November 8th, 2024
Rreth 209 mijë gra në Maqedoninë e Veriut nuk kanë gjinekolog amë, tregojnë të dhënat e Fondit për Sigurim Shëndetësor. Megjithëse këto statistika japin një pasqyrë deri diku reale mbi këtë problematikë, ato flasin vetëm për gratë që kanë sigurim shëndetësor, andaj besohet që kjo shifër të jetë më e lartë. Numri më i madh i grave që nuk kanë përzgjedhur gjinekolog amë janë nga rajoni i Shkupit, i Pollogut dhe rajoni i Pellagonisë.
"Jam 25 vjeçe dhe nuk kam gjinekolog amë shkaku se nuk më duket ende e nevojshme, ngaqë nuk qëndroj seksualisht aktive. Nuk e ndiej të nevojshme, ende, ngaqë nuk shoh ndonjë rrezik potencial që do të kërkonte kontrollimin konkret nga gjinekologu", shprehet për "Mollëkuqja" një prej vajzave që nuk ka të përcaktuar gjinekolog amë, e që preferon të ngelet anonime.
Në bashkëbisedim me "Mollëkuqja", gjinekologia Edita Iseni dhe organizata HERA, konstatojnë se mungesa e vetëdijes e grave dhe vajzave rënditet si faktor kryesor për mospërcaktimin e një gjinekologu amë. Regjistrimi i vajzave dhe grave te gjinekologu amë ju mundëson atyre qasje të lehtë dhe të shpejtë për problemet e shëndetit reproduktiv. Megjithatë, shumë prej vajzave besojnë që te gjinekologu duhet të shkohet vetëm kur je seksualisht aktive ose gjatë shtatëzanisë, andaj shmangin kontrollet e rregullta.
"Dëshmojmë se kemi ende një stigmë për këtë temë dhe shkuarja te gjinekologu perceptohet vetëm si prani e aktivitetit seksual tek të rinjtë, gjë që na tregon se duhet të punojmë në ndërgjegjësimin e publikut se sa të rëndësishme janë ekzaminimet parandaluese"
HERA
Gjinekologia Edita Iseni sqaron për "Mollëkuqja" se janë një mori problemesh shëndetësore gjinekologjike që paraqiten tek adoleshentët, siç janë: sindromi PCO, aknet, hirsutizmi, kistet e vezorëve, çregullime të ciklit menstrual, çregullime të ndryshme hormonale. Sipas saj, këto janë patologji që duhet të diagnostikohen dhe trajtohen në kohë sepse kanë një reperkusion në të ardhmen në fertilitetin/infertilitetin dhe aspekte të tjera shëndetësore të grave.
"Bërja e kontrolleve të rregullta tek mjeku gjinekolog amë së paku një herë në vit dhe kryerja e PAP testit dhe procedurave të tjera depistuese do të bënte të mundur diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin në kohë të këtyre patologjive që shpesh rrezikojnë jetën e grave", thekson Iseni.
Personat të cilët kanë sigurim shëndetësor kanë të drejtë, pavarësisht vendbanimit apo vendit të punës, të zgjedhin gjinekolog amë. Kontrollet te gjinekologu amë për personat e siguruar janë pa pagesë.
"E drejta e gruas për të zgjedhur mjek amë gjinekolog në pajtim me aktet nënligjore të Fondit është nga mosha 12 vjeçare"
Fondi për Sigurim Shëndetësor
Nga ana tjetër, sipas organizatës HERA të rinjtë nën moshën 18 vjeç janë të detyruar që gjinekologun amë ta vizitojnë në shoqërim të prindit apo kujdestarit, dhe shpesh kjo është arsye e mos vizitave.
"Të rinjtë nën moshën 18 vjeç shpesh nuk vizitojnë gjinekologun sepse janë të mitur dhe kanë detyrimin të zgjedhin një gjinekolog amë dhe ta vizitojnë të njëjtin vetëm të shoqëruar nga prindi/kujdestari", thonë nga HERA.
Përveç moshës, edhe vendbanimi i grave është një prej faktorëve që ndikon në përcaktimin e grave për një gjinekolog amë. Sipas të dhënave të Fondit të Sigurimit Shëndetësor, rajoni i Shkupit dominon me numër të grave pa gjinekolog amë, gjegjësisht 71.040 gra të këtij rajoni nuk kanë të përzgjedhur gjinekolog. Rajoni i Pollogut vjen menjëherë pas Shkupit, me 33.087 gra pa gjinekolog amë, dhe rajoni i Pellagonisë me 28.574 gra.
"Nuk ka shumë gjinekolog të mirë në Shkup: ata që janë të mirë zakonisht nuk kanë vende të lira ose është shumë e rëndë të gjesh termin të lirë. Në fillim kisha frikë, andaj nuk shkoja, sepse askush nuk më kishte mësuar se duhej të shkoja te gjinekologu. Por arsyeja kryesore se përse nuk kam gjinekolog amë është sepse nuk kam arritur të gjej një që është i qasshëm dhe i lirë", deklaron për "Mollëkuqja" një tjetër grua që nuk ka përzgjedhur gjinekolog amë, e që gjithashtu preferon të ngelet anonim.
Sipas organizatës HERA, gjinekologët amë janë të shpërndarë në mënyrë të pabarabartë apo edhe ka mungesë të tyre, sidomos në zonat rurale, gjë që e vështirëson edhe më shumë aksesin tek gjinekologu amë.
Diagnostifikimi i hershëm i shumë sëmundjeve mund të ndihmojë në trajtimin e të njëjtave në kohë. Në të kundërtën, shumë gra humbin jetën për shkak të moskontrollove të rregullta dhe mosdetektimit të këtyre sëmundjeve në kohë.
Gratë kalojnë në diza faza zhvillimi dhe transformimi gjatë jetës së tyre: faza e fëmijërisë, puberteti, shtatzania, menopauza dhe postmenopauza, sqaron gjinekologia Iseni. Sipas saj, duke pasur parasysh gamën e ndryshimeve dhe transformimeve që ndodhin në këto faza dhe mundësinë e shfaqjes së patologjive që mund të prekin sistemin reproduktiv të grave, vetëm kryerja e kontrolleve të rregullta do të detektonte këto patologji që në disa raste janë edhe asimtomatike dhe shfaqin simptoma atëherë kur trajtimi i tyre më është i pamundur.
"Mosnjohja e historisë së mëparshme shëndetsore si rezultat i mungesës së kontrolleve të mëparshme gjinekologjike do të vështirësonte edhe më shumë trajtimin e mëtejmë"
Edita Iseni
Vizitat e rregullta te gjinekologu, sipas organizatës "HERA" jo vetëm që mund të ndikojnë në diagnostifikimin në kohë, por janë gjithashtu kyçe për informacionin në kohë dhe adekuat për të rinjtë për tema të tilla si: prindërimi i planifikuar, kujdesi adekuat gjatë shtatzënisë dhe mbrojtja nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, që nga ana tjetër është edhe parandalim i infertilitetit në të ardhmen, një fenomen që është gjithnjë e më i zakonshëm sot.
Përfshirja e edukimit seksual nëpër shkolla shihet si një prej mundësive për ngritjen e vetëdijes së vajzave dhe grave për shëndetin e tyre riprodhues. Nga ana tjetër, rol kyç luajnë edhe institucionet, angazhimi i të cilave mund të ndihmonte në parandalimin e një situate ku rreth 209 mijë gra janë pa gjinekolog amë.
"Në një shoqëri në të cilën aksesi në informacionin e saktë është gjithnjë e më i vështirë, prezantimi i edukimit seksual gjithëpërfshirës sigurisht që do të kontribuojë në përmirësimin e kësaj situate. Shpesh kur përballen me një gjendje të shëndetit riprodhues, të rinjtë mbështeten në internet dhe informacione të pasakta, të cilat vetëm sa mund ta komplikojnë problemin", theksojnë nga HERA.
E rëndësishme për përmirësimin e situatës është përfshirja e të gjitha kategorive të grave në shoqëri: që nga adoleshentët e deri te pensionistët. Sipas gjinekologes Iseni, ekzistojnë mekanizma për stimulimin apo edhe detyrimin e grave për të pasur një mjek amë. Ajo sugjeron që:
Duke filluar që nga shkolla e mesme apo universiteti, të kërkohet një dokument që verifikon regjistrimin tek një mjek amë gjinekolog.
Në institucione të ndryshme shtetërore grave dhe vajzave t'u kërkohet vërtetim për kryerjen e kontrollit gjinekologjik brenda një viti.
Targetimi i grave pensioniste dhe bërja e ftesës për të kryer kontrollin gjinekologjik gjatë vitit.
"Vajzat duhet të vetëdijësohen se problemet shëndetsore gjinekologjike janë si të gjitha problemet tjera shëndetësore dhe për këto duhet të vizitojnë mjekun gjinekolog amë"
Edita Iseni
Rita Behadini është moderatore, gazetare dhe aktiviste e të drejtave të grave. Ajo ka kryer studimet për "Biznes dhe Ekonomi" në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Gjatë studimeve Rita themeloi klubin studentor feminist, nga ku dhe lindi pasioni i saj për të avokuar për të drejtat e grave. Gjatë po asaj kohe ajo u punësua si gazetare në Portalb, për të vazhduar më pas për katër vite karrierën e saj në televizionin Alsat të Maqedonisë. Puna e saj si gazetare është e orientuar në të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Aktivizmin e saj Rita e vazhdoi duke themeluar Qendrën për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja", ku aktualisht ushtron detyrën e presidentes.
TË NDRYSHME
Numri i vogël i çerdheve në Maqedoninë e V. ndikon në papunësinë e grave
Fisnik Xhelili
25/01/2024
Nga dhuna deri te „muaji i mjaltit" - si funksionon kurthi i dhunës në familje?
Fatlume Dervishi
08/04/2023
Në RMV shumë të infektuar me HIV nuk e dinë se e kanë sëmundjen, 21 të vdekur...
Ardit Ramadani
01/12/2022
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia