December 7th, 2022
Shkurt 2001. Nëse shfleton botimet e kohës, apo kur flet me njerëz që mbajnë mend atë kohë, ata tregojnë se ka qenë një fund-dimër i ftohtë që paralajmëroi se nuk e kishte ndërmend të ikte edhe me ardhjen e pranverës. Një fillim vit i rëndë për shqiptarët e Maqedoninë së Veriut. Përderisa bota po hynte me hapa të shpejtë drejt zhvillimit marramendës që do të sillte ky shekull i ri, i një mileniumi të ri, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ende duhej të luftonin për të drejtat themelore të njeriut, që për dekada me radhë u ishin mohuar. Pas dështimit të përsëritshëm që këto të drejta të siguroheshin në mënyrë paqësore, vendi u gjend në një konflikt të armatosur mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe forcave shtetërore të sigurisë së Maqedonisë së Veriut. Në një anë ishin kërkesat për barazi dhe në anën tjetër akuzat për shkeljen e rendit kushtetues. Por konflikti në mes kishte civilët, të cilët përjetuan momente të tmershme e tortura të shumta.
Dhe çdoherë kur flitet për luftë, vëmendja fokusohet tek ushtarët, duke qenë se përballen drejtpërdrejt me luftën. Megjithatë, rrallëherë flitet për atë se cilat janë përjetimet e grave në situata të këtilla. Si e menaxhojnë ata situatën, duke qenë shpeshherë të vetme, të mbyllura në shtëpi, e ndonjëherë pa pasur mundësi t’u sigurojë bukën fëmijëve, apo familjarëve të tjerë e si e përballojnë emocionalisht gjithë këtë. Apo ndoshta, si është të jesh fëmijë në luftë? Të tillët, përpos frikës, pasigurive e traumave, shoqërohen edhe me pikëpyetje të mëdha në kokë, duke mos qenë në gjendje të kuptojnë se çfarë po ndodh, pse po ndodh. Pse sot nuk shkova në shkollë!? Pse nuk mund dal për të lozur jashtë!? Pse të gjithë janë kaq të frikësuar!? Pse motrat po qajnë!? Pse babi nuk është në shtëpi!? Pse duhet të largohemi nga shtëpia jonë!? Dhe shumë pyetje të ngjashme që në ato momente, familjarët nuk mund t’u japin përgjigje. E pytje të këtilla ka pasur në kokë edhe Emine Ismaili nga fshati Sllupçan i Kumanovës, e cila ishte vetëm 5 vjeçe kur u përball me skena të rënda lufte, gjatë konfliktit të 2001-shit.
“Fatkeqësisht fati deshi që në një moshë shumë të vogël të përjetoja një konflikt të armatosur, të cilin nuk do doja ta përjetonte askush, e aq më pak një moshatar i imi. Si pesë vjeçare që isha, në fakt mbaj mend shumë gjëra, të trishta sigurisht, të cilat asnjë moment nuk janë shkëputur nga memoria ime dhe që shpesh herë edhe sot e kësaj dite i ndjej pasojat e saj. Sa të fresktët e kam kujtimin kur një natë teksa ishim të gjithë në gjumë, troket në dritare një fqinj i yni, për të na bërë me dije se do të niste lufta dhe se duhej te bëheshim gati për t'i lënë shtëpitë,e për të gjetur një vend të sigurt për t’u strehuar. Sigurisht që si fëmijë që isha nuk e kuptova këtë bisedë, por vetëm mbaj mend që filluam t'i bënim gati gjërat që do na duheshin për me vete dhe të iknim, ta braktisnim shtëpinë që kishim kujtimet më të ëmbla të fëmijërisë”, nis rrëfimin ajo.
Në këtë mënyrë, imagjinata e saj fëmijërore, bota e çiltër dhe ëndrrat e sinqerta u zëvendësuan nga imazhet e vrazhda të pjesës së errët të botës, pamje të trishta lufte, gjak dhe dhunë, që deri atëherë kishin qenë një pjesë e panjohur.
“Rruga, në asnjë moment nuk ishte e lehtë, persona të armatosur, njerëz që iknin dhe fotografia më e rëndë ishte ajo e dëshmorëve të vrarë, që kishin mbetur në ndonjë cep të rrugës, mbi ndonjë shkëmb ose në derë të shtëpisë. Qëndrimi nëpër podrume shtëpish të fshatit Sllupçan, si një ndër vendet që e ka përjetuar luftën, ishte vështirësi në vete, pa ushqim të mjaftueshëm, pa prindët afër dhe nën zhurmën e armëve që na shoqëronin çdo moment”
Emine Ismaili
E gjithë këto momente i ka bërë më të vështira edhe mungesa e prindërve të saj. Ajo nuk kishte një shpatull që kur të mbështeste kokën t’i falte ngrohtësi e shpresë se e nesërmja do të jetë më e qetë. Nuk i kishte superheronjtë e jetës së saj, që më herët ishin gjithnjë mburojë e hekurt.
“Momenti kulminant dhe i frikshëm ishte ai i cili në njërin prej podrumeve ku ishim strehuar, ra një bombë dhe na preku shumë personave, pjesë të së cilës i mbaj në trupin tim edhe sot e kësaj dite, në hundë dhe në dorë. Asgjë nuk shihja, përpos gjakut, as njerëzit më nuk arrija t’i ndaja. Duke qenë se e pamë që aty më nuk ishim të sigurtë, lëvizëm nëpër disa vende, fshatra të komunës së Likovës, për të vazhduar në qytetin e Kumanovës dhe pas disa ditëve përfunduam në Shkup. Gjatë gjithë kësaj kohe, së bashku me tre motrat e mia, shoqëroheshim nga familjarët e tjerë pasi babanë tim e kishte ndalur policia nën dyshimin se i ka ndihmuar UÇK-së, ndërsa nëna ime qëndronte në spital me vëllanë tim, i cili kishte nevojë për mjekim dhe asnjëri nuk kishin informacion nëse ne ishim ende gjallë, apo kishim rënë preh e ndonjë plumbi”
Emine Ismaili
Xhejlane Ismaili, dëshmitare e ngjarjeve të lartëpërmendura, tregon golgotën me të cilën janë përballur kur është dashur të lëshojnë shtëpinë, pa marrë asgjë me vete, për t’u strehuar në bodrumin e një shtëpie të fshatit, bashkë me shtatë familje të tjera. Mëngjesin e ditës së nesërme u zgjuan nga granatat që ranë mbi shtëpinë ku ishin strehuar, e më pas kaluan ditë, në kërkim të një vendi ku nuk do të dëgjojnë më plumba e armë.
“Dolëm nëpër rrugët e lagjes dhe ecnim në këmbë ndërkohë që kishte granatime, ku para dyerve të një shtëpie pamë të vdekur një person, ecnim tutje për në fshatin tjetër, çdoherë që gjuanin ne shtriheshim për toke me qëllim që ata të mendonin se ne kemi vdekur... Nga kujtimet e mija nuk mund ta fshijë asnjëherë momentin kur ecnim nëpër rrugët e lagjës ndërkohë që po granatohej, momenti i dytë ishte ecja këmbë zbathur dhe të gjakosura nga dritaret e thyera prej granatave, dhe momenti i tretë dhe kulminant kur na ndaluan policia atë ditë kur dolëm nga fshati. Trauma kemi pasur gjatë kohë pas luftës, ndërsa trauma që nuk është shuar ende është frika nga policët deri në tahikardi ose ndryshe rrahje të shpejta të zemrës, dmth saherë që takoj policë ose kur më ndalojnë makinën të cilën drejtoj e përjetoj tmerrin e njëjtë. Lot, frikë, dhembje, humbje, fitore... Lirisë nuk i'a dinë vlerën askush më mirë se ne”
Xhejlane Ismaili
Ndërkohë, se sa të ashpra kanë qenë luftimet në këtë rajon, me të cilët janë përballur banorët, flet edhe ish luftëtari Sead Ramadani nga Kumanova.
“Me shpalljen e zonës së lirë filluan edhe reagimet e njësitëve ushtarako policore të shtetit të atëhershëm ku u zhvillua një luftë shumë e tmerrshme me tendencë për ta dorëzuar UÇK-në. Kjo jo vetëm që nuk ndodhi që UÇK-ja të dorëzohet, por ndodhi e kundërta. UÇK-ja u zgjërua drejt fshatit Mateç, fshat ky në të cilin ishin përqëndruar njësitët policore shtetërore. Pas një lufte 11 ditëshe shumë të rëndë me dëshmorë dhe shumë të plagosur, UÇK-ja ia doli që të marrë nën kotroll edhe fshatin Mateç më 6 prill”
Sead Ramadani
Sigurisht se trauma të tilla nuk harrohen gjatë gjithë jetës dhe Emine Ismailin e kanë ndjekur kohë të gjatë pas. Megjithatë, vogëlushja 5 vjeçare, që sot është 27 vjeçe sa arriti të luftojë me maturi e forcë këtë, duke mbledhur copëzat e thyera, për të ndërtuar një karakter të fortë, që do ta vinte në shërbim të profesionit fisnik të gazetarisë, me bindjen se aty do të mund të kontribuojë për ta vënë drejtësinë aty ku mungon. Nëse shumë gjatë, ajo urrente të dëgjonte lajme, me frikën se sërish do të flitet për luftë, ajo jo vetëm që tejkaloi këtë frikë, por zgjodhi që të përballet me “botën e lajmeve”, duke sfiduar vetën që me kontributin e asaj të arrijë sado pak të reduktojë dukuritë negative në shoqëri.
Sot konfliktin e vitit 2001 e sheh pas vetes, madje tenton të kontribuojë në shoqëri, jo vetëm si grua por si një individ profesionist, e cila do të theksojë se e drejta dhe barazia duhet të jenë parësoret për përparimin e secilit. Traumat disi i ka falur edhe pse do të theksojë se asnjë fëmijë dhe asnjë njeri nuk duhet të kalojë përvoja të tilla, aq më tepër jo kur bëhej fjalë për të drejta bazike njerëzore. Sot Emine Ismaili është një grua e fortë, të cilës, lufta ia vodhi ëndrrat e fëmijërisë, por i dha një frymëzim mbresëlënës që e çoi në ujërat e gazetarisë, ku po ndërton karrierën e saj me sukses, e prej ku nuk e ka ndërmend të dalë, pa sjellë ndryshime pozitive në shoqëri, sado simbolike qofshin ato.
За верзијата на македонски јазик кликнете тука.
“Ky publikim u mundësua me përkrahje financiare nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja" dhe nuk i reflekton pamjet e Bashkimit Evropian.”
Teuta Buçi është gazetare e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Aktualisht punon si gazetare në televizionin Klan Macedonia. Teuta ka punuar paraprakisht edhe në disa media të tjera. Ajo ka marrë pjesë në trajnime dhe projekte të ndryshme gazetarie. Temat në të cilat Teuta raporton janë kryesisht të karakterit politik.
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia