.

Dhuna në familje në Maqedoni

Në vitin 2022, në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë bërë 4421 ankesa për dhunë në familje, prej tyre:

  • 3912 kanë qenë paraqitje për dhunë psikologjike

  • 394 kanë qenë paraqitje për dhunë fizike

  • 115 kanë qenë paraqitje për dhunë ekonomike

Në këto raste të dhunës së paraqitur ka pasur 4495 autorë të dhunës, 3624 prej të cilëve kanë qenë burra dhe 871 gra. Në 1333 raste, viktima është bashkëshortja e dhunuesit kurse në 215 raste viktimë e dhunës është bashkëshorti i dhunueses. Por rastet e dhunës janë po kaq të larta në shifra edhe tek partnerët në lidhje jashtëmartesore ose tek ata që më herët kanë qenë në lidhje bashkëshortore. 385 fëmijë kanë qenë viktima të dhunës në familje gjatë gjithë vitit 2022, nga rastet e paraqitura në organet e rendit.

Raportet e MPB-së ndër vite tregojnë se rritet vazhdimisht numri i rasteve të paraqitura të dhunës në familje.

Në disa raste, një rritje në numrin e rasteve të raportuara të dhunës mund të jetë për shkak të rritjes aktuale të rasteve të dhunës. Kjo mund të jetë rezultat i faktorëve të ndryshëm si stresi ekonomik, izolimi social ose paqëndrueshmëria politike, ndër të tjera. Megjithatë, është gjithashtu e mundur që një rritje në numrin e rasteve të raportuara të dhunës mund të jetë për shkak të ndërgjegjësimit më të lartë të viktimave për të drejtat e tyre dhe disponueshmërinë e shërbimeve mbështetëse. Ky mund të jetë rezultat i fushatave të edukimit publik, rritjes së mbulimit mediatik ose zgjerimit të shërbimeve të ofruara nga organizatat që mbështesin viktimat e dhunës

thotë Alili

Paraqit dhunën në njërën nga linjat e mëposhtme:

Analizat e përgjithshme kanë treguar se vetëm 15% e viktimave të dhunës në baza gjinore ose dhunës familjare që ndodhen brenda territorit të vendit e raportojnë atë te organet kompetente.

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi është gazetare e diplomuar dhe redaktore në televizionin Alsat M. Ajo ka kryer studimet master për Marrëdhënie me Publikun. Fatlumja shkruan më tepër për tema politike, të edukimit dhe të diplomacisë. Ajo ka marrë pjesë në shumë projekte tjera për verifikim të fakteve.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia