April 23rd, 2023
Ishte në moshë adoleshence kur e intervistuara e Mollëkuqja.mk, e cila vendosi të ngelet anonime, njoftoi atë që në atë kohë, konsideronte që ishte i dashuri ideal për të – deri kur edhe pse me shumë vështirësi, e kuptoi që në fakt, ishte viktimë e dhunës psikologjike.
Vetëm kur një viktimë e dhunës psikike del nga ajo lidhje, e kupton që ka qenë viktimë. Mendoj që ka të bëjë shumë edhe mënyra se si vajzat rriten por edhe mosha në të cilën të njëjtat ndodhen atëherë kur mund të përjetojnë dhunë psikike. Dhuna psikike është shumë e vështirë për ta njohur, andaj mendoj se duhet me patjetër të flasim për mënyrat se si ta njohim të njëjtën
Ajo sot e kësaj dite, edhe pse kanë kaluar vite nga përfundimi i lidhjes, po e rindërton veten. Thotë se megjithatë, ka gjetur forcën të kthejë besimin te vetja, të dashurojë veten ashtu siç është, dhe të jetë e fortë para çdo sfide.
Dhunuesi shumë shpesh di të të bëjë të besosh se ti je fajtore për sjelljet e tij dhunuese, andaj kam dalë nga ajo lidhje plotësisht pa vetëbesim, nuk e njihja veten sepse më kishte detyruar të tjetërsohem dhe të bëhem tjetër njeri. Vlen të theksohet se pa marrë parasysh sa e nënshtruar është viktima, dhunuesi asnjëherë nuk është i kënaqur. Është dashur të punoj shumë me veten për t'u bërë një grua e fortë që nuk toleron të shkelet nga askush
Dhuna psikologjike jo gjithmonë është e dukshme ndërsa shumë më e vështirë është të jesh e vetëdijshme se po përjeton diçka të tillë, gjatë kohës që po e përjeton atë. Kjo sepse sipas të intervistuarës tonë, shpesh herë kjo dhunë ngatërrohet me dashuri.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale mban statistika për situatën me dhunën në familje, sipas të dhënave të marra nga 30 qendra për punë sociale që mbulojnë të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.
Për sa i përket viktimave të dhunës në familje dhe dhunës psikologjike , të dhënat që cilat i siguroi Mollëkuqja nga kjo ministri për katër vitet e fundit janë alarmante. 1279 gra vetëm gjatë vitit 2022 janë evidentuar si viktima të dhunës psikologjike në familje ndërsa numri i burrave viktima të dhunës psikologjike në familje gjatë katër viteve të fundit, mesatarisht është rreth 210.
Kjo është situata sipas të dhënave nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale e përgatitur nga Mollëkuqja.
Dhuna në cilën do formë dhe manifestim të jetë është një sjellje antisociale dhe e papranuar. Kur flasim për dhunën psikologjike e kemi parasysh natyrën e saj "të heshtur" që lëndon më shumë se goditjet fizike dhe shenjat apo pasojat që len pas janë më të mëdha dhe afatgjate. Kështu shprehet për Mollëkuqja, psikologia dhe profesoresha universitare Fatime Ziberi.
Një e bërtitur, qortim, ofendim apo manipulim emocional janë sjelljet tipike të dhunës psikike mos harrojmë këtu dhe injorimin dhe neglizhencën që janë ndër sjelljet tipike të kësaj forme dhune. Janë të shumta rastet e dhunës psikike tek çiftet dhe aq më shumë kur përdorimi i tepërt i teknologjisë ndikon në mungesë komunikimi dhe e bënë këtë dhunë akoma më të theksuar.
Fatime Ziberi, psikologe
Viktimat e këtij lloji të dhunës e përjetojnë atë dy herë. Fillimisht, gjatë kohës që janë në lidhje dhe e kanë të vështirë ta kuptojnë se çfarë po përjetojnë dhe e dyta pas denoncimit, pasi viktima ka të ngjarë shpesh herë të stigmatizohet dhe paragjykohet nga rrethi.
Ziberi shtoi se dhuna nuk është dhe nuk duhet të jetë "çështje familjare", dhe brenda katër murreve të një familjes, por gjithkush që mund të ndihmojë, duhet ta bëje atë.
"E para arsye është se merr më shumë kohë deri në identifikimin e saj ku kemi një miks ndjenjash tek viktimat, faji, turpi dhe bindjet kulturore dhe sociale që vështirësojnë trajtimin e tyre. Arsye e dytë është se edhe pasi të jetë e identifikuar si e tillë, trajtimi vështirësohet nga fakti se "janë çështje familjare" në mes çiftit ku pala e tret të themi nuk është e përfshirë. Pra edhe në rast të qenurit viktimë ndjesia se do të paragjykohen dhe stigmatizohen i ndalon ato të raportoj dhe flasin për këtë fenomen." tha Ziberi.
Siç e kemi theksuar edhe më lartë, shpesh herë viktimat e dhunës psikologjike nuk e kuptojnë që në fakt po dhunohen ndërsa një pjesë e madhe e tyre, nga manipulimet e vazhdueshme nga ana e partnerëve, fillojnë të besojnë se në fakt faji qëndron tek ata dhe jo te partneri dhunues.
Por, si ta kuptojmë se jemi viktima të dhunës psikologjike në lidhje?
Kontrolli i tepërt është një indikator për këtë lloj dhune. Një lidhje ku respektohen dhe ndiqen "urdhrat" e njërit partner, kushtëzimet dhe cenimi i integritetit personal gjithashtu na flasin për nivel të dhunës. Uroj që të rinjtë të vetëdijesohen për pasojat e lidhjeve toksike pasi që e dimë se nuk është e lehtë te dilet nga një lidhje e tillë, atashimi apo lidhje emocione është e vështirë por sa më herët të vërehen këto tendenca është mirë që e njëjta të përfundoj pasi që pasojat në mirëqenien dhe shëndetin mental janë të shumta si frustracion, stres, ankth, neurozë dhe në raste të shumta këto të përfundoj edhe në gjendje depresive dhe psikoza me ide suicidale si zgjedhje e vetme për dalje nga kjo situatë
Fatime Ziberi, psikologe
Ndryshe, në vitin 2022 janë regjistruar gjithsej 1191 viktima të dhunës fizike në familje. Pjesa më e madhe tyre janë gra, përkatësisht 942, gjysma e të cilave kanë qenë në atë kohë të martuara. Se shteti nuk bën mjaftueshëm në drejtim të parandalimit dhe sanksionimit të kësaj dukurie, është evidentuar edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare. Përkatësisht në raportin e fundit të Komisionit Evropian, thuhet se vendit i mungojnë masa konkrete në këtë drejtim.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia