pink-minimalist-gynecologist-logo---2024-04-02t213947.896.png

Sistemi 'Amber Alert' për fëmijët e humbur u aplikua për herë të parë në Serbi, s'ka informacione për Maqedoninë e Veriut

N'THELB

April 2nd, 2024

Versioni serb i Amber Alert, është prezantuar vitin e kaluar, ndërsa u aktivizua këtë muaj për herë të parë pasi një vajzë dyvjeçare u zhduk në qytetin e Borit të Serbisë.

Sistemi “Pronadji me” [Më gjej], versioni serb i Amber Alert, një sistem i shpërndarjes dhe publikimit të informacionit të rasteve të fëmijëve të zhdukur, u aktivizua të martën për herë të parë në Serbi pas një vajzë dy vjeçare u zhduk në qytetin e Borit.

Stacionet televizive dhe radiofonike ndërprenë programet e tyre për të publikuar një njoftim për vajzën e zhdukur dhe informacion për kohën dhe vendin e zhdukjes, veshjen dhe moshën e saj. Të gjithë qytetarët kanë marrë edhe SMS me njoftimin, por jo në të njëjtën kohë, në intervale disa orëshe. Njoftime ka pasur edhe në tabelat e informacionit për autostradat në të gjithë vendin.

Igor Juric, president i Qendrës për Fëmijët e Zhdukur dhe të Abuzuar, tha për 'TV Prva' se Ministria e Brendshme po punon për përmirësimin e sistemit, por se operatorët mund të dërgojnë deri në 50,000 mesazhe SMS në një minutë.

“Në një periudhë të ardhshme, ky sistem nuk do të bazohet në mesazhe SMS, por në disa lloje të tjera informacioni, ku nuk do të nevojitet një operator celular për të informuar qytetarët për zhdukjen e një fëmije,” tha Juric.

Autoriteti Rregullator i Mediave Elektronike i Serbisë, REM, miratoi një rregullore në shtator të vitit 2023 që detyronte mediat të publikonin njoftimet për zhdukjen e një fëmije pa vonesë dhe të transmetonin rregullisht mesazhet gjatë 48 orëve të ardhshme. Njoftimet duhet të transmetohen çdo 30 minuta për tetë orët e para dhe çdo 50 minuta më pas.

Në korrik 2023, qeveria miratoi një konkluzion që prezanton sistemin “Pronadji me”.

Më herët, në korrik 2021, qendra për Fëmijët e Zhdukur dhe të Abuzuar nisi një iniciativë për futjen e një sistemi të posaçëm të njoftimit publik për rastet e fëmijëve të zhdukur.

Sistemi 'Amber Alert' është një mekanizëm që funksionon zyrtarisht në SHBA, Belgjikë, Republikën Çeke, Francë, Gjermani, Greqi, Maltë, Irlandë, Poloni, Bullgari, Itali, Holandë, Portugali, Rumani, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

E krijuar në SHBA në vitin 1996, ajo mori emrin e Amber Hagerman, një vajzë nëntë vjeçare nga Teksasi, e cila u rrëmbye dhe më pas u vra.

Në fund të shkurtit, Bosnja dhe Hercegovina votoi për zbatimin e Amber Alerts pasi disa përpjekje të mëparshme dështuan. Sipas vendimit, vendi ka afat deri në fund të prillit për të zbatuar sistemin.

Rikujtojmë që ky sistem është vendosur vitin e kaluar edhe në Maqedoninë e Veriut me iniciativë të organizatës “Gazetarët për të drejtat e njeriut” por nuk dihet nëse është vendosur në funksion.

Humbja e 9-vjeçares Amber zgjoi shoqërinë, institucionet dhe ligjvënësit amerikanë, të cilët së bashku vendosën të krijonin një sinjal emergjence njoftimi, sa herë që një fëmijë i zhdukur mendohet të jetë në rrezik për jetën ose të shfrytëzohet.

Përkthim

Përkthim

Ky artikull është përkthyer për nevojat e portalit www.mollekuqja.mk nga Vesa Sherifi, ajo është studente e mjekësisë dhe alumna e programit 'YES' të Departamentit Amerikan të Shtetit. Aktualisht, e angazhuar në Forumin për Ndryshime në Arsim dhe Qendrën për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia