pink-minimalist-gynecologist-logo-(60).png

Një dekadë, afër dy mijë viktima - kanceri i prostatës shumë prezent te burrat në Maqedoninë e Veriut

N'THELB

November 20th, 2023

Afër katër mijë raste me kancer të prostatës janë regjistruar në Maqedoninë e Veriut në dhjetë vitet e fundit (2012-2021), gjysma prej tyre nuk arritën ta fitojnë betejën me sëmundjen. Ky lloj i kancerit është i dyti më i shpeshtë te burrat në vend, menjëherë pas kancerit të bronkeve dhe mushkërive.

Nga gjithsej 3,738 raste të regjistruara nga viti 2012, më shumë raste u regjistruan në vitin 2018, përkatësisht 477 raste për vetëm një vit ndërsa numri më i lartë i vdekjeve ishte në vitin 2020, edhe atë 204.

kanceri-i-prostates-ne-rmv-2012-2021.png

Sipas kësaj, mesatarja e rasteve të regjistruara për dhjetë vite është 373, ndërsa mesatarja e vdekjeve për dhjetë vite është 189.

Aktualisht në Klinikën Universitare për Radioterapi dhe Onkologji në Shkup trajtohen 2002 pacientë, thanë për Mollëkuqja nga kjo klinikë, duke theksuar se në pesë vitet e fundit për trajtim tek ata janë paraqitur rreth 300-400 pacientë të rinj, çdo vit.

Sipas tyre, problemi qëndron tek diagnostikimi i vonshëm.

“Vërejmë se bëhet fjalë për pacientë në stade më të avancuara, pra nuk përfshihen pacientët në fazën e parë të hershme të sëmundjes, kur mjafton vetëm monitorimi”, thanë nga Klinika për Radioterapi dhe Onkologji.

Për këtë, urologët disa herë kanë alarmuar se ka vetëdije të ulët të qytetarëve për kontrolle sa më të shpeshta, në mënyrë që diagnostikimi të jetë më i hershëm. Se çfarë bëjnë në këtë drejtim – e ku çalojnë, mendim morëm edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

“Për momentin po bëhen vlerësime dhe përpjekje për realizimin e skriningut të prostatës, në afat të mesëm dhe afatgjatë sipas mundësive, pas së cilës Ministria do të informojë opinionin”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.

Kanceri i prostatës është më i shpeshtë te burrat e moshës mbi 40 vjeçe, megjithatë edhe moshat më të hershme preken nga sëmundja. Modalitetet terapeutike të disponueshme në Klinikën për Radiologji dhe Onkologji për trajtimin e kësaj sëmundjeje janë kirurgjia, radioterapia, terapia hormonale, kimioterapia dhe imunoterapia.

Simptomat e sëmundjes janë kryesisht gjaku në urinë, vështirësitë në urinim, urinimi i shpeshtë gjatë natës, dhimbje dhe nevojë e pakontrolluar për të urinuar dhe të tjera. Faktorët e rrezikut për kancerin e prostatës janë të ndryshëm, si mosha, përkatësia etnike, historia familjare, mutacionet gjenetike, prija e duhanit dhe mënyra e të ushqyerit, sëmundjet inflamatore të prostatës, sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe të tjera.

Për të pasur diagnostikim definitiv për kancerin e prostatës duhet konfirmim nga biopsia. Megjithatë, testimet invazive si analiza e agjentit specifik të prostatës (PSA) dhe ekzaminimi digjital rektal i prostatës mund të tregojnë praninë e anomalive të prostatës.

Kujtojmë që muaji nëntor njihet si muaji për rritjen e ndërgjegjësimit për shëndetin e burrave, me theks të veçantë për kancerin e prostatës.

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia