Untitled-design-19.png

Pandemia në Maqedoninë e Veriut reduktoi dukshëm kontrollet për kancer të gjirit

PASOJA

January 12th, 2022

Pandemia me sëmundjen Covid-19, ashtu sikur te çdo sëmundje tjetër, ka ndikuar edhe tek kanceri i gjirit, ku për shkak të ngarkesës së kapaciteteve spitalore, por edhe rrezikut për infektim me virusin korona, shumë pacientë kanë prolonguar kontrollet rutinë.  Dr. Nino Vasev, onkolog dhe drejtor i Spitalit Onkologjik në Shkup thotë se nuk kanë statistika për uljen që kanë shënuar kontrollet në vendin tonë, por që sipas tij ka ulje të dukshme në tërë Evropën. 

“Gjithandej në Evropë, jo vetëm në vendin tonë, gjatë pandemisë është ulur për 25-45 % përqindja e grave të diagnostikuar, që do të thotë se më pak gra janë paraqitur te mjeku për kontrolle, për shkak frikës nga infektimi me COVID-19”, thekson dr. Vasev.

Dr. Vasev thotë se gradualisht po rikthehen terminet për ekografi, mamografi, derisa apelon deri tek të gjithë gratë që pavarësisht situatës me pandeminë, mos neglizhojnë çfarëdo lloj dyshimi, për shkak se diagnostikimi i hershëm mund të shpëtojë jetë.

Argjend Imeri, mjek radiolog në klinikën e Tetovës, subspecialist që merret me diagnostikimin  e kancerit të gjirit po ashtu konfirmon këtë shqetësim.

"Pandemia ka pasur efektin negativ ashtu siç edhe në ngecjen ne diagnostikimin në kohë, trajtimin kirurgjik si dhe onkologjik të pacientëve me kancer, si pasojë e faktit se shumë spitale dhe institucione shëndetësore kapacitetet e tyre i kanë realokuar për pacientët me COVID”

Argjend Imeri

Dr. Nino Vasev thotë se autoritetet vendase nuk kanë shifra të sakta me gratë e diagnostikuara me kancer të gjirit, ndërsa thekson se edhe fatmirësisht, vdekja nga kjo sëmundje po shënon rënie. 

“Nuk mund të flasim për shifra të sakta të të prekurve me kancer të gjirit, për shkak se shumica e pacientëve mjekohen ose në spitale private, ose pas diagnostikimit shkojnë jashtë vendit për mjekim, megjithatë mund të përgjigjem që statistikat e diagnostikimit në vendin tonë përshtaten me atë të trendit Evropian, që d.m.th. se incidenca e të sapodiagnostikuarve është duke u rritur, por mortaliteti nga sëmundja është në rënie, kjo falë mjekimit në kohë”, thekson Vasev.

DIAGNOSTIKIMI I HERSHËM, KYÇ PËR SHËRIMIN E KANCERIT TË GJIRIT

Ndërgjegjësimi për kontrolle të shpeshta, me çka sigurohet diagnostikim i hershëm, është kyç për shërimin e suksesshëm të personave të prekur nga kanceri i gjirit. Rreziku për paraqitjen e kësaj sëmundjeje ekziston te çdonjëri prej nesh. 

“Nuk ekziston parandalim për kancerin e gjirit, por vetëm diagnostikim i hershëm",  kështu shprehet dr. Vasev, i cili ndër të tjera thekson që diagnostikimi i hershëm sjell edhe shërimin e plotë nga kjo sëmundje. 

Gjatë 10 viteve të fundit edhe pse pragu i moshës është ulur, dhe tashmë edhe moshat e reja mund të preken nga ky lloj kanceri, në vendin tonë mosha më e shpeshtë e grave të diagnostikuara me kancer në gji është prej 60-65 vjeç. Kjo për faktin se edhe jetëgjatësia është zgjatur, dhe shumë sëmundje tashmë por diagnostikohen herët. 

KANCERI I GJIRIT PREK EDHE MOSHAT E REJA 

Radiologu Argjend Imeri përmend faktin që mosha është një faktor rreziku, gjegjësisht me rritjen e moshës rritet edhe rreziku për t’u prekur nga ky lloj kanceri, por ai thekson që numri i rasteve të grave në moshë të re të diagnostikuar me kancer të gjirit është shumë i ulët. 

“Ekzistojnë publikime që dëshmojnë për paraqitjen e kancerit të gjirit tek paciente shumë të reja, gjegjësisht edhe tek moshat 12 vjeçare, sa ka hyrë në pubertet vajza, por këto janë raste skajshmërish të rralla. Mendoj që rasti më i ri në përvojën time i dëshmuar si kancer ka qenë në moshën 26-vjeçare”

Argjend Imeri

Askush nuk është i kursyer nga kanceri i gjirit, edhe ato që nuk kanë trashëgimi gjenetike. Por, edhe pse 85% e grave me kancer te gjirit nuk kanë asnjë të afërt të brezit të parë, të prekur me këtë lloj kanceri, dr. Imeri thekson që gjenetika luan rol, dhe gratë që kanë histori kanceri në familje duhet të tregojnë kujdes të shtuar. 

“Nëse ju keni një të afërt femër të brezit të parë (motër, nënë, bijë), me kancer te gjirit rreziku i juaj është pesë fish me i madh se mesatarja”, thotë dr. Imeri.

VANJA, ME KANCER NË MOSHËN 26 VJEÇARE

Vanja M. është një grua e re me predispozitë gjenetike, e diagnostikuar me kancer. 28-vjeçarja ka pasur rast në familje, ku gjyshja ka qenë e diagnostikuar me kancer në gji, për këtë shkak edhe kujdesi për kontrolle të rregullta të gjirit nuk ka munguar. Ajo kancerin e saj e ka zbuluar gjatë vetëkontrollit rutinë.

“Rregullisht bëja vetëkontroll, dhe në moshën 26 vjeçare vërejta ndryshime në njërin gji. Shkova për kontroll eho, por mjeku më tha që nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Megjithatë unë e njihja trupin tim dhe e dija që ky ndryshim është jonormal. Me vetiniciativë isha edhe te dy mjekë tjerë, ku pastaj me biopsi u vërtetua që bëhet fjalë për kancer”

Vanja M.

Në vendin tonë stigma apo frika për këtë sëmundje na pengon për diagnostikim të hershëm, dhe shërim të plot. Ende po përballemi me paragjykime, por edhe me mjekime alternative, që nuk zgjedhin problemin, por vetëm e zmadhojnë atë. Sot kontrollimi te mjeku nuk duhet të jetë diçka e turpshme, përkundrazi kontrolli i gjirit, kontrollimet gjinekologjike, janë mënyra kryesore, për t’u mbrojtur nga komplikimet që mund të sjellin këto sëmundje.  

 “Për fat të keq, frika i ndalon gratë në diagnostikimin e hershëm. Njoh gra që ndjejnë ndryshime në gji por vendosin të mjekohen në shtëpi me gjethe lakre, dhe sëmundja përparon deri në stadiumin e katërt, në momentin kur diagnostikohen. E vërteta është se frika do e prolongoj problemin, por nuk e zgjidh atë, përkundrazi e zmadhon sa më shumë”

Vanja M.

Vanja porosit të gjithë gratë që të kontrollojnë trupin e tyre, ta njohin atë, dhe të ndërmarrin hapa konkret nëse vërejnë se diçka nuk është në rregull. Të prekesh nga kanceri i gjirit në moshë të re, duket se nuk ka qenë fortë e lehtë edhe për Vanjën, e cila ka arritur të gjejë forcën brenda vetes dhe të luftojë sëmundjen. 

“Unë vetë trembesha nga diagnoza, por kjo nuk më ndaloi të kërkoj mendim nga mjekë të ndryshëm dhe të mësoj se çka ndodh me trupin tim....Momenti kur morra vesh ishte shumë i tmerrshëm... Do të kujtoj gjithmonë se ishte një ditë e bukur vjeshte plot me diell, ajo ditë ku e gjithë bota u shemb mbi mua... për fat të mirë unë arrita përsëri ta rindërtoj”

Vanja M

E reja Vanja M. sot llogaritet si plotësisht e shëruar falë diagnozës së saktë dhe në kohë. Lufta me kancerin e gjirit, periudha e pandemisë, e kanë mësuar të jetojë jetën e saj duke u kujdesur më shumë për veten, duke njohur veten, dhe duke mësuar që sendet rutinë si kafja, lindja e diellit, e sende të tjera të thjeshta që ka mësuar t’i vlerësoje tani, ia kthejnë energjinë për jetën. 

 “Asnjë nga ne nuk di sa kohë i mbetet të jetojë, prandaj jetën jetojeni me buzëqeshje dhe kërkoni lumturinë në sendet e vogla”

Vanja M.

METODA TË NDRYSHME DIAGNOSTIFIKIMI DHE TRAJTIMI TË KANCERIT TË GJIRIT

Lufta me kancerin e gjirit kërkon aparatura më moderne, dhe një trajtim multidisiplinar. Në vendin tonë sipas MSH, nuk ka më pacientë me kancer të gjirit për të cilët nuk është siguruar terapia biologjike më inovative dhe kualitative, dhe një mundësi për skrining në shumë qendra në vendin tonë. 

Drejtori i Onkologjisë dr.Vasev u shpreh se Maqedonia e Veriut ndjek rekomandimet më të fundit të Shoqatës Europiane të onkologëve dhe është vendi i vetëm në Ballkan që ka trajtim për llojin HER2 pozitiv të kancerit të gjirit. Ky trajtim i ri zvogëlon kohën e marrjes së terapisë dhe efektet anësore tek të gjitha gratë që kanë nevojë për trajtim. Ai shton se 95% të terapive që jepen në Evropë, jepen edhe në vendin tonë, pa pagesë, nëpërmjet Fondit për Sigurim Shëndetësor.

Kancer i gjirit HER2 pozitiv është një nga format më agresive të këtij kanceri, që d.m.th. se përparon shumë shpejtë dhe nëse nuk trajtohet siç duhet edhe mbijetesa është shumë e shkurtër.

Nga MSH shprehen se terapia inovative u jep shanset më të mira të shërimit dhe remision afatgjatë për mbi 200 pacientë që kanë këtë formë  agresive të kancerit të gjirit. Përveç kësaj  për më shumë se 100 pacientë në vit, është siguruar një formulim i ri subkutan, që për pacientet me kancer do të thotë se mund të marrin terapi në vetëm 5 minuta, në krahasim me infuzionet intravenoze që zgjasin dy orë ose më shumë.    

Në botë sot, gjithnjë e më shumë po promovohet koncepti i mjekësisë së personalizuar, dhe nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se edhe vendi jonë ec drejt atyre hapave.  

“Duke kombinuar terapitë efektive dhe diagnostikimin e saktë, siç janë analizat gjenetike për momentin, ne planifikojmë të prezantojmë së shpejti edhe profilizimin gjenomik gjithëpërfshirës, ne kontribuojmë në avancimin e konceptit të mjekësisë së personalizuar”

Ministria e Shëndetësisë

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë që për çdo vit buxheti për programin për zbulim të hershëm të sëmundjeve malinje po zmadhohet, duke arritur vlerën prej 25.500.000.00 den për këtë vit.  

Arta Sefadini

Arta Sefadini

Arta Sefadini është gazetare dhe moderatore tash e pesë vite në televizionin “Alsat”. Ajo është studente në prag diplomimi pranë fakultetit të Mjeksisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Arta moderon emisionin “Pasqyra e Shëndetit” ku thelbi i emisionit është trajtimi i temave të ndryshme që kanë të bëjnë me mirëqënien tonë fizike, psiqike dhe sociale. Qëllimi kryesor i saj është edukimi i qytetarëve mbi rëndësinë e parandalimit të sëmundjeve!

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia