March 17th, 2024
Adoleshenca për mua ka qenë një udhëtim goxha i trazuar. Trupi im gjatë kësaj periudhe kishte pësuar një metamorfozë sa të ndërlikuar aq edhe të dhimbshme. Pa e ekzagjeruar, çdo ditë ndihesha sikur isha lënë nën mëshirën e tekave të hormoneve të mia, të cilat me shumë egoizëm po e diktonin ritmin e ekzistencës sime. E sikur kjo simfoni emocionesh të mos mjaftonte, tash më një herë në muaj e dëgjoja edhe refrenin e tmerrshëm të dhimbjes së menstruacioneve. Më dukej sikur ndonjë vullkan po shpërthente brenda mitrës, e ngërçet veçse më bënin të ulëri. Duke qenë se gratë në familjen time kanë një histori të gjatë dhe jo shumë të këndshme me fibroma dhe cista ovariane, tani më kishte ardhur koha që edhe unë të kontrollohesha. Kështu, pa bërë shumë hulumtim, me rekomandim të një vajzës së kojshisë, vendosa që të shkoj vet, e pashoqëruar në gjinekolog.
Më herët thash se adoleshenca për mua ka qenë një udhëtim goxha i trazuar, por jo më shumë se ajo vizita ime e parë te gjinekologu. Atë ditë e mbërthyer nga dhimbjet torturuese, hyra në ordinancën gjinekologjike ku përveç zonjës gjinekologe, më përshëndeti edhe aroma sterile e antiseptikut. Zonja gjinekologe (ta quajmë ashtu pasi që nuk dua ta shpalos identitetin e saj), ishte një grua në moshë e cila më përshëndeti me një buzëqeshje të ngrohtë, dhe me ftoi të ulesha pranë saj. I vendosi syzat pasi që me shumë gjasë nuk shihte mirë, dhe e afroi tastierën afër saj. Më pyeti se çfarë halli kisha. Përderisa në atë moment po djersitesha nga sikleti, disi e mblodha veten dhe fillova që t’i jap një shpjegim të simptomave të mia. Nuk është se po ma vinte veshin shumë. Përderisa unë flisja, ajo me dy gishtat e saj tregues, po mundoheshte t’i gjejë shkronjat në tastierë për të shkruar diçka në kompjuter. Nejse. Në fund, shpreha dëshirë që ajo të më kontrollonte. Për shkak të mungesës të një edukimi të mirëfilltë rreth shëndetit seksual në atë kohë, nuk është që e dija mirë se cilat ekzaminime mjekësore bëhen për cilat simptoma. Mirëpo kisha dëgjuar dhe dija për PAP testin dhe ekografinë transvaginale, kështu që me shumë naivitet propozova që t’i bënim ato kontrolle. Ajo që pësoi, ishte reagimi i zonjës gjinekologe që më la në mosbesim! Duke më dhënë një shikim shumë gjykues, me një ton të vrazhdë të zërit, u kthye dhe më tha: “Ti nuk je e martuar, e dashur! Nuk ka nevojë për teste të tilla.” Me ato fjalë, kjo zonjë e nderuar, shkatërroi fasadën e brishtë të besimit që kisha mbledhur për të ia qarë asaj hallin. Tronditja më përshkoi si një thikë e dhëmbëzuar. Nuk po mundesha ta besoj se si mund të shërbejë statusi im martesor si provë se unë kisha nevojë për kujdes mjekësor? Mes tronditjes dhe hutimit nga kjo situatë absurde, refuzimi i zonjës gjinekologe për të kryer teste thelbësore bazuar në mungesën e një unaze në gisht, shërbeu si një kujtesë e ashpër e natyrës tinëzare të stigmave rreth seksualitetit të grave dhe paragjykimeve sistematike që vazhdojnë t’i hedhin hije autonomisë dhe lirisë fizike të vajzave në shoqërinë tonë.
Pesha e fjalëve dhe veprimeve të saj më la të kuptoj se përvoja ime nuk është incident i izoluar, por është një simptomë e qëndrimeve të një mase më të madhe shoqërore ndaj trupit dhe seksualitetit të grave. Nga ai takim fatal, dola me një qëllim të ri - t’i çmontoj perdet e injorancës, të rimarr dinjitetin dhe autonominë që më takon si grua, dhe t’a çliroj virgjërinë time nga presionet shoqërore. Ah po, edhe të konsultohem më shumë me mamin tim, e jo me vajzat e kojshisë.
My body, my business!
Love,
Leandra
Tags:
tregime pjeshkash
Leandra Toska, ka kryer studimet pasdiplomike në drejtimin E Drejta Ndërkombëtare. Filloi karrierën në Kryqin e Kuq të Maqedonisë së Veriut, si diseminatore e së drejtës ndërkombëtare humanitare. Në vitin 2019, u shpërngul në Stamboll ku vazhdoi përpjekjet e saj për të adresuar avancimin e kauzave humanitare dhe avokimin për të drejtat e njeriut në organizatat joqeveritare Istanbul&I dhe Sokak Lambasi. Sot vazhdon angazhimet e saj vullnetare në Institutin për Politikë Evropiane në Shkup dhe Qendrën për Nisma Ligjore Qytetare në Tiranë.
TË NDRYSHME
Të rinjtë në Maqedoni kryejnë marrëdhënie seksuale në moshë të hershme, pak f...
Fisnik Xhelili
19/06/2024
N'semafor t'kuq: Ç'janë menstruacionet dhe pse ngurrojmë t'i thërrasim në emër?
Fisnik Xhelili
30/04/2023
Paragjykimet pengojnë vajzat e reja të bëjnë kontrolle gjinekologjike, mungon...
Dorina Ajdini
22/12/2021
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia