simple-inspirational-motivational-quote-instagram-post-(1440--550px)-(1).png

Në RMV më shumë gra me depresion, ndër shkaqet kryesore pozita e tyre në shoqëri

N'THELB

May 11th, 2023

Diskutimi për depresionin si gjendje mendore vazhdon të rrethohet nga stigma dhe paragjykimi por ajo është një sëmundje që mund të prekë këdo. Shifrat e dekadës së fundit në vendin tonë tregojnë se rastet e diagnostikuara me depresion kanë shënuar rënie por askush nuk e din se sa persona me depresion mbesin të padiagnostikuar kurrë, si pasojë e fshehjes së simptomave, moskërkim të ndihmës së ekspertëve, frikës nga paragjykimi dhe ngjashëm.

Instituti i Shëndetit Publik ndau me ne të dhënat më të fundit që kanë, të cilat në fakt janë për periudhën 2012-2021 në të cilat analizohen statistikat për të gjitha gjendjet e shëndetit mendor. Me depresion në vend në vitin 2021 janë regjistruar 263 raste. Kjo shifër ka qenë shumë më e lartë, gjegjësisht 889 në vitin 2012.

foto---2023-05-10t225929.886.png

Ulja e numrit të rasteve me depresion tek ne, sidomos në tre vitet e fundit të analizës së IShP-së, nuk korrespondon me rastet e depresionit në botë, të cilat që nga pandemia kanë shënuar rritje të konsiderueshme. Besohet se nga depresioni në botë vuajnë përafërsisht 280 milion njerëz. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vetëm në vitin e parë të pandemisë pati një rritje prej 28% të rasteve me depresion në të gjithë botën.

E deri sa në disa vende me shëndetësi të avancuar ka ca kohë që flitet hapur për sëmundjet mendore, shoqëria jonë akoma i konsideron këto tema si tabu, të turpshme, të pakapshme dhe të largëta. Në fakt, depresioni, të paktën në një fazë në jetë, mund të prekë secilin.

PSIKOLOGËT: DEPRESIONI PREK MENDJEN DHE TRUPIN  

Muaji maj është muaji i ndërgjegjësimit të shëndetit mendor. Mollëkuqja zhvilloi një bashkëbisedim me psikologen Hatixhe Sefa, themeluese e Qendrës Savant, e cila e përshkruan depresionin si një sëmundje që përfshin jo vetëm mendjen apo trurin, por tërë trupin, duke ndikuar në mënyrën sesi një person ushqehet, fle, ndihet për veten e tij dhe si mendon. Ajo kujton se depresioni mund t’i ndodhë kujtdo.

image.jpeg

Depresioni nuk është një gjendje normale kalimtare e mendjes, dhe nuk është as shenjë e dobësisë personale, as situatë që mund të "shuhet". Nuk i takon personit të prekur që të vendosë të “mbledhë veten” dhe të përmirësohet. Depresioni është shumë më larg se një shqetësim ose vuajtje normale: është një sëmundje që përfshin shenja dhe simptoma që zgjasin javë, muaj apo vite, pa njohjen e gjendjes ose pa trajtimin e duhur. Ai përfshin një gjendje të dëshpëruar ose humbje të kënaqësisë ose interesit për aktivitete për periudha të gjata kohore

thotë psikologia Sefa.

Personat që janë në depresion shpesh mund të përjetojnë një tërheqje nga rutina e mëhershme, gjë e cila ndikon në marrëdhëniet e tyre me familjen, miqtë dhe rrethin. Në mungesë të njohurive, individi i prekur mund ta ketë të vështirë të identifikojë se çfarë po ndodh me të. Mjekët thotë se njerëzit që kanë përjetuar abuzime, humbje të ndryshme ose ngjarje traumatike dhe të rënda kanë më shumë gjasa të zhvillojnë këtë gjendje mendore. Gjithashtu është konfirmuar se 80% e njerëzve me gjendje mendore (një ndër të cilat është dhe depresioni) jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

SI TË DALLOJMË NJË PERSON ME DEPRESION?

Listojmë disa nga simptomat më të zakonshme që karakterizojnë një person i cili vuan nga depresioni.

  • Ndjenja e trishtimit, lot, zbrazëti ose dëshpërimi

  • Shpërthime zemërimi, nervozizëm ose zhgënjim, edhe për çështje të vogla

  • Humbje interesi ose kënaqësie në shumicën ose të gjitha aktivitetet normale, të tilla si seksi, hobit ose sportet

  • Çrregullime të gjumit, pagjumësi ose gjumë i tepërt

  • Lodhje dhe mungesë energjie, në mënyrë që edhe për detyrat më të vogla të duhet përpjekje shtesë

  • Ulje e oreksit dhe humbja peshës ose e kundërta, rritje e dëshirës për ushqim dhe shtim në peshë

  • Ankth, agjitacion ose shqetësim

  • Ngadalësimi i të menduarit, të folurit ose lëvizjeve të trupit

  • Ndjenjat e pavlefshmërisë ose fajit, fiksimi i dështimeve të së kaluarës ose vetëfajësimi

  • Probleme me të menduarit, përqendrimin, marrjen e vendimeve dhe kujtimin e gjërave

  • Mendime të shpeshta ose të përsëritura të vdekjes, mendime vetëvrasëse, përpjekje për vetëvrasje ose vetëvrasje

  • Probleme fizike të pashpjegueshme, të tilla si dhimbje shpine ose dhimbje koke

Vetëm 2 në çdo 5 persona që përjetojnë një gjendje psikologjike të çrregulluar dhe simptomat e lartpërmendura kërkojnë ndihmë në vitin e fillimit të çrregullimit.

…nëse nisemi nga fakti që një numër i konsiderueshëm i njerëzve duke i trajtuar simptomat fizike të depresionit (kokëdhembje, dhimbje në shpine, etj.), apo që jo çdoherë mjeku amë mund të detektojë shpejtë se pas simptomave fizike ka një depresion, kjo ndikon që të ulet probabilitetin që individi i prekur nga depresioni të marrë një diagnozë të tillë, të kërkojë ndihmë për depresionin e tij dhe të trajtohet. Prandaj mund të themi që një numër i konsiderueshëm i personave të prekur nga depresioni nuk diagnostikohen fare apo diagnostikohen kur kalojnë në depresion të thellë

tha psikologia Sefa.

GRATË, MË TË PREKURA NGA DEPRESIONI

Sipas OBSH-së depresioni është rreth 50% më i zakonshëm tek gratë sesa tek burrat. Në këtë ndikojnë faktorët socio-ekonomik si pozita e grave në shoqëri, trajtimi i tyre, përvojat dhe ngjarjet negative të jetës.

Këtë konkluzion të OBSH-së e konfirmojnë edhe shifrat e depresionit të vend, të cilat janë rezultat i analizës së Institutit të Shëndetetit Publik në vendin tonë. Për secilin nga vitet që përfshin analiza, gratë janë dy herë, deri në tre herë më të prekura nga depresioni, se sa burrat.

depresioni---mkd-1683749655.png

“Faktorët e rrezikut specifik gjinor për depresionin që prek në mënyrë disproporcionale gratë përfshijnë dhunën me bazë gjinore, disavantazhin socio -ekonomik, pabarazinë e të ardhurave dhe të ardhurat e ulëta, statusin dhe rangun e ulët ose të varur shoqëror dhe përgjegjësinë e pandërprerë për kujdesin e të tjerëve. Prevalenca e lartë e dhunës seksuale ndaj së cilës ekspozohen gratë dhe shkalla e lartë e Çrregullimit të Stresit Post Traumatik (PTSD) pas dhunës së tillë, i bën gratë grupi më i madh i vetëm i njerëzve të prekur nga ky çrregullim”, thotë psikologia Hatixhe Sefa.

Ndërsa, sipas moshës, mosha me e predispozuar për të vuajtur nga depresioni është 55 deri 64 vjeç dhe kjo vlen për të dy gjinitë.

depresioni-mkd-mosha.png
KËRKONI NDIHMË PËR DALJE NGA DEPRESIONI

Psikologia Hatixhe Sefa radhit rekomandimet e ekspertëve për personat që janë ose ndjejnë se mund të jenë të prekur nga depresioni.

  • Qasjet efektive për të parandaluar depresionin përfshijnë programe preventive në shkolla për të mësuar një model pozitiv të përballimit tek fëmijët dhe adoleshentët,

  • Këshillimi për prindërit e fëmijëve me probleme të sjelljes mund të zvogëlojë simptomat e depresionit prindëror dhe të përmirësojnë rezultatet për fëmijët e tyre,

  • Ushtrimet psiko-fizike për personat e moshuar mund të jenë gjithashtu efektive në parandalimin e depresionit,

  • Kujdesi për veten mund të luajë një rol të rëndësishëm në menaxhimin e simptomave të depresionit dhe promovimin e mirëqenies së përgjithshme,

  • Përpiquni të vazhdoni të bëni aktivitete që ju pëlqenin më parë; qëndroni të lidhur me miqtë dhe familjen; ushtroni rregullisht dhe ecni në këmbë edhe nëse është vetëm një shëtitje e shkurtër,

  • Respektoni zakonet e rregullta të të ngrënit dhe gjumit sa më shumë që të jetë e mundur,

  • Shmangni ose reduktoni alkoolin dhe mos përdorni droga apo ilaçe pa përshkrim të mjekut sepse mund ta përkeqësojnë gjendjen tuaj,

  • Bisedoni me dikë që keni besim për ndjenjat tuaja; kërkoni ndihmë nga një profesionist i shëndetit mendor,

  • Asnjëherë mos qëndroni pasiv, bëni sa më shumë aktiviteti dhe dëshmoni vetes tuaj për çdo potencial që kishit, kështu rrisni vetëvlerësimin dhe vetëbesimin tuaj,

  • Jepini vetes kohë dhe merrni shpresën nga miqtë, familjarët apo njerëzit që ju mbështesin.

Në shënimin e ditës botërore të shëndetit mendor, 10 tetor 2022, Instituti i Shëndetit Publik renditi disa nga rekomandimet për bashkëpunim ndërinstitucional, investime dhe strategji ndërkombëtare për të siguruar shërbime lehtë të qasshme dhe cilësore për personat që vuajnë nga ndonjëra nga gjendjet e shëndetit mendor.

“Nevojitet mbështetje për ndërhyrjet për mirëqenie gjatë gjithë jetës duke filluar nga shtatzënia, lindja, fëmijëria e hershme, adoleshenca e hershme, mosha e rritur dhe deri në moshën madhore. Duhet të punohet për të përmirësuar përcaktuesit socialë të shëndetit, si dhe për të thyer stigmën dhe diskriminimin në lidhje me shëndetin mendor, të cilat vazhdojnë të jenë pengesë për përfshirjen sociale dhe qasjen në kujdesin real”, rekomandon Instituti i Shëndetit Publik.

Në vitin 2018 në vend u miratua Strategjia nacionale për avancimin e shëndetit mendor në Republikën e Maqedonisë së Veriut për periudhën 2018-2025. Deri tani nuk është analizuar niveli i zbatimit të saj për t’u detektuar masat në të cilat shteti shënon ngecje.

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi është gazetare e diplomuar dhe redaktore në televizionin Alsat M. Ajo ka kryer studimet master për Marrëdhënie me Publikun. Fatlumja shkruan më tepër për tema politike, të edukimit dhe të diplomacisë. Ajo ka marrë pjesë në shumë projekte tjera për verifikim të fakteve.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia