pink-minimalist-gynecologist-logo---2024-01-04t141449.208.png

Rolet gjinore dhe krevati i Prokrustit

N'THELB

January 4th, 2024

Ndër debatet që e karakterizojnë shekullin në të cilin jetojmë, rolet gjinore padyshim kanë siguruar vend të posaçëm në majën e top-listës. Implikimet që erdhën si pasojë e këtyre debateve ishin aq të gjëra dhe të rëndësishme, saqë përfshirja e temës së roleve gjinore në të gjitha shkencat e hulumtimeve të shoqërisë dhe politikës është e pashmangshme.

Gjithçka nisi diku në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, kur hulumtueset/it e feminizmit bënë ndarjen midis rolit gjinor (gender) dhe gjinisë (sex). Me fjalë të tjera, bënë ndarjen mes asaj që është e mësuar apo konstrukt shoqëror, dhe asaj që është e përcaktuar apo fakt biologjik.  

Por fakti i të qenët biologjikisht mashkull shoqërohet edhe me një recetë (1+1 falas) se “si duhet të duket një burrë.” Kjo nënkupton se nëse lind mashkull, si i tillë duhet të “sillesh në një mënyrë adekuate”, siç i takon një mashkulli. Por kush e përcaktonte çka është adekuate? Studiueset/it e viteve ‘70 përgjigjeshin: rrethi, shoqëria dhe politika (të cilët më vonë do t’i emërojmë si Prokrusti).

Me ndarjen mes rolit gjinor dhe gjinisë u hap kutia e Pandorës, dhe shkencat shoqërore nuk mbetën të njëjta, por u ngarkuan me një tërësi problemesh që kërkonin qasje të re.  Mes problematikave tjera që dolën në sipërfaqe ishin: rolet gjinore si mjet shtypjeje, ndryshueshmëria e roleve gjinore përmes historisë, fuqia dhe nënshtrimi, liria dhe autoriteti, studimet e maskulinitetit, shoqëria pa role gjinore dhe të tjera.

Në këtë artikull do të kufizohemi në një këndvështrim psikologjik të roleve gjinore. Fokusi ynë do të jetë mënyra se si rolet gjinore duke na urdhëruar si të jemi, na mohojnë atë që jemi në të vërtetë. Do të përdorim një mit për të cilin mendojmë se do të na ndihmojë në hulumtimin e kësaj teme sepse mitet, ngjashëm si përallat, kanë fuqi që përmes thjeshtësisë së tyre të përcjellin ide të mëdha. Bëhet fjalë për Prokrustin, një mjeshtër-ndreqës krevatesh me famë në mitologjinë e antikitetit. Për të thuhet se ishte hajdut që bridhte nëpër Atikë (rajon historik dhe administrativ i Greqisë). Ai ishte i biri i Poseidonit – zotit të detit. Prokrusti kishte një krevat të hekurt në të cilin ai i bindte viktimat e tij që të shtriheshin. Nëse viktima ishte më e shkurtër se krevati, Prokrusti e zgjaste viktimën - dhe jo duke i mësuar joga - por duke i rënë me çekiç derisa viktima zgjatej dhe bëhej fiks sa krevati.

Në qoftë se viktima kishte këmbë më të gjata, Prokrusti përkudesej (në mënyra dukshëm gjeniale) që atë përsëri ta nxënte fiks krevati, kësaj here ia priste këmbët.

Detajet ndoshta qesharake, ndoshta morbide, na kujtojnë përvoja kur kemi qenë të detyruar të futemi me zor, në diçka që nuk na nxë. Në mënyrë të ngjashme funksionojnë dhe rolet gjinore. Ato janë një krevat i idealizuar, i përcaktuar nga shoqëria për atë se si duhet të sillemi, dukemi dhe ndihemi, qoftë si burra apo si gra, dhe nëse ndonjë pjesën tonën origjinale e intime nuk e nxë në këtë shtrat, atëherë ne jemi të detyruar të njëjtën ta sakrifikojmë, ta shkëpusim apo humbim. Në shtratin e Prokrustit të paraparë për meshkuj, siç mund ta paramendojmë, nuk e nxë emocionalitetin dhe brishtësinë, këta pra duhet të këputen. Po ashtu, në shtratin tjetër, të paraparë për femra, Prokrusti nuk mendon që ka vend për ambicie dhe politikëbërje, dhe si rrjedhojë, edhe këtu kjo pjesë duhet të amputohet.

Por amputimet e botës psikike janë ndër shkaktarët e humbjes së shëndetit mendor sepse ajo që shtypet me çekiç ose pritet me thikë në nivelin psikik kurrë nuk humbet në tërësi, por fshihet diku thellë brenda nesh dhe kërkon të dalë që përsëri ta shohim ose njohim. Urdhërat e roleve gjinore i kemi brendësuar si të mirëqena kur kemi qenë tepër të vegjël për t’i analizuar e parë se sa janë të dëmshme në nivelin individual, por edhe shoqëror. Në lëmën e psikologjisë dhe psikoterapisë, këtë lloj të brendësimit të urdhërave nga jashtë e hasim në literaturë si introjeksion. Duke i bërë këto diktate pjesë (të reja) tonat, ne mohojmë një pjesë tonën autentike, e cila nuk përshtatet me rolin gjinor, aq sa ndoshta dhe e kemi harruar. Zyrat psikoterapeutike janë përplot me njerëz që kërkojnë pjesët e veta të humbura, ngaqë diku dhe dikur ishin të detyruar që t’i lëshojnë.

Por sot gjendemi në një pozitë më të privilegjuar nga sa ishin njerëzit në të kaluarën sepse mund ta shikojmë Prokrustin në sy kur ai mundohet të na bindë të shtrihemi. Ky privilegj yni vjen si rezultat pikërisht nga debatet e nisura nga feministet e ’70-ave. Falë luftës së tyre për të drejta dhe shikimit të mprehtë analitik e konfrontativ ndaj vlerave patriarkale, më shumë se kurrë jemi në pozitë ta ndreqim vetë shtratin. Privilegji historik qëndron në faktin se sot zotërojmë një vetëdije të zgjeruar. Mirëpo çdo rritje e vetëdijes kërkon edhe zgjerim të ndërgjegjes (1+1 gratis). Me vetë faktin që sot dimë, neve na parashtrohet një obligim moral, i cili kërkon prej nesh që të mbrojmë shpirtin e secilit nga çekiçët dhe thikat e Prokrustit (shoqërisë) që përkufizojnë se si duhet dikush të qeshë, se i ndalohet  të qajë, dhe i  tregohet se ku e ka vendin. Edhe pse tani për tani ne nuk mund ende ta dëbojmë Prokrustin prej komuniteteve tona, një nga gjërat që mund të bëjmë është që këtu e tutje të flasim zëshëm për pasojat mbi shëndetin mendor që i ka shtrati i tij. Prej tani në bisedat tona do të mundohemi të jemi më të ndjeshëm kur ai do të ndërhyjë me ndonjë fjalë-çekiç “gruaja/burri duhet”, ose kur ai do të dalë në ndonjë video TikTok-u duke u ligjëruar adoleshentëve për burrërinë, ose kur do ta shohim Prokrustin në ndonjë fotografi të parisë së ndonjë partie politike duke përqafuar 20 burra udhëheqës të moshuar, dhe përreth tyre asnjë të ri e as edhe një grua.

Muhamed Veliu

Muhamed Veliu

Muhamed Veliu ka kryer studimet e psikologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit "Shën Kirili dhe Metodi". Ka punuar në Kryqin e Kuq të RMV si kordinator i programeve për mbështetje psikosociale dhe ndihmës së parë psikologjike në kriza. Aktualisht është instruktor në programin "Kryqi i Kuq në Aksion - Promovimi i Vlerave Humane" (KKA - PVH) dhe punon si Geshtalt psikoterapist nën supervizim. Njëkohësisht është edhe moderator në podkastin "Llafe t'lira".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia