September 14th, 2021
“Më mirë të jem një rebele, sesa të jem një skllave!”
Emmeline Pankhurst
Një grua, në fillim është fëmijë dhe motër, e më pas bëhet gruaja e nëna e dikujt. E cilësuar si e brishtë dhe e pa aftë të marrë vendime, e trajtuar shpesh edhe si “pronë”, është krijesë e pa rrezikshme derisa hesht, duron dhe sakrifikon. E edukuar për të kryer detyrën e “shërbyesit”, çdo lëvizje e saj për të drejta është quajtur si e pa vend, e pa nevojshme dhe e tepërt. Njësoj, në një botë ku pa ndryshueshmëria sjellë siguri, çdo përpjekje për më shumë të drejta është pritur me plot dyshime dhe përçmim. Përçmim ky që të sjellë frikë, e frika synon të risjellë heshtjen. Kështu, në Britaninë e Madhe, kur gratë me anë të protestave të organizuara tentonin të fitonin të drejtën e votës, të njëjtat u quajtën sufragjete. Mirëpo ky term nuk do t’i ndalte gratë e Britanisë, të cilat e përvetësuan këtë titull nga përdorimi tallës dhe fyes i tij duke i thënë kuptim tjetër. Më vonë, çdo grua që luftonte do të quhej një sufragjete.
Filmi “Suffragette” i vitit 2015 me skenar të Abi Morgan dhe regji të Sarah Gavron, si në përmbajtje ashtu edhe në numrin e grave në ekip frymon sufragjist. Duke mos mbaruar me një triumf, filmi ashtu siç edhe bënë me dije në hyrje është vetëm një histori e një grup grash punëtore që iu bashkuan luftës për të drejtën e votës. Filmi, ndryshe nga si mendohet, nuk përshkruan rrugëtimin e aktivistes Emmeline Pankhurst (Meryl Streep), përkundrazi kjo e fundit shihet vetëm në një skenë në film. Filmi hedh një vështrim mbi gratë “e pa rëndësishme, e pa rrezikshme, e pa guximshme dhe/ose të rëndomta”. Që në skenën hyrëse, me prologun se gratë drejtoheshin mjaftueshëm mirë nga burrat dhe me pamjet nga lavanderia ku punonin gratë, regjisorja Gavron përshkruan gjendjen e grave në Londrën e vitit 1912 dhe jo vetëm. Në vazhdim ne njihemi me tre gra: Maud Watts (Carey Mulligan), grua dhe nënë e cila privohet nga të dy statuset kur nis të luftojë për të drejtat e veta; Emily Davison (Natalie Press), aktiviste që pa iu trembur syri hidhet para kalit të mbretit dhe privohet nga e drejta e të jetuarit, vetëm për ta dëgjuar bota zërin e saj; dhe Edith Ellyn (Helena Bonham Carter-emri i vërtetë i aktivistes Edith Garrund), farmaciste që ka besimin dhe mbështetjen e të shoqit në nismë, por që privohet nga shëndeti përshkak të torturimeve të vazhdueshme që i bëhen gjatë protestave dhe burgimeve.
Filmi nis me fjalimin inkurajues të Alice Haughton (Romola Garai), gruas së deputetit, për gratë e lavanderisë që të dëshmojnë në një komision parlamentar për të fituar të drejtën e votës. Violet Miller (Anne Marie Duff), është aktivistja dhe punëtorja që do pranojë të shkojë në këtë mbledhje por për shkak të abuzimit nga i shoqi, në moment të fundit detyrohet të lus Maud-in të dëshmoj në emër të saj para dhjetra burrash parlamentar. Me shpresë se gjithçka do të ndyshonte, gratë sërish zhgënjehen. Alice zhgënjehet nga i shoqi. Ky i fundit, “turpërohet” nga veprimet e gruas së tij dhe nuk e le më të shoqen të shoqërohet dhe të kërkojë të drejtën për votë me gratë e tjera. Maud në anën tjetër, ende pa mos kuptuar mirë se ç’po bën, por me dëshirën që të ndryshojë diçka, pa e ditur edhe vetë mirë se çka, nis rrugëtimin për t’u bërë aktiviste. Për këtë, dialogu mes saj dhe të shoqit Sonny është sa mallëngjyes aq edhe qartësues:
Maud: Po të kishim një vajzë si do ia vendosje emrin?
Sonny: Margaret. Është emri i nënës time.
Maud: Çfarë jete do të kishte?
Sonny: Njësoj si e jotja.
Ky dialog në dhomën e gjumit, në vendin më intim të tyre, arsyeton kërkesat e Maud-it, ashtu si edhe të të gjithë grave. Maud duke kërkuar të drejtën e votës, kërkon të drejta të barabarta për të gjithë vajzat që do lindnin. Maudi kërkon shpresë për një jetë më të mirë.
Filmi realizohet në nuanca përpjekjesh, grindjesh e luftërash të pafunda. Maudi i arsyeton sufragjetet dhe kohën duke thënë ‘Ne po thyejmë xhama, ne po ndezim zjarre! Sepse e vetmja gjuhë që meshkujt kuptojnë është: Lufta!’. Në luftën për të fituar të drejtën e votës, në shumë skena që tregojnë përjashtimin e grave luftëtare nga shoqëria, ajo që lë më shumë përshtypje është skena kur i shoqi nga shtëpia, dhe punëdhënësi nga lavanderia, e dëbojnë Maudin. Gratë në lagje dhe ato në punë ndjejnë vetëm keqardhje dhe nuk i arsyetojnë veprimet e Maudit. Maudi sipas tyre merr atë që e ka merituar.
Ndër të tjerat, në film shprehet në mënyrë të theksuar problem i abuzimit në mënyrë verbale dhe fizike në punë dhe ai i punëtorëve fëmijë. Maudi, është një nga gratë e shumta që ka lindur, ka punuar si e mitur, është ngacmuar nga punëdhënësi dhe për shkak se është grua është paguar më pak. Mirëpo edhe pse filmi s’mbaron me triumf ai jep shpresë. Është Maudi ajo që shpëton vajzën e Violetës nga të gjitha gjendjet e lartëpërmenduara.
I biri i Maudit ashtu siç e kishte mësuar i ati, e quan të ëmën jo të shëndoshë psiqikisht por kjo nuk e ndalon Maudin. Maudi gjatë filmit arrin të kuptoj se ajo dhe të gjithë gratë janë gjysma e popullësisë. Ajo dhe gjitha gratë tjera ndodhen në çdo shtëpi. Maudi dhe të gjitha gratë nuk ndalen… nuk i ka ndalur historia, nuk do ketë fuqi t’i ndal askush, asnjëherë. Ky film që i atribohet grave të shekullit XX është rikujtim për gratë e shekullit XXI që të jenë rebele.
Besa Tusha aktualisht është studente e vitit të fundit në universitetin e Arteve të Bukura "Mimar Sinan" në Stamboll. Ajo ka punuar si asistente e regjisë në disa filma studentor atje. Përveç kësaj ka qenë pjesë e stafit në Festivalin e Filmave të Shkurtë dhe Dokumentar "DokuFest" në Prizren. Besa ka qenë edhe pjesë e jurisë në edicionin e tretë të Festivalit të Filmave të Shkurtë "KFYD" në Turqi.
TË NDRYSHME
"Më shau si nëpër dhëmbë", shoqëria s'i ul dot gratë në krye të "odës", rrëfe...
Fisnik Xhelili
23/05/2023
Qytetarët marshuan më 8 mars: "A do të mbijetojnë gratë këtu?"
Rita Behadini
08/03/2023
Historike, për herë të parë dy arbitre shqiptare do të drejtojnë një ndeshje ...
Fisnik Xhelili
29/01/2024
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia