brown-floral-women-bookmark-(3).png

Vështrimi mashkullor – si udhëhiqet kultura nga pikëpamjet mashkullore?

SEKSIZËM

June 6th, 2023

Laura Mulvey i dha frymë njërës prej koncepteve më të rëndësishme të kinematografisë bashkëkohore, të quajtur the male gaze, e që në shqip mund ta përkthejmë si vështrimi mashkullor. Në esenë e titulluar “Kënaqësia vizuale dhe kinemaja narrative,” Mulvey argumenton që filmat krijohen duke pasur në mendje një “shikues mashkull” për të cilin figurat femërore të filmave objektivizohen në mënyrë që filmat dhe krijimet kinematografike të jenë sa më tërheqëse për të – pra filmat krijohen për të kënaqur, në masa të ndryshme, skopofilinë mashkullore. Skopofilia është marrja e kënaqësisë seksuale përmes vështrimit të trupave të zhveshur ose provokues seksualisht. Nuk kërkon shumë mund që ta dallojmë këtë “figurë” të gruas nëpër filma. Menjëherë ndër mend na vijnë personazhe si Mikaela Banes në filmin e vitit 2007 Transformers, e cila mbi të gjitha, paraqitet si një “kukull për të ngritur shikueshmërinë” përmes figurës së Megan Fox-it.

2-1685907927.jpeg

Ky është sigurisht veç një shembull nga shumë të tillë nëpër filma. Por, pavarësisht se në mediat ndërkombëtare, me vëmendje të veçantë ato në Amerikë dhe Europë, paraqitje të tillë kanë filluar të ndryshojnë (edhe pse jo të largohen krejtësisht), në mediat ballkanase, konkretisht ato shqiptare, shohim të kundërtën – paraqitjen e fuqishme të këtij trendi. Meqë bota shqipfolëse nuk është një makineri e madhe kinematografie – e meqë unë nuk jam ndonjë ekspert filmash – nuk mund të bëj një analizë të këtij fenomeni te filmat shqiptarë. Megjithatë, pavarësisht se Mulvey e paraqet këtë fenomen në kontekst kinematografik, unë do të thosha që kjo qasje vlen të shqyrtohet edhe në kulturën e përgjithshme dhe aty ndoshta e ka ndikimin më të fuqishëm e të drejtpërdrejtë në diskursin e përgjithshëm shoqëror.

Kur përmend vështrimin mashkullor në kontekstin kulturor të një shoqërie, nënkuptoj paraqitjen e këtij fenomeni në media, në krijime artistike (si këngë e videoklipe), në rrjete sociale e në diskursin e përgjithshëm dhe gjuhësor të një shoqërie. Një studim i tillë do të ishte shumë i gjatë, andaj unë do të mjaftohem vetëm me theksimin e disa prej mënyrave më të qarta e të drejtpërdrejta që vështrimi mashkullor e më gjerësisht pikëpamja mashkullor e drejton qasjen dhe mentalitetin kulturor të shoqërive.

Shoqëritë botërore, për shumë kohë, kanë qenë (e vazhdojnë të jenë) shoqëri patriarkale – pra shoqëri në të cilat rolet drejtuese, vendimmarrëse, kreative, e thënë më thjesht – kryesore, u jepen dhe u ofrohen më lehtësisht meshkujve sesa grave. Shoqëritë shqiptare, në krahasim me ato europiane në tërësi, e kanë ruajtur tradicionalizmin patriarkal edhe në formë ligjore e shoqërore për një kohë pak më të gjatë. Shtetformimi më i vonë dhe presioni kombëtar ndaj shqiptarëve me siguri ka ndikuar mbi këtë. Qëndrime të tilla patriarkale kanë rrjedhur edhe në shoqëritë bashkëkohore shqiptare. Duke u kthyer nga e kaluara, objektivizimi i grave përmes vështrimit mashkullor dallohet edhe në këngë popullore. Nëse i analizojmë tekstet e shumë këngëve ku përmenden personazhe femërore do të shohim që karakteristikat dalluese të tyre janë “buzët si karajfile,” “belat e hollë,” “shtati si selvi” e mjaft shembuj të tjerë – supozohet pra përnjëherë që dëgjuesit, në masën dërmuese, janë meshkuj. Në një kohë të kaluar, kur gratë s’kishin të drejtë as të dilnin në prag të shtëpisë, a të ishin në një dhomë të njëjtë me burrat, tekste të tilla janë gjer diku “të kuptueshme” (sigurisht që s’janë të pranueshme) – janë të tilla pasi vetë konteksti shoqëror nuk lejonte që gratë të vlerësoheshin për diçka tjetër përpos kënaqësive vizuale që u jepnin meshkujve, pasi ajo ka qenë një shoqëri rrënjësisht mashkullore, ku mashkulli e vendoste të drejtën e të padrejtën, e ndante të pranueshmen nga e papranueshmja. Një qasje e ngjashme ndodh edhe në kohët bashkëkohore. Kultura jonë dhe produktet e saj vazhdojnë të drejtohen pothuajse krejtësisht nga vështrimi – dhe pikëpamja – mashkullor/e.

Në “mentalitetin” e përgjithshëm të mediave shqiptare është krijuar përshtypja që për të arritur shikueshmëri të lartë në emisione është i nevojshëm objektivizmi dhe seksualizimi i figurës së gruas. Ky “mentalitet” vihet re në pothuajse krejt mediat shqiptare, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë e Maqedoni (pavarësisht se në dozë më të vogël në të fundit). Një rast shumë publik që mund të na kujtohet është situata që u krijua në emisionin e quajtur Xing me Ermalin, ku të ftuarit nga Nas Daily, Nuseri Yassin dhe ish e dashura e tij, Alyne, e kundërshtuan haptazi objektivizimin dhe seksualizimin që iu bë grave në një emision aq të madh siç ishte ai.

1-1685907944.jpeg

Në shumë emisione të tilla gjejmë figurën e “gruas kukull” e cila përdoret si “karrem” për të tërhequr shikuesit jo nga kualiteti mediatik, por përmes skopofilisë. Në shumë emisione dallohen edhe plot raste kur kuadri i kamerave përqendrohet në trupin e të ftuarave gra, duke i seksualizuar pjesët e tyre të trupit, sigurisht për të kënaqur skopofilinë mashkullore. Është e çuditshme dhe e frikshme se si shumë prej këtyre grave që paraqiten në kuadro të tilla nuk reagojnë, të paktën në një masë të gjerë dhe publike, pasi kjo qasje është veçse degradim i figurës së një personi vetëm në pamjen e tyre fizike – një poshtërim total. Këto teknika për “të mbajtur vëmendjen e shikuesve” qartësisht drejtohen vetëm drejt meshkujve, e njëkohësisht paraqiten si teknika të lira e boshe, që e trajtojnë si femrën, ashtu edhe mashkullin në mënyrë fyese – të parën duke e trajtuar si objekt seksual e jo si njeri, a të dytin duke e trajtuar si asgjë më shumë sesa një “kafshë të drejtuar nga epshet.”

Një fenomen i ngjashëm ndodh edhe në videoklipet muzikore, kaq pjesë e madhe e kulturës rinore sot, sidomos në zhanrin e hip-hopit. Femra përdoret si objekt, përdoret si simbol i seksuales dhe epshores, a mashkulli si “pronari” i këtij “simboli” i cili bën me të çfarë të dëshirojë, e përdor si të dojë, e shfrytëzon dhe e sundon. Imagjinoni me çfarë fryme seksiste zhvillohet kultura bashkëkohore përmes medias e muzikës – gruaja është objekti, mashkulli synon të jetë pronari – një raport kapitalist i ndërtuar mbi pronësinë seksuale, brenda raporteve njerëzore... e frikshme. Tekstet dhe mesazhet që përhapen shpesh në këngë të tilla veçse ndihmojnë në pranimin dhe përhapjen e këtyre qëndrimeve, sidomos kur harrohen të kuptohen si “shprehje artistike” dhe merren si mesazhe të një “sjelljeje të duhur.”

12.webp

Prania më e lartë historike e kapitalit ekonomik brenda gjinisë mashkullore ka sjellë edhe në seksualizim e objektivizim të figurës së gruas edhe në radhët e bizneseve. Shpesh na ndodh të shohim figura femërore të seksualizuara e të objektivizuara që paraqiten në reklama të bizneseve të llojllojshme. Në situata të tilla bizneset dhe ekipet e marketingut luajnë përsëri me kartën e “mashkullit si një qenie epshore” dhe nxisin fetishizimin e produkteve ekonomike me nxitje seksuale, a njëkohësisht promovojnë idenë se vlera e grave qëndron veç në “paraqitjen e tyre për burrat.”

Pra, bizneset, mediat, filmat, librat e kultura në përgjithësi, në produktet që ofrojnë, pothuajse përherë kanë ndër mend një konsumator mashkull, a njëkohësisht kjo çon në përjashtim të 50% të popullsisë së botës. Këtu do të shtoj që ekziston objektivizim dhe seksualizim edhe i figurës së mashkullit, drejtuar vështrimit femëror, mirëpo ky fenomen (përveç në fushën e biznesit) nuk krahasohet aspak me praninë e vështrimit mashkullor, sidomos në sferën artistike e mediatike. Sipas gjithë këtyre shembujve, një njeri tipik është një mashkull – besoj se vihet re sa mentalitet i gabuar është ky...

Ju ftoj të shikoni me vëmendje produktet kulturore që kultura jonë prodhon dhe konsumon dhe do t’i dalloni shumë lehtë të gjitha këto për të cilat po ju flas – shikoni emisionet, videoklipet e këngëve, filmat; lexoni tekstet e këngëve, librat poezitë dhe do ta dalloni këtë fenomen në aq shumë vende sa do të habiteni. Do ta dalloni edhe në gjuhën e përditshme, dhe në meme-t që shpërndahen në rrjetet sociale. Dikush do të thoshte që këto janë thjesht shaka dhe nuk janë qëndrime serioze, megjithatë unë besoj fort në thënien “shakaja është gjysma e së vërtetës” dhe një shaka kaq e përhapur s’ka se si të mos ketë të vërteta brenda vetes. Do të mund ta zgjeronim këtë artikull edhe më shumë – mund të diskutonim përfaqësimin e grave si përbindësha dhe figura të frikshme nëpër mitologji e legjenda (si shtrigat, lugatë etj.), mirëpo këto janë tema për shqyrtim shumë më të gjerë e të thukët. Aq e përhapur dhe e normalizuar është kjo qasje dhe kjo pikëpamje mashkullore, ky vështrim mashkullor ndaj botës, saqë të bën të mendosh që gratë nuk kanë as çfarë të ofrojnë e as çfarë të përfshihen në jetën shoqërore. Këto sigurisht që janë pasoja të një historie të gjatë patriarkalizmi në Ballkan e në botë, mirëpo kjo nuk e përligj këtë pozitë të kulturës. Diskursi, gjuha e përditshme, imazhet kulturore dhe artistike, mesazhet që përcillen, mbajnë brenda vetes shumë poshtërim të drejtpërdrejtë ndaj femrave, a njëkohësisht edhe poshtërim jo të drejtpërdrejtë ndaj meshkujve. Në botën e sotme nuk është e pranueshme që gratë të shihen si objekte seksi, e njëkohësisht as meshkujt si objekte epshi. Këto janë mentalitete të mbetura nga një histori që ka vepruar mbi këto parime, mirëpo për të krijuar një shoqëri të re, një shoqëri më njerëzore, nevojitet që të kapërcejmë përtej këtyre fenomeneve, të paktën brenda produkteve dhe botës kulturore. Bota nuk është veç e meshkujve, andaj vështrimi ndaj botës nuk mund të jetë veç vështrim mashkullor, por duhet të jetë vështrim njerëzor.

KY SHKRIM ËSHTË SHKRUAR EKSKLUZIVISHT PËR MOLLEKUQJA.MK. TË DREJTAT E PUBLIKIMIT I KANË VETËM MOLLEKUQJA.MK DHE AUTORI, SIPAS MARRËVESHJES MES TYRE.    

Ilir Saliu

Ilir Saliu

Ilir Saliu është demonstrator në katedrën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë pranë Universitetit "Shën Cirili dhe Metodi" e njëkohësisht është edhe profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë në nivelin e mesëm arsimor. Në të njëjtin universitet ndjek edhe studimet post-diplomike në drejtimin: Letërsi shqiptare dhe studime kulturologjike. Ka punuar si moderator dhe gazetar në emisionin e mëngjesit "Ditë e Re" në Televizionin "Alsat" dhe merr pjesë aktivisht në organizime të karakterit kulturor dhe shoqëror.


donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia