November 21st, 2023
Vendi firmosi Konventën e Stambollit me të cilët u zotua të mbrojë, të parandalojë dhe të trajtojë viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, në korrik të vitit 2011 kurse shtatë vjet më vonë, në korrik të vitit 2018, ajo hyri në fuqi. Që atëherë janë bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të parandalimit dhe trajtimit të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore por institucionet janë akoma larg zbatimit të të gjitha detyrimeve që vinë me këtë Konventë, sidomos në praktikë. E një nga mekanizmat shtyllë në këtë betejë është Kodi Penal.
Ministria: Kodi i ri penal s’do të ketë shumë ndryshime
Në nenin 122 të Kodit penal, dhuna në familje përkufizohet si keqtrajtim, fyerje, kërcënim për sigurinë, lëndim fizik, dhunë seksuale ose dhunë tjetër psikologjike, fizike ose ekonomike që shkakton ndjenjën e pasigurisë, kërcënimit ose frikës, duke përfshirë kërcënimet për veprime të tilla ndaj partnerit bashkëshortor, prindërve ose fëmijët ose personave të tjerë që jetojnë në një bashkësi martesore ose jashtëmartesore ose familje të përbashkët, si dhe kundër partnerit martesor aktual ose partnerit martesor të mëhershëm, partnerit jashtëmartesor ose personave që kanë një fëmijë të përbashkët ose janë në një marrëdhënie të ngushtë personale, pavarësisht nëse kryesi ndan ose ndante të njëjtën banesë me viktimën ose jo.
Nga Ministria e Drejtësisë thonë se ndryshimet e bëra në Kodin penal në shkurt të këtij viti kapin një dimension të gjërë të veprave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Ata thonë se, mes tjerash, është ndryshuar përshkrimi nga “viktimë e veprës penale” në “viktimë nga dhuna me bazë gjinore”.
Për herë të parë, përkufizohet edhe dhuna me bazë gjinore ndaj grave, që nënkupton dhunën ndaj grave për shkak të përkatësisë së tyre në gjininë femërore që çon ose mund të çojë në dëmtime fizike, seksuale, psikologjike ose ekonomike ose vuajtje të grave, përfshirë edhe kërcënimet dhe frikësimet e drejtpërdrejta dhe kërcënimet dhe frikësimet indirekte të akteve të tilla, detyrim ose privimi arbitrar i lirisë, pavarësisht nëse ato ndodhin në jetën publike ose private
Ministria e Drejtësisë.
Është përfshirë edhe vepra e re kriminale “gjymtim i organeve gjenitale të grave” si dhe “përndjekja” kurse bazuar në Konventën e Stambollit, “sulmi seksual” dhe “përdhunimi” janë bërë kategori të veçanta të veprës penale. Edhe “ngacmimi seksual” tashmë është vepër penale.
Për këto vepra dënimet variojnë nga dënime para, dëmshpërblime deri te dënimet me burg, prej disa muajsh deri në dhjerëta vite. Viktimat mund të zgjedhin të hapin një proces penal, të ndjekin një proces civil për marrjen e dëmshpërblimit, si dhe të kërkojnë urdhra mbrojtjeje në bazë të ligjit të posaçëm kundër dhunës.
Duke i sqaruar të gjitha këto, nga Ministria e Drejtësisë vlerësojnë se Kodi i ri Penal që është në përpunim e sipër e që së shpejti do të i qasshëm për shqyrtim publik mjafton për të trajtuar dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore.
“Kodi i ri penal e ruan konceptin theksuar dhe nuk ka ndryshime thelbësore nga ndryshimet dhe plotësimet e miratuara të Kodit penal nga 13.02.2023. Shumë shpejt, version i punës i Kodit të ri Penal të përpiluar nga grupi i punës do të publikohet në ENER dhe do të dorëzohet për mendim në Komisionin Evropian”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Kjo nënkupton se ka akoma hapësirë për përmirësim. Profesoresha Albana Metaj, për “Mollëkuqja” bëri një analizë të thuktë të përmbajtjes së Kodit Penal sa i takon dispozitave për dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore.
“…mund të themi se legjislacioni maqedonas me gjithë mangësitë që mund të vihen re tek-tuk ofron ndihmë për personat që mund të gjenden në situata të dhunës në marrëdhëniet familjare apo të dhunës me bazë gjinore”, thotë Albana Metaj, profesoreshë e të drejtës civile në Fakultetin Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore.
Profesoresha Albana Metaj vlerëson se me ndryshimet e shkurtit të vitit 2023 u bë harmonizim më i madh i Kodit penal me Konventën për parandalimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore sepse, mes tjerash, me ndryshimin e definicionit të dhunës në familje, për herë të parë pranohet dhe njihet edhe dhuna ekonomike ndaj grave si formë e manifestimit të dhunës në familje.
"Dhuna në familje nuk është parashikuar si vepër e posaçme penale në Kodin Penal, por është inkriminuar në kuadër të veprave penale ekzistuese, me përcaktimin e dënimeve më të rënda dhe të ndjekjes penale sipas detyrës zyrtare kur vepra penale kryhet në kuadër të dhunës në familje. Pra, dhuna në familje parashihet si formë kualifikuese e veprave penale ekzistuese në Kodin Penal. Veprat penale të parashikuara në Kodin Penal, të sanksionuara posaçërisht për rastet kur kryhen si pasojë e dhunës në familje janë: Vrasja, Vrasja e çastit, Lëndimi trupor, Lëndimi i rëndë trupor, Detyrimi, Privimi i kundërligjshëm nga liria, Rrezikimi i sigurisë, Akti i dhunshëm seksual me abuzim të pozitës, dhe Ndërmjetësimi në prostitucion. Kodi Penal përcakton se gjithmonë kur ndonjë nga veprat e sipërpërmendura penale kryhet gjatë ushtrimit të dhunës në familje, ajo konsiderohet si formë më e rëndë e veprës penale, ndërsa sanksioni është më i lartë nga forma themelore e së njëjtës vepër penale" tha Albana Metaj.
Viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore përveç fizikisht dhe psiqikisht, shpesh vuajnë edhe dhunën ekonomike, për të cilën deri pak vite më parë nuk flitej aspak.
“Me ndryshimet dhe plotësimet e bëra në Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut në shkurt të vitit 2023, dhuna ekonomike ndaj grave u pranua dhe u njoh si formë e manifestimit të dhunës në familje, gjë që kontribuoi më tej në harmonizimin e legjislacionit penal të Maqedonisë së Veriut me Konventën e Stambollit. Megjithatë, dhuna ekonomike vazhdon të mbetet e pa inkriminuar në Kodin tonë Penal”, thotë Metaj.
E meta tjetër e Kodit tonë Penal është mosnjohja e femicidit si kategori veçantë e vrasjeve. Femicidi, sqaron Metaj, është identifikuar në nivel global si shkaku kryesor i vdekjes së parakohshme tek gratë.
“Femicidi apo vrasja e grave, që përbën dhe formën më ekstreme të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, nuk njihet si vepër penale e veçantë, por procedohet si çdo vrasje tjetër, megjithëse ekzistenca e dhunës në familje dhe dhunës intime nga partneri në rastet kur i ka paraprirë vrasjes, konsiderohet si rrethanë rënduese. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2020, janë vrarë gjithsej 96 gra, prej të cilave konsiderohet se të paktën 50 kanë qenë raste femicidi. Megjithatë, femicidi nuk njihet si kategori ligjore e veçantë, kështu që nuk ka statistika zyrtare për numrin e saktë të grave të vrara”, thotë Metaj.
Profesoresha Metaj konsideron se dënimet e parashikuara për kryerësit e veprave penale janë adekuate dhe u përgjigjen standardeve të vendosura ndërkombëtarisht.
“Megjithatë, duhet të kemi parasysh se dhuna në familje është një fenomen multidimensional dhe si i tillë trajtohet nga të gjitha sferat e së drejtës, pra jo vetëm nga e drejta penale, nëpërmjet Kodit Penal, por dhe nga e drejta civile dhe nga e drejta ndërkombëtare. Kjo do të thotë se Kodi Penal nuk është rruga e vetme në dispozicion dhe mbështetje të viktimave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Mendoj se një nga problematikat kryesore në parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore ka të bëjë pikërisht me mungesën e koordinimit dhe bashkërendimit të punëve midis organeve të ndryshme shtetërore me kompetenca në këtë fushë.”, thotë Metaj.
Metaj thotë se nevojiten veprime të koordinuara të të gjitha autoriteteve përgjegjëse për marrjen e masave për pengimin, parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, investim i mjeteve financiare, si dhe përmirësim i aftësive dhe kapaciteteve profesionale të personelit që është në vijën e parë të trajtimit të rasteve të dhunës në familje.
Brenda katër vjetëve në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 19 raste të vrasjes së grave, nga të cilat 17 kanë të bëjnë me femicid.
Fatlume Dervishi është gazetare e diplomuar dhe redaktore në televizionin Alsat M. Ajo ka kryer studimet master për Marrëdhënie me Publikun. Fatlumja shkruan më tepër për tema politike, të edukimit dhe të diplomacisë. Ajo ka marrë pjesë në shumë projekte tjera për verifikim të fakteve.
TË NDRYSHME
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia