July 18th, 2022
Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, jo rrallë, janë të privuar nga njohuritë rreth riprodhimit seksual pasi që shumë arsimtar e profesor zgjedhin të mos e ligjërojnë fare këtë kapitull. A.Z., nxënëse në shkollë të mesme tregon për arsyen dhe pasojat nga mosligjërimi i këtij kapitulli.
“Arsimtari nuk na e ka ligjëruar kapitullin e riprodhimit seksual. Na është arsyetuar që nuk është edhe aq i nevojshëm për moshën që të kemi njohuri rreth kësaj teme. Për mua përbën vështirësi mos pasja e informacioneve bazë nga shkolla, e si pasojë e kësaj ato pak njohuri që kam, i kam fituar nga rrjetet sociale.”
Planprogramet mësimore parashikojnë mësim më sipërfaqësor të njohjes biologjike të trupit dhe organeve riprodhuese që në klasë të gjashtë. Në klasë të nëntë nxënësit parashikohet të mësojnë më në formë të detajuar për ciklin menstrual, organet gjenitale dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Në vitin e tretë në gjimnaz, nxënësit i rikthehen kësaj teme për të mësuar përsëri për sistemin riprodhues të njerëzit. Zakonisht këto kapituj janë të fundit në planprogram dhe në libra dhe shpesh nuk arrihet deri tek to.
Ramadan Sali, profesor në shkollën e mesme “Zef Lush Marku” tregon që për të nuk paraqet problematikë ligjërimi i kësaj teme delikate, por shpesh vjen deri te mosligjërimi për shkak të pozicionimit të këtij kapitullit në programet mësimore.
“Duke ditur se nxënësit duhet të kenë njohuri paraprake sepse këto tema shtjellohen edhe në shkollimin fillor unë nuk e kam problem t’í shtjelloj. Problem kryesor është se në vitin e parë shumimi tek gjallesat duhet të shtjellohet për një orë, ndërsa në vitin e tretë kemi një kapitull të veçantë për shumimin tek njeriu, por shpeshherë nuk arrihet deri në atë sepse është tema e fundit. Arsyeja kryesore e vështirësisë së ligjërimit është niveli i vetëkoshiencës së nxënësve ndaj këtyre temave sidomos kur ato fliten para masës së gjerë.”
Ramadan Sali
Ai shton se nxënësit e shkollës së mesme nuk kanë informacione rreth riprodhimit seksual nga shkollat fillore, por që materiali i paraparë në kurrikulat mësimore është i mjaftueshëm për nxënësit, dhe se edukimi familjar është kyç dhe përcaktues.
“Nxënësit në përgjithësi nuk kanë njohuri të mjaftueshme dhe shpeshherë edhe ato pak njohuri i kanë të gabuara sepse mësohen nga burime të ndryshme sidomos nga rrjetet sociale. Kjo shpie në gabime të shumta. Mendimi im është se edukimi i paraparë në shkollë nëse aplikohet ashtu si është paraparë do të ishte i mjaftueshëm nga ana akademike, por edukimi familjar patjetër se ka rol kyç në të dhe shpeshherë është përcaktues.”
Ramadan Sali
Gjatë bisedës me Ramadan Sali ai gjithashtu na tregoi për spektrin e gjerë të pasojave nga mosinformimi.
“Pasojat nga mos pasja e njohurive rreth shëndetit riprodhues mund të jenë të ndryshme duke filluar nga higjiena personale, parandalimi i bartjes së sëmundjeve seksualisht të transmetueshme deri tek planifikimi i familjes dhe shtatzanitë e padëshiruara.”
Ramadan Sali
Natalia Aceska, Këshilltare e Biologjisë në Byronë për Zhvillimin e Arsimit, si institucion i cili angazhohet me mbarëvajtjet e procesit arsimorë në shkolla, thotë që fenomeni i mosligjërimit të kapitullit të riprodhimit seksual nuk përkon me realitetin në arsim dhe se përkundrazi këto tema ngjallin kuriozitet te nxënësit.
“Ne besojmë se informacioni që thotë se mësuesit e Biologjisë nuk e ligjërojnë përmbajtjen që lidhet me riprodhimin seksual nuk lidhet me situatën reale që ne si Byro për Zhvillimin e Arsimit kemi parë gjatë punës sonë këshilluese dhe profesionale dhe gjatë vizitave në klasë. Përkundrazi, ne besojmë se orët që kanë të bëjnë me riprodhimin seksual gjithmonë ngjallin interes dhe kuriozitet më të madh te nxënësit, ndaj shpeshherë jemi dëshmitarë të diskutimeve të iniciuara nga vetë nxënësit.”
Organizata joqeveritare HERA e cila nga afër angazhohet për informimin sa më të madh të nxënësve rreth edukimit seksual, vënë në pah pasojat të cilat vijnë si pasojë e mosinformimit formal rreth sistemit riprodhues, që nga mosnjohja se si funksionojnë organet riprodhuese, shtatzënitë e paplanifikuara dhe të hershme deri te pasojat shëndetësore.
“Në Maqedoni shkalla e aborteve për shkak të shtatzënisë së paplanifikuar tek adoleshentët është 11% dhe është ndër më të lartat në Evropë. Sa i përket mbrojtjes, 1/3 e të rinjve seksualisht aktivë në Maqedoni nuk kanë përdorur asnjë mbrojtje, ndërsa shëndeti i meshkujve dhe vizita te mjeku është ende temë tabu. Kjo është vetëm një pjesë e vogël e të dhënave që tregojnë se të rinjtë nuk janë mjaftueshëm të informuar dhe të mbrojtur për sa i përket shëndetit seksual dhe riprodhues.”
HERA
Në vend të informimit nga burime jokredibile, informimi nga arsimi formal do të sjell në vetëdijësim të nxënësve rreth shëndeti seksual, thonë nga HERA.
“Edukimi në kohë është parandalues dhe keqinformimi është edhe më i rrezikshëm se mospasja e informacionit. Të rinjtë që kërkojnë përgjigje shpesh informohen nga burime të parëndësishme kur bëhet fjalë për shëndetin e tyre. Ata më së shpeshti informohen në internet, rrjete sociale dhe përmes përvojave të ndryshme të bashkëmoshatarëve të tyre. Kur ky informacion vjen nga burime të verifikuara si objektet mjekësore dhe nga shkollat dhe mësuesit, të rinjtë që në moshë të re bëhen të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për shëndetin dhe mirëqenien e tyre.”
HERA
Ky lëshim i qëllimshëm nga ana e mësimdhënësve nuk ndodh në të gjitha rastet. F.K, nxënës në shkollë të mesme i përket kategorisë fatlume ku arsimtari i biologjisë në shkollë fillore e ka ligjëruar kapitullin e riprodhimit seksual.
“Po në arsimin fillor kemi pasur mësime për riprodhimin seksual dhe mësimdhënësi na ka ligjëruar. Prandaj ndihem më i sigurt për shkak të njohurive që kam fituar dhe besoj se çdokush duhet t’i mësoj këto njohuri bazike në mënyrë që të tregohen më të kujdesshëm.”
Në mënyrë që nxënësve të ju ligjërohet kjo pjesë e Biologjisë, Ramadan Sali na tregoi metodën se si munden që profesorët t’i qasen riprodhimit seksual.
“Qasja e profesorëve duhet të jetë nga më e përgjithshmja duke filluar nga njohuritë mbi shumimin tek organizmat e gjallë, lënia e pasardhësve si një mrekulli jetësore, sëmundjet e ndryshme që barten nëpërmjet marrëdhënieve seksuale, planifikimi i familjes dhe kështu me radhë.”
Deri sa institucionet nuk pranojnë ose nuk kanë njohuri se këto lëshime bëhen nga mësimdhënësit dhe nuk ofrohet zgjidhje ose sanksione, do të thotë se ligjërimi do të vazhdojë të varet nga vullneti individual i mësimdhënësve.
Era Gjakova është PhD kandidate në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Evropës Juglindore. Aktualisht punon si prezantuese e edicionit informativ si dhe moderatore e emisionit të mëngjesit "Ditë e Re" në TV Alsat M. Ajo është aktive në shoqërinë civile në fushën etë drejtave të njeriut, barazisë gjinore, dhunës në familje, krimeve seksuale dhe medias.
TË NDRYSHME
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia