June 27th, 2023
Endometrioza prek afërsisht 10% apo 190 milion të grave në botë të cilat janë në moshë riprodhuese. Ajo është sëmundje në të cilën indet e ngjashme me mukozën e mitrës rriten jashtë mitrës, dhe mund të shkaktojë dhimbje të forta në legen dhe ta bëjë më të vështirë shtatzëninë. Endometrioza mund të fillojë në menstruacionet e para dhe të zgjasë deri në menopauzë. Megjithatë, për këtë sëmundje në Maqedoninë e Veriut ka pak informacion, ndërsa gratë dhe vajzat shpesh hasin në rrugë pa dalje kur dyshojnë se kanë këtë sëmundje.
Se potencialisht mund ta ketë këtë sëmundje, dyshime ka pasur e intervistuara e Mollëkuqja.mk, Blerta Ceka, e cila sqaron se për një kohë të gjatë kishte përjetuar dhimbje të forta menstruale ndërsa biseda me mjeken gjinekologe veçse ja shtoi frikën dhe dyshimet, kjo për shkak të qasjes sipas Cekës, joprofesionale të mjekes.
Gjatë konsultës, u zhgënjeva kur gjinekologjia shprehu shqetësimin për diagnozën e mundshme të endometriozës, duke e përshkruar atë si "shumë të rrezikshme" dhe "të dhimbshme". Më tej, gjinekologia shpjegoi se një diagnozë e tillë do të kërkonte procedura invazive dhe më ofroi udhëzim në departamentin e kirurgjisë në një spital shtetëror. Përveç asaj, më paralajmëroi qe pritja do të jetë e gjatë. Fatkeqësisht, biseda përfundoi në atë pikë, duke më lënë pa asnjë informacion apo udhëzim të mëtejshëm.
Blerta Ceka
Blerta foli për rëndësinë e komunikimit të kujdesshëm mjek-pacient. Sipas saj, është shumë e rëndësishme që profesionistët mjekësore të flasin rreth diagnozave të mundshme me qartësi dhe profesionalizëm.
“Unë besoj se është e rëndësishme që profesionistët mjekësorë t'i qasen diskutimeve rreth diagnozave të mundshme me ndjeshmëri, qartësi dhe të japin informacionin e nevojshëm për të fuqizuar pacientët që të marrin vendime të informuara për shëndetin e tyre”, theksoi Blerta.
Endometrioza është një sëmundje gjinekologjike kronike ku inde të ngjashme me endometrinë, që është shtresa e brendshme e mitrës, rriten jashtë mitrës. Këto inde të rritura të endometriozës mund të gjenden në zona të ndryshme të trupit, si vezoret, fshikëzat, fshikërrat dhe organet e tjera të pelvitit. Kështu e përshkruan endometriozën gjinekologu nga One Hospital, Ejjub Ejjub.
Ai thekson se endometrioza paraqitet shpesh te gratë në moshë të rritur riprodhuese, ku rreth 10-15% e grave të moshës së brendshme të rritur mund të kenë endometriozë. Megjithatë, shpërndarja e endometriozës në popullatë dhe frekuenca e saj variojnë.
Simptomat e endometriozës mund të jenë të ndryshme për çdo pacientë.
Një nga simptomat më të shpeshta është dhimbja e barkut para dhe gjatë ciklit menstrual. Pacientët gjithashtu mund të përjetojnë dhimbje gjatë raporteve seksuale, dhimbje në veshka ose urinim të shpeshtë gjatë ciklit menstrual, dhimbje në zorrë dhe gazi të shpeshtë, lodhje të tepërt dhe probleme me shtatzëninë.
Ejjub Ejjub
Ndërkaq sa u përket metodave të trajtimit, Ejubb thotë se varen nga simptomat, dëshira për të mbajtur fëmijë në të ardhmen dhe rëndësia e simptomave për pacienten.
“Trajtimi mund të përfshijë përdorimin e ilaçeve për kontrollimin e dhimbjes dhe inflamacionit, terapinë hormonale për të zvogëluar rritjen e indeve të endometriozës dhe ndërhyrjet kirurgjikale për të hequr ose zvogëluar inde të prekura nga endometrioza”, tha Ejubb i cili shtoi se në rast se një vajzë/grua vëren simptoma të dyshimta të endometriozës, është e rëndësishme që të konsultohet gjinekologu. I cili do të kryejë ekzaminim fizik dhe mund të kërkojë testimet diagnostikuese si ultratingulli pelvian ose laparoskopia.
Për të parë se sa gra dhe vajza në Maqedoninë e Veriut janë të prekura me këtë sëmundje kontaktuam institucionet relevante të shëndetësisë në vend. Të dhënat e Institutit për Shëndet Publik për 13 vite, përkatësisht nga viti 2008 deri në vitin 2021 ka pasur gjithsej 2.221 gra që kanë marrë shërbime për këtë sëmundje, rrënie të ndjeshme të këtyre rasteve ka pasur në vitin 2019.
Për këtë, Mollëkuqja përgatiti vizualizim.
Në lidhje me metodat e trajtimit në vend pyetëm edhe në Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrike në Shkup. Nga atje theksuan se kjo sëmundje mund të trajtohet si vijon.
Mënyra e shëndetshme e jetesës është terapi e mundshme për endometriozën (aktivitet i rregullt fizik, diete e shëndetshme, shmangia e pijeve alkoolike, reduktimi i kafeinës). Përkatësisht, faza e parë dhe e dytë trajtohen mjekësisht me analgjezik dhe qetësues. Fazat e mbetura kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale (laparotomi ose laparoskopi).
Klinika për Gjinekologji në Shkup
Gjinekologu Ejubb përmes Mollëkuqja ndanë me lexuesit tonë disa këshilla se si t'i qaseni kësaj sëmundje
Konsultohuni me një gjinekolog nëse vëreni simptoma të dyshimta të endometriozës. Diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi janë të rëndësishme për të përmirësuar simptomat dhe parandaluar përkeqësimin e tyre.
Hulumtoni metodat e ndryshme të trajtimit dhe diskutoni me mjekun tuaj për mënyrën më të përshtatshme të trajtimit bazuar në gjendjen tuaj specifike.
Ndryshoni dietën dhe stilin e jetës. Dieta e pasur me ushqime anti-inflamatore, ushtrimet e rregullta dhe menaxhimi i stresit mund të ndihmojnë në trajtimin e simptomave të endometriozës.
Informohuni për metodat alternative të trajtimit, si akupunktura, masazhi dhe suplementet natyrale. Konsultohuni gjithashtu me mjekun tuaj para përdorimit të këtyre metodave.
Është gjithmonë e rëndësishme të jeni të vetëdijshëm për simptomat tuaja dhe t'i ndani ato me gjinekologun tuaj. Vendosni pyetje dhe bëni komunikim të hapur me ekipin tuaj mjekësor për të marrë zgjidhjen më të mirë trajtuese për endometriozën.
Nga Asociacioni për edukim shëndetësor dhe hulumtim HERA për Mollëkuqja theksojnë se edhe pse ata nuk punojnë në fushën e endometriozës, edukimi gjithëpërfshirës seksual do të kontribuonte në ndërgjegjësimin e grave për shëndetin riprodhues.
“Duke i hapur këto çështje në një mjedis të sigurt, Edukimi Gjithëpërfshirës Seksual kontribuon në heqjen e tabuve të të gjitha aspekteve që lidhen me shëndetin seksual dhe riprodhues, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme duke pasur parasysh se tabutë dhe temat e ndaluara janë shpesh pengesa kryesore në kërkimin e informacionit, ndihmës dhe mbështetjes nga prindërit dhe profesionistët)”, thanë nga HERA.
Ndryshe, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), aktualisht nuk ka një kurë të njohur për endometriozën dhe trajtimi zakonisht synon kontrollin e simptomave. Qasja në diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin efektiv të endometriozës është e rëndësishme, por është e kufizuar në shumë mjedise, duke përfshirë vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
TË NDRYSHME
Si të përshpejtohet trajtimi i kancerit të gjirit te pacientët rezistent ndaj...
Ardit Ramadani
10/10/2022
Prezervativët do të jenë pa pagesë për personat nga 18 deri në 25 vjeç në Francë
Ardit Ramadani
09/12/2022
RMV-ja ndryshoi kryeministrin, por jo edhe zakonet - gratë ngelen të papërfaq...
Fisnik Xhelili
17/01/2022
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia