January 26th, 2024
Në Maqedoninë e Veriut gjysma e studenteve të shkencave natyrore dhe teknike janë gra ndërsa sipas një raporti të UNESCO, kemi përqindjen më të lartë në Evropë të grave hulumtuese. Por përkundër këtyre shifrave, gratë në shkencë vazhdojnë të diskriminohen në krahasim me kolegët e tyre meshkuj, kështu, një përqindje shumë e vogël e grave janë anëtare të akademive shkencore nacionale. Atyre vazhdimisht ju thuhet se kjo fushë ju takon burrave.
Shumë gra megjithatë kanë sfiduar stereotipet dhe i kanë prishur ‘matematikat’ kulturës patriarkale.
Një prej tyre është elektroinxhinierja Merita Demaj. ‘Mollëkuqja’ zhvilloi një bisedë me atë për të kuptuar më shumë nga rrugëtimi i një gruaje në shkencë, në një fushë kushtimisht të ‘rezervuar’ për burrat.
Shpesh herë, njëqind përqind të kolegëve dhe udhëheqësve në punë i ka pasur burra.
“Përfaqësimi i dobët gjinor në këtë sektor shpesh herë shkakton ndjesinë e izolimit dhe vështirësitë për të bërë njehje dhe ndërtim të rrjetit” i tha ajo gazetarit të ‘Mollëkuqja’, duke shtuar është përballur edhe me stereotipe të ndryshme gjinore gjatë rrugëtimit.
Ajo aktualisht është gruaja e parë shqiptare komisionere në Komisionin Rregullator të Energjetikës në Maqedoninë e V. Më herët ka punuar si inxhiniere e elektroteknikës. Thotë që i është dashur shumë të luftojë për të arritur deri këtu.
“Kjo ma shton edhe më shumë peshën e përgjegjësisë, detyrimisht që ngelem e përkushtuar për avancimin e sektorit të energjisë në mënyrë të qëndrueshme dhe efikase, me një nga qëllimet për të dhënë kontribut dhe për të qenë një figurë e respektuar në këtë sektor vital në vendin tonë” tha Merita.
Përditë Merita është përballur me stereotipe gjinore vetëm prej faktit se ka zgjedhur t’i prishë ‘matematikat’ e patriarkatit, duke u përfshirë në një profesion që konsiderohet si për burra. Thotë se vazhdimisht është kërkuar ta dëshmojë se e meriton vendin e punës që e ka.
“Do kisha përmendur momente kur kam përjetuar ndonjë mikroagresion, pra komente apo sjellje delikate, shpesh të paqëllimta, diskriminuese që minojnë besimin dhe ndjenjën e përkatësisë së një femre në vendin e punës. Apo komente stereotipike që i vënë në dyshim aftësitë profesionale në fushën teknike, vetëm se je një vajzë inxhiniere, pra duke u referuar në mënyrë diskriminuese ndaj rolit në sektorin e energjisë. Por dhe komente seksualizuese, që të vënë në një pozitë të pafavorshme dhe krijojnë një mjedis të paqëndrueshëm dhe të papërshtatshëm për një vajzë në mjedis pune vetëm me meshkuj”, shtoi Dema.
Ajo megjithatë ka arritur që t’i tejkalojë këto sfida dhe sot dëshiron që sa më shumë gra të përfshihen në këtë fushë. Bën thirrje institucioneve që të krijojne dhe të përkrahin sa më shumë programe të mentorimit për avancimin e grave elektro inxhiniere.
“Sidomos për vajzat që kenë frikë nga shoqëria ose stereotipat gjinore, dëshiroj t'u drejtohem me një mesazh inkurajues: Bëjeni atë që ju apasionon! Mos ngurroni të ndiqni karrierën që ju apasionon dhe ju sjell kënaqësi. Inxhinieria është një fushë shumë e gjerë dhe e pasionuar, dhe ka vend për të gjithë, pavarësisht gjinisë”, porositi Merita Dema.
Ajo shtoi për fund se të rinjtë duhet të besojnë në aftësitë e tyre dhe të mos lejojnë stereotipat të ndikojnë në vendimet e tyre. Ajo thotë se kushto mund të bëhet inxhinier pavarësisht gjinisë. Sfidat sipas saj nuk duhet t’i frikësojnë por të shfrytëzohen si mundësi për zhvillim dhe për të ndikuar pozitivisht në shoqëri.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
TË NDRYSHME
Albesa Demjaha në mesin e 50 grave kryesuese në teknologji në Norvegji: Më no...
Fisnik Xhelili
25/03/2024
"Je kokëfortë, do e pësosh", Elida Zylbeari shkatërroi rregullat e patriarkat...
Fisnik Xhelili
30/09/2023
Intervistë, ministrja Petrovska: Nuk lejoj të defokusohem nga sulmet ndaj mej...
Fatlume Dervishi
02/07/2022
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia