untitled-design-18-1676490435.png

"Mollëkuqja" për deklaratën seksiste të zëvendësministrit Luçi: Mënyra e tillë e komunikimit përforcon dallimet dhe rolet gjinore

CEO

February 15th, 2023

Gjuha seksiste vazhdon të përdoret nga politikanët të cilët mbajnë poste shtetërore dhe kanë për detyrë përfaqësimin e denjë të popullit, pa dallime gjinore. Mënyra e tillë e komunikimit përforcon dallimet dhe rolet gjinore. 

Daim Luçi, Zëvendësministër i Kulturës në Republikën Maqedonisë së Veriut, për të shfaqur pakënaqësitë e tij kundrejtë partisë “Alternativa”,  publikisht ka përdorur gjuhë seksiste duke e shpërndarë të njëjtën në faqen zyrtare të tij në Facebook. Luçi u është drejtuar burrave të tjerë të partisë për t’i këshilluar “të mos qajnë si gra”, sepse sipas tij bashkëpartiakët e partisë nuk kanë qenë në gjendje ta mbrojnë të njëjtën “si burra”. 

„Мollëkuqja” vazhdimisht ka ndjekur gjuhën e përdorur nga politikanët, marrë parasysh se kjo sferë është e dominuar nga burrat, politikanet gra kanë qenë viktimat më të shpeshta të retorikës së papërshtatshme dhe shpesh herë seksiste. Këto dallime gjinore dhe retorika të përdorura publikisht vetëm se thellojnë pabarazinë dhe stereotipet gjinore. „Mollëkuqja” e cilëson këtë deklaratë të zëvendësministrit të kulturës, Daim Luçi, si të papërgjegjshme, seksiste dhe të dëmshme për kauzën feministe në Maqedoninë e Veriut dhe kërkon nga ai që të kërkojë falje për gjuhën e përdorur.

Lexo: Seksiste, të papërgjegjshme dhe të dëmshme për kauzën feministe - e cilëson „Mollëkuqja" deklaratën e Teuta Arifit në TV21

Mesazhi i zëvendësministrit Luçi për të “mos qarë si gratë” përforcon paragjykimin se burrat duhet të jenë të fuqishëm, të pathyeshëm dhe që të njëjtët nuk qajnë. Kjo shumë shpesh ka pasur pasojat e veta në shëndetin mendor të burrave. Në Maqedoninë e Veriut nga 100 mijë banorë mesatarisht 9.4 persona e braktisin këtë botë si pasojë e vullnetit të lirë, vetëvrasjes. Sa i përket gjinisë, 74 për qind janë burra, ndërsa 26 për qind gra.

Nga ana tjetër, konstatimi se “partia duhet mbrojtur si burrat” përforcon stereotipet se vetëm burrat janë ata që dijnë të udhëheqin dhe se gratë nuk janë të denja për këtë. Në Maqedoninë e Veriut numri i grave të përfshira në politikë është i ulët. Gratë janë ende të nën-përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Vetë fakti që ekziston një kuotë prej 40% e përfaqësimit të grave në listat e partive politike, respektivisht çdo e treta në listë duhet të jetë grua e bën diskriminimin të jetë ligjor. Që nga pavarësia, asnjëherë funksioni i presidentit, kryeministrit apo kryetarit të kuvendit nuk i ka takuar një gruaje.

Rita Behadini

Rita Behadini

Rita Behadini është moderatore, gazetare dhe aktiviste e të drejtave të grave. Ajo ka kryer studimet për "Biznes dhe Ekonomi" në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Gjatë studimeve Rita themeloi klubin studentor feminist, nga ku dhe lindi pasioni i saj për të avokuar për të drejtat e grave. Gjatë po asaj kohe ajo u punësua si gazetare në Portalb, për të vazhduar më pas për katër vite karrierën e saj në televizionin Alsat të Maqedonisë. Puna e saj si gazetare është e orientuar në të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Aktivizmin e saj Rita e vazhdoi duke themeluar Qendrën për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja", ku aktualisht ushtron detyrën e presidentes.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia