April 11th, 2024
Kanë kaluar disa muaj nga kur Ministria e Shëndetësisë solli vendim që mjekët amë të mos bëjnë teste PAP pa pagesë për gratë secilin vit, por çdo 3 vjet.
Burimi: Fakulteti.mk.
Përktheu: Fisnik Xhelili.
Kundër këtij vendimi reaguan gratë, të cilat pas shumë vitesh më në fund ishin motivuan që të kryejnë rregullisht testin PAP i cili shërben për parandalim dhe reagim në kohë. Gjinekologët amë nga ana tjetër ankohen se pacientët shpesh herë kritikat i drejtojnë te ata, ndërkohë që ata vetëm e zbatojnë vendimin e ministrisë.
"Ndoshta nuk është shumë shtrenjtë për dikë që të bëjë testin, por ka shumë gra që vërtet nuk mund ta përballojnë atë. Pap testi falas ishte në një farë mënyre një nxitje për gratë që ta bënin rregullisht për ta lokalizuar problemin në kohë. Tani besoj se të paktën gjysma e grave nuk do të shkojnë rregullisht për ekzaminim. Me këtë vendim të gabuar, i cili na kthen një hap prapa, Ministria tregon se nuk kujdeset për shëndetin e grave" ,tha Svetlana.
PAP testi është për zbulimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës dhe është e rëndësishme që çdo grua ta bëjë atë rregullisht. Gjinekologët kanë treguar se shumë gra, kur telefonojnë për të lënë termin për PAP test, e anulojnë pasi u thonë se duhet ta paguajnë vetë. Ata nuk janë konsultuar as për këtë vendim, por vetëm janë informuar.
Ky vendim është mbështetur nga Shoqata e Gjinekologëve dhe Obstetërve të Maqedonisë së Veriut (MAGO). Sipas tyre, vendimi për zgjatjen e intervalit nga një herë në vit në çdo tre vjet është bazuar në prova shkencore dhe rekomandime nga një sërë organizatash/shoqatash shëndetësore/profesionale botërore.
Arsyeja e ndryshimit qëndron në faktin se ata sot më mirë e kuptojnë mënyrën sesi zhvillohet kanceri i qafës së mitrës me kalimin e kohës - e dinë se duhen shumë vite për t'u zhvilluar. Hulumtimet gjatë dekadave të fundit kanë treguar se nuk ka asnjë përparësi nëse bëhet PAP testi çdo vit në krahasim me çdo tre vjet.
"Në të njëjtën kohë, përveç PAP testit, sot është i disponueshëm tjetër opsion depistimi për zbulimin e kancerit të qafës së mitrës - testi HPV (HPV nënkupton virusin papilloma human - virus që mund të shkaktojë kancer të qafës së mitrës). Me të dyja analizat, qelizat merren nga qafa e mitrës dhe testohen. PAP testi kërkon qeliza jonormale që mund të zhvillohen në qeliza kanceroze me kalimin e kohës. Testi HPV kërkon llojet e HPV-së që kanë më shumë gjasa të shkaktojnë kancer. Në shumë rajone të botës, testimi për HPV është bërë metoda e preferuar e shqyrtimit të kancerit të qafës së mitrës dhe po përfshihet gjithnjë e më shumë në protokolle, veçanërisht për personat e moshës 30 vjeç e lart, për shkak të ndjeshmërisë dhe specifikës më të madhe në krahasim me testin tradicional të Pap testit. Kjo do të thotë se mund të identifikojë më saktë pacientët në rrezik të zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës dhe të zvogëlojë numrin e rezultateve false-negative", sqarojnë nga MAGO.
Ata shtuan se në nivel ndërkombëtar, OBSH publikoi udhëzues të përditësuar të shqyrtimit në vitin 2021, duke rekomanduar ekzaminimin e kancerit të qafës së mitrës në të gjitha gratë në popullatën e përgjithshme, duke filluar nga mosha 30 vjeç, vetëm me testimin e ADN-së HPV në vend të PAP testit. OBSH rekomandon që ky depistim të bëhet çdo pesë deri në dhjetë vjet deri në moshën 50 vjeç, ku depistimi mund të ndërpritet pas dy testeve negative në intervalet e rekomanduara për depisimin e popullatës së përgjithshme.
"Në vendin tonë ky test është i disponueshëm në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në kuadër të depistimit me bazë HPV- studimi pilot i GAC ka nisur në vitin 2020. Çmimi për një test HPV kushton 500 denarë (5500 denarë privatisht)", sqaron MAGO.
Përveç kancerit të qafës së mitrës, testimi i HPV-së mund të ndihmojë në zbulimin dhe parandalimin e kancereve të tjera të lidhura me HPV-në, si kanceri anal, vaginal, vulvar, penile dhe orofaringeal. Zbulimi i hershëm përmes testimit të HPV mund të lehtësojë ndërhyrjet në kohë dhe të përmirësojë rezultatet edhe për këto lloje kanceri, shton MAGO.
Sot, vaksinimi HPV është masë kryesore parandaluese kundër infeksionit të papillomavirusit njerëzor (HPV), sepse vaksinat HPV janë shumë efektive në parandalimin e infeksionit HPV.
"Vaksinimi kundër HPV-së rekomandohet zakonisht si për djemtë ashtu edhe për vajzat duke filluar nga mosha 9 deri në 12 vjeç, megjithëse mund të administrohet deri në moshën 26 vjeç për vajzat e reja dhe deri në moshën 21 vjeç për djemtë. Preferohet vaksinimi në moshë më të re, sepse është më efektiv kur bëhet përpara ekspozimit ndaj virusit nëpërmjet aktivitetit seksual. Pothuajse në të gjitha vendet e Evropës Perëndimore, të dyja gjinitë janë të vaksinuara. Në vendin tonë, sipas legjislacionit, këtë vaksinë mund ta marrin vetëm vajzat 12 vjeç (dy doza), 15 vjeç (3 doza) dhe 19 vjeç. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se rekomandimet e shqyrtimit mund të ndryshojnë në varësi të faktorëve të tjerë - si mosha e pacientit dhe historia e mëparshme shëndetësore. Prandaj, është thelbësore që çdo vajzë dhe grua të konsultohet me gjinekologun amë të tyre për të përcaktuar së bashku orarin më të përshtatshëm të ekzaminimit bazuar në rrethanat specifike", thekson MAGO.
Sipas gjinekologëve të MAGO, pavarësisht nëse duhet të kontrolloheni për kancerin e qafës së mitrës apo jo, çdo vajzë dhe grua duhet të vizitojë gjinekologun amë të paktën një herë në vit.
"Ekzaminimi rutinë vjetor klinik dhe ekografik është mundësi për zbulimin e hershëm të ndryshimeve beninje dhe malinje në organet e tjera riprodhuese të pacientit (mitra, vezoret, tubat fallopiane, vaginë dhe vulvë). Gjatë ekzaminimit rutinë vjetor, mund të bëhet testimi për IST (infeksione seksualisht të transmetueshme) dhe rekomandimi/këshilla për vaksinën HPV. Vizita vjetore te gjinekologu amë është mundësi që pacienti të ndajë me gjinekologun e familjes shqetësimet e përbashkëta, si dhimbje të vazhdueshme të legenit ose gjakderdhje jonormale, vështirësi në formimin e familjes etj. Vizita rutinë te gjinekologu amë është çelësi për shëndetin e përgjithshëm dhe depistimi i kancerit të qafës së mitrës është vetëm një pjesë e vogël por e rëndësishme", nënvizon MAGO.
Shërbimet shëndetësore bazë që ofrohen nga mjekë gjinekologë të përzgjedhur amë dhe që janë pa pagesë janë: ekzaminimi klinik diagnostik me ekografi transabdominale ose transvaginale dhe Pap testi. Sipas programit për zbulimin e hershëm dhe depistimin e sëmundjeve malinje në Maqedoni për vitin 2024, Pap testi është falas për grupmoshat nga 21 deri në 59 vjeç që nuk kanë bërë Pap test në 3 vitet e fundit.
"Për Pap testin që duhet të bëhet një herë në vit sipas mjekësisë së bazuar në dëshmi, bashkëpagesa që duhet të paguaj i siguruari është 60 denarë. Nëse Pap testi duhet të bëhet privatisht, çmimi i tij referencë sipas Fondit për Sigurim Shëndetësor është 600 denarë", informojnë nga MAGO.
Sipas të dhënave të Institutit për Shëndet Publik, kanceri i qafës së mitrës është kanceri i gjashtë më i shpeshtë te gratë në Maqedoninë e Veriut në 10 vitet e fundit, me incidencë prej 17,57/100.000 dhe mesatarisht 51 vdekje në vit.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
TË NDRYSHME
Arbnora Memeti në "Llafe Grash": Pa marrë parasysh për çka flet, merr komente...
Rita Behadini
23/01/2024
Në RMV më shumë gra me depresion, ndër shkaqet kryesore pozita e tyre në shoqëri
Fatlume Dervishi
11/05/2023
Shumë gra në Maqedoninë e Veriut krijojnë familje monoprindërore përmes sperm...
Ardit Ramadani
30/06/2023
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia