September 30th, 2023
Në fushën e gazetarisë është për mbi 15 vite, ndërkaq është ndër të paktat gra në Maqedoninë e Veriut që udhëheq një media. Që nga viti 2012 ajo është kryeredaktore e Portalb.mk. Në një intervistë për Mollëkuqja.mk, Elida Zylbeari flet për sfidat e grave në gazetari në Maqedoninë e Veriut.
Sfidat dhe nevojat e grave në fushën e medies dallojnë nga ato të burrave, megjithatë kur duhet të merren vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me këtë fushë, Zylbeari thotë se gratë gazetare shpesh herë injorohen dhe vendimet merren si në “odë të burrave”.
“Thjeshtë, gratë nuk merren seriozisht edhe nënvlerësohet fuqia dhe dijenia e tyre edhe kur madje janë më të përgatitura se shumica e burrave. Ka pasur raste që burrat janë mbledhur në takime për të vendosur për çështje të rëndësishme dhe për kërkesat e gazetarisë duke i injoruar gratë. Gjithashtu, ka shumë pak punëdhënës që japin dhe mundësi të barabarta për gratë dhe burrat kur bëhet fjalë për avancimin e pozitës së tyre, dhe kjo automatikisht i vendos gratë në hap më pas”, thotë Zylbeari.
“Është punë për burra”, frazë kjo që i thuhet çdo gruaje që vendosë të merret me çfarëdo pune tjetër jashtë shtëpisë – ky koment bëhet më i theksuar ndaj grave që merren me punë të cilat konsiderohen si të rrezikshme dhe të papërballueshme për gratë. Elida, “rregullave” të patriarkatit i dëshmon të kundërtën.
Kam marrë kërcënime të tipit: “Ti nuk e din me kë ke punë, ruaju se je grua dhe atyre gjithçka mund t’ju ndodhë! Gratë kokëforta si ju pësojnë shpesh! Mos u merr me këtë temë, është punë burrash!”. Ndjenjat janë të përziera, nganjëherë thua në vete nuk bëhet ky vend, e nganjëherë marr më shumë fuqi për të vazhduar më tej. Por, gjithnjë habitem me guximin dhe “fytyrën” që dikush e ka për të kërcënuar një grua. Sidoqoftë, me kohë, njerëzit e njohën mënyrën sesi punojmë me ekipin tonë, dhe jam e gëzuar që shpesh kemi komente pozitive sesa e kundërta
Elida Zylbeari
Pak gra në Maqedoninë e Veriut mund të shihen në krye të mediave. Sipas Zylbearit, gratë gazetare shihen si bletët punëtore të terrenit që mbledhin materialin për ta sjellë në zyrë, ndërsa burrave kultura patriarkale ju ka “dhuruar” perceptimin e liderëve.
“Si pasojë, pasi burrat kanë përparësi, ata e shfrytëzojnë situatën dhe marrin pozitat. Në vendin ku punoj unë, kemi politika dhe parime të qarta për barazinë gjinore . Por mos të harrojmë se kulturalisht dhe vazhdimisht gratë dekurajohen për të pasur qëllime më të larta duke ju thënë që s’jeni ju për kaq shumë përgjegjësi andaj dhe ato vetë dorëzohen dhe lënë pas ambiciet që mund të kishin pasur. Dhe normalisht, ka dhe gazetare që janë të kënaqura me pozitën e tyre dhe kjo nuk do të thotë që kanë ndonjë problem me pozitën në të cilën gjenden”, thekson Zylbeari.
Shoqërisë sipas Zylbearit nuk i konvenojnë gratë të cilat janë të zëshme apo kanë qëndrime të cilat nuk janë në një vijë me shumicën. Për këtë, ajo thotë se masa me çdo kusht tenton këto gra t’i izolojë apo sulmojë me çdo armë të mundshme. Zylbeari shtoi se gjuha e urrejtjes ndaj grave është normalizuar dhe nuk sanksionohet.
“Problem shtesë është dhe kultura e përgjithshme në të cilën shpërndarja e gjuhës së urrejtjes është normale dhe nuk sanksionohet. Duhet të kemi më shumë shkrime nga gazetarë dhe që do të sqarojnë dhe argumentojnë rëndësinë dhe pasojat që pësojnë gratë vetëm se janë gra”, thekson Zylbeari.
Përkundër kësaj, kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari vazhdon të besojë fuqishëm se “puna me parime etike dhe profesionale, duke mos devijuar nga vlerat njerëzore, të jep fuqinë që askush s’mund të të ndalojë ta kryesh këtë profesion”, kështu, ajo përmes Mollëkuqja.mk i inkurajon të gjitha vajzat e reja të kyçen në fushën e medias.
Ndryshe, një hulumtim i Platformës për Gazetari Hulumtuese dhe Analiza PINA disa muaj më herët kishte treguar që 81.6% e gazetareve gra të anketuara kishin përjetuar një formë të ngacmimit në internet, ndërsa fotografitë e 29.7% të grave gazetare janë shpërndarë në disa grupe në rrjete sociale me qëllimin për t'i diskredituar ato. Për më tepër, 22% e grave gazetare përjetojnë përndjekje online, kurse fushata të orkestruara ka pasur ndaj 18.7% të grave të anketuara.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
TË NDRYSHME
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia