tim-mossholder-ucurohsjfra-unsplash.jpg

Përplasja e diskriminimit gjinor dhe biologjisë në vuajtjet autoimune të grave

N'THELB

October 14th, 2024

Sëmundjet autoimune janë një grup prej rreth 80 gjendjesh kronike ku sistemi imunitar i trupit sulmon indet e veta, të cilat prekin gratë në mënyrë disproporcionale. Sëmundjet si lupusi eritematoz sistemik, artriti reumatoid dhe sklerodermia godasin gratë gati katër herë më shumë se sa burrat. Gjersa pjesa më e madhe e bisedës përqendrohet në dallimet biologjike, një kuptim më i thellë dhe i saktë ndërlidh këndvështrimin feminist me atë mjekësor. Nuk janë vetëm trupat e grave që i bëjnë ato më të ndjeshme, janë gjithashtu paragjykimet sistematike gjinore, pritshmëritë shoqërore dhe funksionimi i sistemit shëndetësor me burrat në qendër.

Nga pikëpamja mjekësore, një nga arsyet kryesore për pabarazinë e sëmundjeve autoimune është dallimi hormonal. Estrogjeni, një hormon mbizotërues tek gratë, ka ndikim të thellë në funksionin imunitar. Derisa ky hormon rrit përgjigjen imune, duke u siguruar grave elasticitet më të madh kundër infeksioneve, ai gjithashtu mund ta nxisë sistemin imunitar të jetë më aktiv. Kjo përgjigje intensive mund të rezultojë mbrapsht, duke e nxitur sistemin imunitar të sulmojë gabimisht qelizat e shëndetshme të organeve dhe indeve, gjë që është shenjë dalluese e sëmundjeve autoimune.

Për shembull, sëmundjet si lupusi eritematoz sistemik priren të përkeqësohen gjatë periudhave të luhatjeve hormonale si: shtatzënia, cikli menstrual dhe menopauza, duke e treguar edhe më tej lidhjen midis estrogjenit dhe keqfunksionimit autoimun. Pavarësisht dokumentimit të hollësishëm të këtyre ndikimeve hormonale, ka ende mangësi në studimin e rëndësisë së tyre të plotë. Kjo ndodh kryesisht për shkak të margjinalizimit historik të shëndetit të grave në studimet mjekësore. 

Kritikat feministe theksojnë se ciklet unike hormonale të grave shpesh shihen si variabla të papërshtatshme dhe jo si faktorë të rëndësishëm të denjë për studim. Kjo neglizhencë përjetëson një sistem të kujdesit shëndetësor që ende po lufton për të kuptuar dhe trajtuar në mënyrë efektive sëmundjet autoimune tek gratë.

Kur shohim pas historinë mjekësore në detaje, zbulojmë një tendencë shqetësuese të paragjykimit gjinor që ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë edhe sot. Gratë, veçanërisht ato në moshën riprodhuese u përjashtuan nga studimet klinike për dekada, sepse mendohej se luhatjet e tyre hormonale ishin shumë të ndërlikuara. Kjo qasje diskriminuese e dëmtoi të kuptuarit e zhvillimit të sëmundjeve autoimune tek gratë.

Mungesa e studimit gjithëpërfshirës rezultoi me mungesë të terapive efektive për trajtimin e sëmundjeve autoimune tek gratë. Gjersa sëmundjet e këtilla janë shumë të përhapura tek gratë, trajtimet dhe medikamentet janë ende të përpiluara kryesisht në bazë të studimeve të kryera tek burrat, duke çuar shpesh në diagnozë të gabuar, trajtim joadekuat dhe doza të pasakta të ilaçeve. 
Dhimbja dhe simptomat e grave shpesh hidhen poshtë si psikosomatike, duke reflektuar një tendencë shoqërore të rrënjosur thellë që minimizon vuajtjet e grave.

Përtej biologjisë dhe studimeve, normat shoqërore luajnë një rol të rëndësishëm në arsyen se përse gratë vuajnë më shumë nga sëmundjet autoimune. Nga gratë shpesh pritet që të adaptojnë role të shumta, të balancojnë karrierën, familjen dhe përgjegjësitë shtëpiake, gjë që i ka çuar gratë në stres kronik. Stresi është një shkaktar serioz i shpërthimeve autoimune dhe gratë e përjetojnë atë në mënyrë disproporcionale për shkak të pabarazisë gjinore në vendet e punës. Pritshmëritë që gratë “t'i menaxhojnë të gjitha” krijon një mjedis që shkakton tendosje psiqike, i cili i përkeqëson simptomat e sëmundjeve autoimune.

Ky stres kronik vjen gjithashtu edhe nga “shërbimet” emocionale që gratë pritet t'i ofrojnë, duke u kujdesur për të tjerët edhe atëherë kur ato kanë luhatjet e veta emocionale. Gratë me sëmundje autoimune shpesh lihen të menaxhojnë sëmundjen e tyre bashkë me peshën e kujdesit për të tjerët, duke e shtuar ngarkesën fizike dhe mendore që ato e kanë, gjë që pastaj rrjedhimisht çon në përkeqësimin e shëndetit të tyre. 

Gratë janë gjithashtu më të ekspozuara ndaj disa rreziqeve mjedisore që kontribuojnë në zhvillimin e sëmundjeve autoimune. Shumë sëmundje autoimune shkaktohen nga faktorë mjedisorë si infeksionet, kimikatet dhe ndotësit. Gratë, veçanërisht ato me të ardhura më të ulëta, shpesh punësohen në ambiente që rrisin ekspozimin e tyre ndaj këtyre faktorëve nxitës, siç janë: kujdesi shëndetësor, shërbimet e pastrimit dhe industritë e bukurisë. 

Për më tepër, gratë janë konsumatorët kryesorë të produkteve të bukurisë dhe të kujdesit personal, të cilat shpesh përmbajnë kimikate që janë të dëmshme për sistemin imunitar.  

Në thelb të çështjes është një sistem i kujdesit shëndetësor ende i zhytur në normat patriarkale. Simptomat e grave shpesh minimizohen ose injorohen, një fenomen i rrënjosur në idetë shekullore se gratë janë më të prirura ndaj "histerisë" dhe ekzagjerimeve emocionale. Studimet kanë treguar se gratë me sëmundje kronike presin më gjatë për diagnostikim, marrin më pak terapi kundër dhimbjes dhe kanë më shumë gjasa që simptomat e tyre të konsiderohen si shpërthime emocionale.

Kjo pabarazi gjinore tek sëmundjet autoimune kërkon një qasje që sfidon sistemin mjekësor dhe normat shoqërore. Sistemet e kujdesit shëndetësor duhet të strukturohen që të ofrojnë mbështetje dhe trajtim gjithëpërfshirës, duke ofruar jo vetëm trajtim mjekësor, por edhe kujdes psikologjik dhe social për të adresuar vështirësitë specifike me të cilat përballen gratë.

Shoqëria duhet të ndryshojë të kuptuarit e saj për kujdesin, stresin dhe punën. Lëvizjet feministe duhet të nxisin politika që inspirojnë trajtim më të mirë për gratë në të gjitha rrafshet e jetës, që nga ndarja proporcionale e punëve shtëpiake, deri tek mjediset e punëve profesionale, politika që identifikojnë sëmundjet kronike dhe jua japin rëndësinë e duhur. Stresi kronik duhet të trajtohet si një problem social i përbashkët dhe jo si një shqetësim individual që gratë duhet ta menaxhojnë të vetme. 

Ndikimi joproporcional i sëmundjeve autoimune tek gratë nuk është vetëm një aksident biologjik, por një reflektim i pabarazive gjinore në shumë aspekte të jetës. Një perspektivë e feministe e gërshetuar me atë mjekësore zbulon se këto sëmundje formohen jo vetëm nga hormonet dhe gjenetika, por edhe nga sistemet patriarkale që minimizojnë dhimbjet e grave dhe i ngarkojnë ato me role dhe pritshmëri surreale.

Për të trajtuar këtë pabarazi, ne nuk duhet të kërkojmë vetëm përgjigje biologjike, por edhe të përballemi me strukturat shoqërore që fuqizojnë ndjenjat dhe vuajtjet e grave. Vetëm atëherë mund të sigurojmë një sistem shëndetësor të drejtë dhe të barabartë që u shërben proporcionalisht nevojave të të gjithëve.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Blerina Qamili

Blerina Qamili

Blerina Qamili është lindur në Tetovë në vitin 1993 dhe është diplomuar në Mjekësi të Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Tetovës. Ajo tani po e vazhdon përsosjen e saj profesionale si specializante e Nefrologjisë në Fakultetin e Mjekësisë - Universiteti "Shën Kirili dhe Metodi" Shkup.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia