3-1670664704.png

Hoda: Pjesëmarrja jonë në luftë s’ishte tabu, heroinat më të mira kanë qenë gra

PASOJA

December 10th, 2022

Kapela e UÇK-së, 21 vjet më parë i mbuloi kaçurrelat e dendura, për të simbolizuar fillimin e një rruge të re që e mori edhe zyrtarisht, emrin e ushtares për të cilin thotë se edhe sot është krenare. Hafije Hoda zëvendësoi përkohësisht librat e studimeve të Gjuhës dhe letërsisë me pushkën, si dy armët që i shihte si opsion të vetëm të kohës, në pranverën e vitit 2001. Në një intervistë të drejtpërdrejtë, me kaq vite distancë nga ato momente shumë të rëndësishme të jetës së saj, ajo nuk e ka të vështirë të flasë për motivin. Për rrugën që mori ishte përgatitur prej vitesh. 

“Edhe atë kohë, edhe tani që po e them, motivi kryesor ka qenë ideali, një ideal shumë i lartë për këtë vend, për këtë tokë që e shkel dhe këtë ajër që e frymoj. Ky ideal brenda meje edhe në ditët e sotme nuk është humbur, qëndron po aty, vetëm se tani më i heshtur ose i vënë në gjumë.”

Hafije Hoda

Hoda: Pjesëmarrja jonë në luftë s’ishte tabu, heroinat më të mira kanë qenë gra

Ideali për liri, e sidomos dije e barazi vjen heshtur, por, siç thotë ajo, ai ka një peshë të madhe. 21 vjet pas historisë së jetës së saj të cilën ishte e gatshme ta tregojë me kënaqësi, ajo sot është një zonjë me disa vite përvojë në arsim dhe në profesionin e saj. Hoda sot është profesoreshë e Gjuhës dhe letërsisë në Shkollën e Mesme të Mjekësisë, “Nikolla Shtejn” në Tetovë, në kontakt të përditshëm me nxënësit të cilëve nuk u përçon vetëm dije por edhe dashurinë për kombin. Pak rrudha dhe një përvojë jetësore dy dekadëshe bëjnë dallimin e asaj që është tani, me fotografitë e periudhës së luftës, e veshur me uniformën e ushtares, të cilat i ndan me ne.  

“Mundohem për atë ideal të kontribuoj përmes asaj që ma mundëson profesioni, me të rinjtë, me nxënësit, ta vazhdoj atë ideal dhe ta mbjellë atë ideal edhe te gjeneratat e reja.”

E qetë në rrëfimin e saj dhe e vendosur, Hoda nuk e ka aspak të vështirë të kujtojë fillimet. Kur e mori vendimin e madh, mbase jo tipik për një femër, për të marrë pjesë në luftime?

“Vendimi është marrë para se të nisemi për atë rrugë, para momentit të 14 marsit (dita kur grupet e UÇK-së të pozicionuar në Kalanë e Tetovës u konfrontua me ushtrinë dhe policinë e shtetit). Ai vendim është marrë më herët, 2-3 vite përpara kanë nisur përgatitjet sepse asnjëherë nuk bëhen gjërat madhore për një ditë. Përgatitja ka qenë shumë më herët dhe kemi qenë shumë të sigurt se ku shkojmë dhe çfarë bëjmë.”

Hafije Hoda

Por, edhe periudha përpara se të dilnin edhe praktikisht në mal, për Hodën dhe gjeneratën e saj nuk ishte e lehtë. Në periudhën e atëhershme, studimet në Universitetin e Tetovës nuk u ngjanin aspak atyre të ditëve të sotme. Ata shoqëroheshin me trazira. Pothuajse të gjithë nuhasnin kahjen që do të marrë historia, por rrallë kush guxonte të flasë hapur për të. 

“Ishte. Ishte e vështirë, për shkak se turbulencat kanë qenë në përgjithësi. Universiteti ishte në fillimet e tija, ne kemi qenë gjenerata e dytë, ishte dilema e sigurisë tek njerëzit se çfarë ndodh, çfarë do të bëhet por ne edhe në drejtimin e universitetit i kishim ato ideale; gjuha, arsimi, toka, atdheu, të gjitha ishin bashkë, edhe kur ishim studentë ne punonim për këtë. Nuk e kishim problem, ishim shumë të sigurt që në çdo provim, në çdo ligjëratë që bënim në ato shtëpitë private, ishim krenarë, se ne jemi duke bërë diçka... Ka qenë një fat shumë i mirë për atë kohë dhe për ato rrethana. Pavarësisht se nuk e kemi thënë drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin, ideali ka qenë tek shumica e njerëzve që kemi pasur rreth nesh, tek shokët dhe shoqet.”

Hafije Hoda

Hafije Hoda tani është bashkëshorte e Besim Hodës, po ashtu ish ushtar, drejtues i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, me të cilin më vonë krijoi familje. 

Hoda: Pjesëmarrja jonë në luftë s’ishte tabu, heroinat më të mira kanë qenë gra

Dy dekada më parë, përskaj bashkëluftëtarëve, ajo ishte njëra nga vetëm dy vajzat të cilat fillimisht ju bashkuan batalionit në datë 14 mars. E gjininë, thotë se nuk e kanë parë asnjëherë si pengesë për qëllimin e tyre. 

“Jemi pranuar shumë mirë prej shokëve të idealit. Nëse e marrim në atë drejtim, historia ka dëshmuar se gratë kanë qenë heroinat tona më të mira, prej Mbretëreshës Teutë. Këto ishin në ëndrrat tona, normalisht gjëra që s’do mund t’i arrijmë asnjëherë. Kemi Shote Galicën, kemi Xhevë Ladrovcin në Kosovë, e shumë e shumë të tjera që nuk përmenden. Tabu është për njerëzit që nuk duan t’i pranojnë gjërat, për ndryshe s’ka qenë tabu. Gratë moti e kanë thyer këtë tabu.”

Por, si i shihnin bashkëluftëtarët? Ajo kujton se kanë treguar kujdes më të shtuar ndaj tyre, gjë me të cilën nuk ka qenë dakord. Me një mendësi të prerë se është e barabartë me burrat, në rrëfimin e saj Hoda, tregon se si i ka penguar “mbrojtja” që ua kanë dhënë ushtarët meshkuj.

“Unë nuk i marr si fajtorë. Ata donin sikur të na mbronin duke harruar se ne edhe vetë mund të mbrohemi. Shokët dhe vëllezërit tanë, të cilët edhe sot i llogaris si të tillë, janë munduar të na shohin me kujdesin e një familjari. Tani e marr si kujdes kurse për ndryshe, atëherë nuk jam ndjerë shumë mirë. Për deri sa e kam marrë atë drejtim, i dal vetes për zot.”

Hafije Hoda

Pa diskutim që pjesëmarrja e grave në luftë s’është e zakonshme. Kjo verifikohet edhe nga numri i ulët i grave pjesëmarrëse në konflikt. Një arsye është edhe mendësia e meshkujve që megjithatë i merr gratë në mbrojtje, çka e dëshmonte edhe Hafije Hoda. Por rasti i saj dhe i të tjerave dëshmon megjithatë diçka tjetër. Dhe si ajo mund të ketë dhe raste të tjera por të cilat nuk dihen. 

E VËSHTIRË TË FLASËSH PËR LUFTËN

Për luftën duhet të flitet sepse përmes historive, njerëzit mund të lidhen dhe të krijojnë empati njëri me tjetrin. Kështu vlerëson Boro Kitanoski, nga “Aksioni paqësor”. Ai dhe kolegët e tij kanë mbledhur mbi 350 histori të luftës, nga njerëz që nuk janë prezent në jetën publike por tek të cilët lufta ka pasur ndikimin e saj. Njëri nga vëllimet e botuara është “13 histori grash për një luftë” me intervista të cilat përshkruajnë me detaje përjetimet.

“Për ne me e rëndësishme është që të përpiqemi që ata histori t’i shfrytëzojmë për të nxitur dialog në shoqëri, së pari mes fqinjësh, për një temë e cila është e vështirë, që të mos shndërrohet në një gurë për t’u penguar gjithë jetën. Nëse nuk flitet për diçka që nuk e kemi të lehtë, ai problem me vite vetëm rritet dhe bëhet gjithmonë e më i vështirë për t’u hapur. Prandaj donim ta hapim dialogun më herët sepse e dinim se në nivel njerëzor, jashtë kufijve etnik, përvojat e luftës në një rreth kanë ndikim të njëjtët në jetën e të gjithëve që jetojnë në atë rreth. Kur gjuhet me atë, të gjithë kanë nevojat dhe frikërat e njëjta”

Boro Kitanoski

Përmes serisë së tregimeve nga gratë, shihet qartë hapësira që është e kufizuar për gratë dhe që është në radhë të parë shtëpia, kujdesi për familjen, disa frika specifike që lidhen me gjininë dhe sigurinë, e kjo nuk është specifike vetëm për ne, por ndodh gjithkund njësoj, thotë Kitanoski. 

“Rrugën për dalje nga këto padrejtësi unë e shoh përmes procesit të shembjes së atyre roleve të cilat na janë imponuar. Le t’i zbërthejmë ato, përmes një historie të thjeshtë, si ato në libër, të përpiqemi t’i imagjinojmë të gjitha sfidat me të cilat një person përballet në një moment kritik dhe të përpiqemi të imagjinojmë se çfarë force është e nevojshme për secilën prej tyre, përfshirë edhe pritshmëritë e rrethit të cilat zakonisht janë stereotipe “ti je grua, duhet të kujdesesh për familjen”, ose “ti je burrë, duhet të shkosh në luftë”

Boro Kitanoski

Hoda: Pjesëmarrja jonë në luftë s’ishte tabu, heroinat më të mira kanë qenë gra

Kërkimet për të dhëna rreth luftës së vitit 2001 nuk janë të thjeshta, e aq më pak në internet, i cili sot është burimi i parë i informacionit për gjeneratat e reja. Gjenden vetëm informacione sipërfaqësore dhe të pa verifikuara dhe nga ana tjetër, shumë histori mbesin të pathëna. 

Hoda thotë se kjo nuk vlen vetëm për historitë e grave por në përgjithësi për luftën; më shumë duhet të shkruhet e të flitet për më shumë personalitete. Edhe ajo pajtohet se nga historitë njerëzore të gjithë do mësojnë më shumë.

“Te çështja e të hedhurit dritë te 2001-shi, nuk është vetëm çështja e vajzave, është çështje më e përgjithshme. Ka ngelur në hije një pjesë e ushtarëve, jo vetëm vajzat. Nuk e marr sikur vetëm në drejtimin tim nuk është biseduar. Ka njerëz që edhe duken, është folur për to dhe njihen, por pjesa tjetër e ushtarëve që kishim një ideal shumë të pastër në atë periudhë, të gjithë kanë ngelur në hije.”

Institucionet ndërkohë nuk kanë të dhëna zyrtare për numrin e anëtarëve të UÇK-së dhe si pasojë, as sa prej tyre kanë qenë gra dhe sa burra. Të dhëna të këtilla mund të merren vetëm nga librat që janë shkruar më vonë ose nga organizatat e veteranëve. Në konfliktin e vitit 2001, gratë ishin pjesë e luftimeve edhe në anën e forcave të armatosura shtetërore maqedonase. As për përvojat e tyre nuk dihet shumë. 

Me Hafije Hodën u ndamë me shpresën se në të ardhmen do të flitet më shumë për atë periudhë dhe se informacionet do të mund të gjenden më lehtë. 

За верзијата на македонски јазик кликнете тука.

“Ky publikim u mundësua me përkrahje financiare nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja" dhe nuk i reflekton pamjet e Bashkimit Evropian.”

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi është gazetare e diplomuar dhe redaktore në televizionin Alsat M. Ajo ka kryer studimet master për Marrëdhënie me Publikun. Fatlumja shkruan më tepër për tema politike, të edukimit dhe të diplomacisë. Ajo ka marrë pjesë në shumë projekte tjera për verifikim të fakteve.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia