Untitled-design-16.png

Sekret publik: Djemtë dërgojnë imazhe dhe video të organit gjenital në rrjete sociale, vajzat nuk raportojnë

SEEN

December 27th, 2021

“Dick pics” apo “foto të organit gjenital mashkullor” është një fenomen shumë pak i diskutuar por aktual në realitetin tonë. Gjatë komunikimit “online”, ka raste kur edhe pse biseda mes dy personave nuk ka aspak të bëjë me aspektin seksual, vajzave ju dërgohen fotografi të organit gjenital nga bashkëbiseduesi. Ndërkohë ka dhe raste ekstreme kur vajzat pranojnë fotografi të tilla edhe nga persona me të cilët nuk kanë kontaktuar asnjëherë. Një bashkëbiseduese, e cila preferon të mbetet anononime, rrëfen për Mollëkuqen.mk se ka pasur disa raste që në “facebook” ka pranuar mesazhe të tipit “Përshëndetje bukuroshe” e të shoqëruar me një fotografi të organit mashkullor. 

“Në rrjetet sociale kam pranuar mesazhe nga më të ndryshmet, kryesisht në Instagram dhe Facebook. Kulmi ishte kur në inbox-in e profilit tim në facebook filluan të më vijnë fotografi nga meshkuj të ndryshëm të cilët sipas emrit dhe mbiemrit ishin qytetar shqiptar në Maqedoninë e Veriut, disa herë më ka ndodhur të përballem me këtë fenomen. Në fotografi shihej organi gjenital mashkullor, siç duket i personave që më dërgonin fotografi të tilla. E them këtë nga sepse dallohen fotografitë që merren nga interneti dhe fotografi që shkrepen në kushte shtëpiake. Ndonjëherë fotografia shoqërohej me përshëndetje ose ndonjë koment dhe në ndonjë rast kishte vetëm një fotografi. Ishte shokuese për mua, nuk e kuptoja pse duhej të ndodhë diçka e tillë. Pas një kohe e mbylla Facebook, por asnjëherë nuk e kam paraqitur në ndonjë institucion relevant problemin”.

Në vendin tonë nuk ka statistika se sa vajza përballen me këtë fenomen

Në Maqedoninë e Veriut nuk ka të dhëna zyrtare se sa vajza përballen me fenomenin “Dick Pics”, në fakt për opinionin kjo është një temë e padëgjuar ndonjëherë. Nga Sektori për krim kibernetik dhe forenzika digjitale thonë për Mollëkuqen.mk se deri tani nuk kanë pranuar një asnjë kallëzim penal për fenomenin konkret në fjalë.

Sektori për krim kibernetik dhe forenzika digjitale ka marrë një kallëzim më datë 23.08.2021 nga personi T.M., për të cilin është njoftuar Prokurori Publik për të marrë udhëzime për veprime të mëtutjeshme dhe ende nuk ka asnjë përgjigje. Në Sektorin për krime kompjuterike dhe kriminalistikë digjitale janë pranuar edhe 3 raporte për vajza dhe gra, fotografitë dhe videot komprometuese të të cilave janë postuar publikisht në rrjetin social “Facebook”

Ministria e Punëve të Brendshme

Për të kuptuar se çfarë parashikojnë dispozitat ligjore për ngacmimet seksuale “online” dhe si duhet të paraqiten rastet e tilla, Mollëkuqja.mk realizoi një bashkëbisedim informativ me Arta Selmani-Bakiu, Profesoreshë e së Drejtës familjare dhe Prodekane në Fakultetin juridik Universiteti i Evropës juglindore.

Sipas Selmani-Bakiu, aktualisht në Kodin penal është e parashikuar vepra penale Përhapja e materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik “Ai i cili përmes sistemit kompjuterik përhapë në publik material të shkruar racist dhe ksenofobik, fotografi ose prezanton ide apo teori të tjera të cilat ndihmojnë, promovojnë ose nxisin urrejtje, diskriminim ose dhunë, kundër çdo personi ose grupi, mbi bazë të racës, ngjyrës së lëkurës, prejardhjes kombëtare ose etnike, si dhe besimit fetar, do të dënohet me dënim me burgim nga 1 deri në 5 vjet.

Ajo sqaron se viktimat e ngacmimeve online gjithashtu mund të thirren edhe në veprën penale Rrezikimi i sigurisë “Ai i cili nëpërmjet sistemit informatik do të kanoset se do të kryejë vepër penale për të cilën është paraprë dënim me burgim prej 5 vjet ose dënim më i rëndë kundër ndonjë personi për shkak të përkatësisë së tyre gjinore, racës, ngjyrës së lëkurës, familjes, përkatësisë së grupit të margjinalizuar, përkatësisë etnike, gjuhës, shtetësisë, prejardhjes sociale, religjionit ose bindjes fetare, formave tjera të bindjeve, arsimit, përkatësisë politike, statusit personal apo shoqëror, pengimit mentale apo trupor, moshës, gjendjes familjare apo martesore, statusit pasuror, gjendjes shëndetësore, apo në çfarëdo qoftë baze tjetër e paraparë me ligj apo marrëveshje të ratifikuar ndërkombëtare, do të dënohet me dënim me burgim prej 1 deri në 5 vjet.”

Rastet e ngacmimit dhe rastet tjera të ngjashme që kanë elemente të veprave penale të lartshënuara mund të raportohen të bëhet tek departamenti për Krime Kompjuterike dhe Forenzikë Digjitale pranë MPB. 

Pas rastit eklatant me “Dhomën publike” ku kishte veprim të dhunës seksuale online ndaj vajzave të reja. Pjesëtarët e grupit (kryesisht meshkuj), shpërndanë fotografitë intime të vajzave pa lejen e tyre, me anë të të cilave, ata u shantazhuan, ofenduan, frikuan dhe mbi të gjitha u fajësuan. Si pasojë e këtij rasti, u organizuan protesta dhe pati shumë reagime si nga qytetarët po ashtu edhe nga qarqet akademike, andaj qeveria u zotua se do të angazhohet të ofrojë mbrojtje ligjore viktimave të ngacmimeve seksuale kibernetike me të vetmin qëllim parandalimin e tyre. Ndërlidhur me këtë, në proces është iniciativa e Ministrisë së drejtësisë për plotësimet dhe ndryshimet e Kodit penal ku do të vendoset vepra penale Përndjekja në të cilën përfshihen edhe elemente të ngacmimit online.

LEXO: "Përndjekja" si vepër penale, ngacmimet ndaj vajzave duhet të presin disponimin politik për t'u sanksionuar

Definimi i kësaj vepre penale është si vijon: Personi i cili në mënyrë të paautorizuar ndjek, ose në mënyrë tjetër ndërhyn në jetën private të një personi tjetër,  krijon ose përpiqet të krijojë kontakte të padëshiruara me të duke lëvizur në hapësirën ku ndodhet ai person, abuzon me të dhënat personale, duke përdorur mjetet për informim publik ose mjete tjera të komunikimit, ose në mënyrë tjetër e abuzon psiqikisht, ngacmon ose e frikëson, do të dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.”

"Meqë tek fenomeni “Dick pics” ose “Cyberflashing” viktima nuk është personazhi në fotografi ose video, por është pranuesi i fotografisë/videos me një përmbajtje seksuale, provokuese, ofenduese, të turpshme, me të cilin veprim tek pranuesi krijohet ndjenjën e shqetësimit psiqik, seksual, në këtë rast, pranuesi i mesazheve të këtij lloji, do të mund të kërkojë mbrojtje juridike bazuar në dispozitën në fjalë. Gjithashtu, duhet përmendur se, nën frymën e implementimit dhe harmonizimit të Konventës së Stambollit, nga qershori i këtij viti në fuqi është Ligji i ri kundër dhunës i emëruar si Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhunës në familje i cili ligj ndër veprat tjera që kërkon Konventa e Stambollit përfshin edhe veprën Ngacmimi seksual përmes internetit, e që trajtohet si “Çdo veprim verbal, joverbal ose çdo veprim tjetër i natyrës seksuale, që ka për qëllim cenimin e dinjitetit ose krijimin e një mjedisi, ose qasje kërcënuese, armiqësore, poshtëruese ose frikësuese të komunikimit”

Arta Selmani-Bakiu, Profesoreshë e së Drejtës Familjare

Fenomeni “dick pics” në spektrin global

Në fakt, fenomeni “dick pics” me sa duket ka përmasa globale, qofshin rrjetet sociale apo mënyra tjera komunikim virtual, është shumë e zakonshme që gratë të marrin imazhe seksuale të rastësishme dhe të pakërkuara nga burrat. Sipas “The Guardian” në Britaninë e madhe 4 në 10 gra, nga mosha 18 deri në moshën 36 vjeç, kanë raportuar se në rrjetet sociale u janë dërguar fotografi të pahijshme intime nga bashkëbisedues pa ju kërkuar të bëjnë diçka të tillë. Nga viti në vit është duke u rritur kjo formë ngacmimi seksual gjë që ka bërë që në Britani të kërkohen ndryshime ligjore dhe këto veprime në internet të quhen veprime kriminale për kundërvajtje seksuale. Në Britani madje ka një term që përkufizon dërgimin e fotografive intime “online”. Raporti i Komisionit të Ligjeve britanike e përkufizon termin “cyber-flash” si: dërgimin e imazheve ose videove të organeve gjenitale, konkretisht, "fotografitë me organonin gjenital mashkullor" online, pra fotografitë mundet të dërgohen në rrjetet sociale ose përmes aplikacioneve tjera të telefonave si për shembull përmes “AirDrop".  

Profesoresha Arta Selmani-Bakiu, gjatë bashkëbisedimit tonë theksoi se ndonëse në opinionin publik pak për tema si “dick pics” ose “cyberflashing” në qarqet akademike ju kushtohet hapësirë serioze çështjeve të tilla. 

“Është shumë e vërtetë që në opinion nuk flitet për këtë fenomen, gjatë kohë nuk është folur edhe për fenomenin e gjuhës së urrejtjes dhe ngacmimit seksual përmes rrjeteve sociale ndërkaq të njëjtët kanë qenë prezent në mesin tonë, në mesin e fëmijëve dhe studentëve tonë. Janë këto fenomene, raportimi i të cilëve pengohet si pasojë e mentalitetit tonë, mentalitet ky në të cilin ende është prezent frika nga opinioni dhe fshehja e problemit. Në të shumtën e rasteve nuk jemi të vetëdijshëm se jemi pjesë e një procesi të abuzimit i cili mund të eskalojë edhe në dhunë. Shumica nuk janë të informuar për elementet e njohjes së këtyre ngacmimeve, mundësinë e raportimit, institucionet ku duhet të raportojnë, pasojat, etj. Në qarqet akademike dhe në studimet për drejtësi, këto lloje të veprave penale dhe këto fenomene janë pjesë e sillabuseve të shumë lëndëve, përfshirë këtu; Dhuna në familje, E drejta penale, E drejta familjare, Liritë dhe të drejtat e njeriut, Delikuenca e të miturve, Siguria kompjuterike, Krimi kompjuterik, Kriminaliteti i organizuar, Trafikimi me njerëz, E drejta e punës, etj dhe po në këto lëndë gjithsesi ligjërohet edhe aspekti komparativ i këtyre insituteve, koncepteve, fenomeneve. Në kuadër të këtyre lëndëve, studentët njoftohen jo vetëm me zgjedhjet që ofron legjislacioni vendas por edhe zgjedhjet që ofrojnë legjislacionet bashkëkohore në situatat e keqpërdorimeve apo abuzimeve konkrete"

Arta Selmani-Bakiu, Profesoreshë e së Drejtës Familjare

Sipas saj, nga e drejta komparative, studentët janë të njoftuar edhe me fenomenin “Cyberflashing” duke bërë krahasime në vendet ku ky fenomen trajtohet si vepër penale dhe çfarë zgjidhje ofron legjislacioni penal, në vendet ku njihet vetëm si fenomen dhe me çfarë mekanizmash mbrojtës trajtohet i njejti dhe në vendet e treta siç është edhe rasti me RMV-së, ku nuk trajtohet fare. Sa i përket shkencës për drejtësi, thekson ajo, shumë profesor të Fakultetit juridik nga i cili jam pjesë edhe unë, janë shumë aktiv me anë të punimeve të tyre kërkimore, debateve, punëtorive, konferencave, paraqitjeve publike. Me anë të këtyre aktiviteteve ata paraqesin opinionin dhe rekomandimet e tyre për këto koncepte dhe fenomene të reja duke i orfruar zgjidhje konkrete ligjvënësit se si duhet të veprojë në rastet e paraqitjes së këtyre situatave. 

"Këshilla ime ndaj të gjithë të rinjëve është që të flasin për këto situata të pakëndshme, me prindërit e tyre, profesorët, psikologët, me qëllim që të ndihmojmë të gjithë bashkërisht në parandalimin e këtyre dukurive negative të cilat ndikojnë në shëndetin tonë fizikë dhe mental. Duke i biseduar dhe duke i raportuar ngacmimet online, ne jemi më afër mundësisë së shfytëzimit të mekanizmave ligjorë, për mbrojtur veten dhe të afërmit tanë nga të gjitha këto keqpërdorimet direkte si dhe ato online”

Arta Selmani-Bakiu, Profesoreshë e së Drejtës Familjare

Por, çfarë i bën disa meshkuj të dërgojnë fotografi të organeve të tyre gjenitale tek femrat?   

Një studim i botuar në Journal of Sex Research thotë se burrat dërgojnë imazhe të pjesëve të tyre intime, edhe pse nuk u kërkohen nga bashkëbiseduesja, me shpresë se do të pranojnë imazhe të ngjashme ose do përfitojnë ndërveprime seksuale në këmbim. Në studimin me titull “Po ta tregoj timin që ti të ma tregosh tënden” morën pjesë 1,087 burra heteroseksualë. Sondazhi kishte për qëllim të mbledh dhe të vlerësojë informacion demografik, narcizmin, sjelljen seksuale, seksizmin dhe motivimet pas dërgimit të “fotografive të organeve gjenitale”. Rreth gjysma e meshkujve të anketuar raportuan se dërgonin fotografi gjenitale edhe pse nuk u kërkohej, ndërsa gjysma tjetër jo. Studiuesit zbuluan se burrat që dërgonin fotografi të tilla prireshin të ishin më të rinj, më narcistë dhe më seksistë. Motivimi më i zakonshëm për dërgimin e një fotografie gjenitale ishte shpresa për të marrë fotografi seksuale në këmbim nga bashkëbiseduesja. Vetëm rreth 18% e meshkujve raportuan se dërgonin imazhe të pakërkuara për kënaqësinë e tyre. 

Në një artikull informues rreth fenomenit “dick pics” prestigjiozja CNN numëron disa teori pse meshkujt veprojnë në këtë në këtë mënyrë. Teoritë janë të bazuar në studime dhe komente të eksperteve amerikanë të cilët merren me studimin e këtij fenomeni.

-        Burrat shpesh e keq-interpretojnë interesin e një gruaje

-        Meshkujt janë të fiksuar me pjesët e tyre intime

-        Mundet të jetë çështje dominimi tek bashkëbiseduesi 

-        Për disa meshkuj është vetëm një veprim impulsiv

Artikulli i plotë i CNN: Wonder why men send photos of their genitals? Here are some theories

Shefkije Alasani

Shefkije Alasani

Shefkije Alasani Dika ka kryer studimet në Universitetin e Evropës Juglindore në drejtimin "Komunikim Ndërkombëtar". Tre vite ka punuar si gazetare në sektorin e informimit online në Televizionin Alsat, kurse nga viti 2019 punon si gazetare e pavarur në projekte të ndryshme mediatike. Shefkija është edhe verifikuese e fakteve dhe recensente.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia