pink-minimalist-gynecologist-logo---2024-06-04t143651.761.png

Gratë po vriten në Ballkanin Perëndimor dhe është koha për të marrë masa

PASOJA

June 4th, 2024

Institucionet dhe politikëbërësit e Ballkanit Perëndimor mund të luajnë një rol kyç në shpëtimin e jetëve të grave, potencialisht jetët e mbi 50 grave në vit. Megjithatë, ende sot, mesatarisht për çdo javë një grua vritet në Ballkanin Perëndimor.

17 prill, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shpalli një ditë zie për të përkujtuar të gjitha gratë dhe vajzat që kanë qenë viktima të femicidit.

Atë javë, dy gra nga Kosova, Gjyljeta Ukella dhe Erona Cokli, u vranë nga bashkëshortët e tyre, duke e çuar numrin e rasteve të femicideve në 55 që nga viti 2010, në një vend me vetëm 1.8 milionë banorë.

Ky nuk është problem vetëm i një vendi. Numri i grave dhe vajzave që janë vrarë në Ballkanin Perëndimor është duke u rritur tragjikisht dhe vazhdimisht.

Femicidi, i definuar si vrasja e grave dhe vajzave për shkak të gjinisë, është forma më ekstreme e dhunës ndaj grave. Në Ballkanin Perëndimor, dhuna me bazë gjinore, veçanërisht femicidi, mbetet kërcënim i rëndë dhe shumë i shprehur.

Në vitin 2020 dhe 2021, mbi 100 gra u vranë në Ballkanin Perëndimor dhe gjysma e tyre ishin nga Serbia. Gratë mes moshave 46 deri në 55 vjeç kishin më shumë gjasa të ishin viktima të femicidit, me 20% të viktimave nën 30 vjeç.

Gjysma e viktimave të femicidit u vranë nga burrat ose ish-bashkëshortët e tyre dhe në shtëpinë ose banesën e tyre.

Ndërsa rastet e femicidit janë dokumentuar në mbarë botën, Ballkani Perëndimor është veçanërisht i mangët ndaj këtij fenomeni.

Meqenëse normat gjinore patriarkale janë rrënjosur thellë në gjithë rajonin, pabarazitë e pushtetit midis burrave dhe grave janë shumë të thella si në shtëpi ashtu dhe në sektorin publik. Hendeku gjinor i pagave varion nga 20%39%, pasi statusi socio-ekonomik i grave mbetet ende shumë prapa atij të burrave.

Pse femicidi është veçanërisht i përhapur në Ballkanin Perëndimor?

Ballkani Perëndimor ka histori me trashëgiminë e luftës, pasigurinë ekonomike dhe histori të dhunës seksuale ndaj grave gjatë konfliktit. Këta faktorë kanë kontribuar në një mjedis varfërie, konflikti dhe traume ndër breza, ku dhuna në familje pranohet gjerësisht si pjesë e status quo-së.

Studimet kanë treguar se gratë me status më të ulët socio-ekonomik priren të përballen më shumë me dhunën në familje. Duke pasur parasysh pasigurinë ekonomike në Ballkanin Perëndimor dhe statusin relativisht më të ulët socio-ekonomik të grave në raport me burrat, nuk na habit rritja që kanë pësuar rastet e femicidit dhe dhunës në familje në rajon.

Në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, hendeqet e konsiderueshme gjinore në paga dhe përqindjet e pjesëmarrjes në tregun e punës janë më alarmante në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinë.

Me shkallën më të lartë të varfërisë dhe mungesës së qasjes në burime, në këto vende dhuna në familje është veçanërisht në rritje.

Më tej, femicidit në Ballkanin Perëndimor i ka kontribuuar edhe historia e rajonit me dhunën seksuale ndaj grave gjatë konflikteve.

Trupat e grave që gjatë konflikteve të armatosura jugosllave në vitet 1990 u bënë objekte përdhunimi, po vazhdojnë të objektivizohen, seksualizohen dhe abuzohen edhe në shekullin e 21-të.

Më shumë se gjysma e grave në Bosnje dhe Hercegovinë që nga mosha 15 vjeçare, kanë përjetuar dhunë nga partneri intim, ose ndonjë formë tjetër abuzimi.

Gratë e mbijetuara të përdhunimeve gjatë luftërave vazhdojnë të përballen me margjinalizim dhe diskriminim meqë trupat e grave shihen si territore etno-kombwtare të krijuara për t’u pushtuar nga burrat e fuqishëm të cilët përballen me pak ose aspak përgjegjësi për krimet e tyre.

Dhuna që u la e padokumentuar është bërë e padukshme

Pavarësisht strategjive kombëtare për të luftuar dhunën në familje, ka pak mbrojtje institucionale për viktimat në Ballkanin Perëndimor.

Në rajon ekzistojnë shumë pak strehimore për viktimat e dhunës në familje dhe shërbimet publike për të mbijetuarat janë të pazhvilluara. Ligjet për të luftuar dhunën në familje vazhdojnë të karakterizohen nga zbatueshmëria e ultë.

Duke qenë se të mbijetuarat gëzojnë pak mbështetje ligjore ose mbrojtje institucionale, shumë pak gra flasin hapur për dhunën brutale të ushtruar ndaj tyre. Sipas një studimi të OSBE-së, gati gjysma e grave boshnjake janë përballur me abuzime por rreth 84% të rasteve nuk janë raportuar.

Nga viti 2020 deri në vitin 2023, janë dokumentuar 139 raste të femicidit në Serbi, Shqipëri dhe Mal të Zi.

Kjo nënkupton se gjatë kësaj periudhe, në këto vende, për çdo 1 milion gra janë vrarë 26 gra. Megjithatë, për shkak të nën-raportimit, numri i vërtetë i rasteve të femicidit mund të jetë shumë më i lartë.

Shumë pak raste të femicidit bëhen tituj kombëtarë apo ndërkombëtarë.

Në gusht 2023, një burrë boshnjak, i armatosur, transmetoi drejtpërdrejt në Instagram vrasjen e ish-partneres së tij, Nizama Hećimović. Tre muaj më vonë, një tjetër grua boshnjake u vra në shtëpi nga ish-burri i saj.

Ndërsa këto raste u raportuan siç duhet, dhjetëra, nëse jo qindra, raste të tjera të femicidit në Ballkanin Perëndimor janë lënë kryesisht të pa dokumentuara.

A mund të bëjnë diçka politikëbërësit?

Femicidet në Ballkanin Perëndimor nuk janë vetëm një çështje madhore e të drejtave të njeriut, por edhe një krizë emergjente e shëndetit publik. Nëse institucionet nuk e ndërprejnë menjëherë ciklin e dhunës, kjo epidemi do të vazhdojë e pandërprerë, madje do të rritet.

Legjislacionet kombëtare duhet ta njohin femicidin si vepër të rëndë penale si dhe gjyqtarëve e prokurorëve duhet t’u ofrohen trajnime të ndjeshme gjinore duke përdorur praktikat më të mira përmes edukimit ligjor të nevojshëm.

Organizatat e shoqërisë civile si Rrjeti i Grave të Kosovës dhe Qendra Autonome e Grave në Beograd aktualisht ofrojnë mbështetje ligjore për gratë viktima të dhunës me bazë gjinore.

Megjithatë, zbatimi më i fuqishëm i të drejtave dhe mbrojtjes për gratë nevojitet urgjentisht në nivel kombëtar.

Si fillim, strehimoret për viktimat e dhunës në familje, linjat e ndihmës, kujdesi psikosocial dhe trajnimet për punë duhet të krijohen ose zgjerohen për gratë dhe fëmijët në çdo vend.

Organizatat e shoqërisë civile dhe strehimoret për viktimat e dhunës në familje duhet të financohen dhe të trajnohen për mbledhjen e të dhënave në partneritet me agjencitë qeveritare, ashtu që të ketë vlerësim më të saktë të prevalencës së dhunës me bazë gjinore në rajon.

Së brendshmi, parlamentet në Ballkanin Perëndimor duhet të ndërmarrin hapa të shpejtë për të hartuar legjislacione që nxisin policinë, punëtorët socialë, prokurorët dhe gjyqtarët të miratojnë një qasje që ka në qendër viktimat dhe qasjen e tyre në drejtësi. Kjo duhet të përfshijë zbatimin ligjor të urdhrave të mbrojtjes dhe ndjekjen e rasteve të hapura të dhunës në familje nga organet e drejtësisë.

Ministritë e Drejtësisë në rajon duhet gjithashtu të miratojnë masa të ndjeshme gjinore për të ritrajnuar policinë, prokurorët dhe gjyqtarët dhe të hartojnë ligje për të mbrojtur viktimat e dhunës me bazë gjinore. E drejta e qasjes në ndihmë juridike dhe këshillim psikologjik duhet gjithashtu të kodifikohet në legjislacionin për viktimat e dhunës me bazë gjinore.

Në planin global, agjencitë ndërkombëtare të zhvillimit duhet të ndihmojnë qeveritë dhe OJQ-të e Ballkanit Perëndimor në financimin e këtyre programeve të nevojshme dhe trajnimeve të ndjeshme gjinore. Organizatat ndërkombëtare duhet të financojnë fushatat e ndërgjegjësimit të publikut në lidhje me femicidin dhe mënyrën se si viktimat e dhunës në familje mund të marrin ndihmë në komunitete, duke e trajtuar atë edhe si krizë në zhvillim të shëndetit publik në Ballkanin Perëndimor.

Në emër të grave të vrara, ndaloni këtë cikël vrasjesh

Duke e njohur femicidin si vepër të rëndë penale, duke zgjeruar strehimoret e kujdesin psikosocial, dhe duke mbështetur mbledhjen e të dhënave dhe ndjekjen për rastet e hapura të dhunës në familje, institucionet dhe politikëbërësit e Ballkanit Perëndimor mund të luajnë një rol vendimtar në shpëtimin e jetëve të grave, sipas përllogaritjeve, potencialisht më shumë se 50 gra në vit.

Miratimi dhe zbatimi i këtyre masave mund të rezultojë me shpëtimin e 500 grave nga femicidi në Ballkanin Perëndimor gjatë dekadës së ardhshme.

Megjithatë, ende sot, një grua në Ballkanin Perëndimor po vritet pothuajse çdo javë, dhe kjo shifër vetëm sa po rritet.

Duhet të ndërmerren hapa të menjëhershëm për të shkëputur ciklin e dhunës në familje sepse dështimi për ta bërë këtë do të rezultojë në më shumë vrasje dhe tragjedi.

Në emër të Gjyljeta Ukellës, Erona Coklit dhe shumë grave të tjera, është koha që politikëbërësit e Ballkanit Perëndimor të luftojnë femicidin. Tani. Mosveprimi nuk është më opsion.

  • Autor: Alex Chen dhe Tanya Domi.

  • E përktheu për QIKA: Blenda Asllani.

  • Artikullin origjinal në gjuhën angleze e lexoni duke klikuar KËTU.

Ardit Ramadani

Ardit Ramadani

Ardit Ramadani është magjistër i Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë. Ai është autor dhe redaktor i disa hulumtimeve. Më herët, ka punuar si verifikues i fakteve në Vërtetmatës.mk dhe Crithink.mk, si gazetar në ‘Portalb.mk’ dhe në Televizionin Kombëtar ‘Alsat M’. Aktualisht, Arditi është kryeredaktor përgjegjës në portalin ‘Mollekuqja.mk’ dhe udhëheqës i hulumtimit në Forumin për Ndryshime në Arsim. Arditi është bashkë-themelues në të dy këto organizata.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia