pink-minimalist-gynecologist-logo---2024-06-05t153540.285.png

Gratë po diagnostikohen me ADHD me ritme të paprecedentë. Pse?

N'THELB

June 5th, 2024

Në moshën 22-vjeçare, Rach Idowu ishte e bindur se kishte demencë. Ajo e gjente veten duke harruar ditëlindjet, takimet në punë e shlyerjen e borxhit në kartën e kreditit. Një kërkim në Google sugjeroi se ajo kishte demencë të hershme, diagnozë të cilën mjeku e hodhi poshtë shpejt. Do t’i duheshin edhe katër vite të tjera dhe vlerësimet e dy psikiatërve, por përfundimisht Idowu u diagnostikua me ADHD (çrregullimi i deficitit të vëmendjes).

Papritur, gjithçka në jetën e saj filloi të kishte kuptim: rrëmuja e saj e vazhdueshme si fëmijë, netët e mbushura me kafeinë me qëllim për të përfunduar detyrat e shkollës, javët e tëra që iu duheshin për t’iu përgjigjur mesazheve të miqve. “Diagnostikimi ishte një moment eureka”, thotë Idowu, tani 29 vjeçe.

Idowu është një prej miliona grave të diagnostikuara me ADHD. Përderisa numri i diagnozave tek gratë është rritur për dekada, periudha 2020 deri 2022 pa një rritje masive: numri i grave të moshës 23 deri në 49 vjeç që u diagnostikuan me ADHD pothuajse u dyfishua. Pandemia e COVID-19, rritja e informatave në internet dhe popullariteti i ADHD në mediat sociale kanë shkaktuar disa shqetësime se tendenca e diagnostikimit është thjesht një trend. Por a po mbi-diagnostikohen gratë apo bota thjesht po arrin ta kuptojë sa i përhapur është problemi?

Ekzistojnë tri lloje të ADHD: hiperaktiv, i pavëmendshëm dhe i kombinuar. Vajzat dhe gratë priren të kenë tipin e dytë, të karakterizuar nga çorganizimi, harresa dhe vështirësitë në fokusim.

“Ato kanë më shumë gjasa të shihen si ëndërrimtare”, thotë Julia Schechter, bashkëdrejtoreshë e Qendrës së Universitetit Duke për Gratë dhe Vajzat me ADHD.

Edhe vajzat hiperaktive ose të tipit të kombinuar shpesh shfaqin simptomat e tyre ndryshe nga djemtë – të tilla si të folurit e tepruar, luajtja me flokët ose tundja e vazhdueshme e këmbëve dhe reaktiviteti emocional. “Simptomat e tyre janë po aq të dëmshme, por shpesh nuk merren parasysh”, thotë Schechter.

“Çrregullim i djemve”

Kur Kathleen Nadeau, psikologe klinike, si bashkëautore publikoi librin “Të Kuptojmë Vajzat me ADHD” në 1999 – një nga përpjekjet e para reale për të karakterizuar se si shfaqej ADHD tek vajzat e reja – komuniteti hulumtues ende e shihte ADHD pothuajse ekskluzivisht si një “çrregullim të djemve”.

“Na përqeshnin gjatë konferencave. Na thonin: ‘Ne i kemi diagnostikuar këta djem që thirren në zyrën e drejtorit tri herë në javë e pezullohen, ndërsa ju i keni këto vajza të qeta që marrin notat më të larta dhe mendoni se ato kanë ADHD?’” thotë Nadeau.

Edhe pse ky qëndrim ka filluar të ndryshojë, shumica dërrmuese e hulumtimeve mbi ADHD është bërë me fokus tek djemtë dhe burrat, duke çuar në stereotipin hiperaktiv e djaloshar të ADHD.

Shumë vajza me ADHD shkëlqejnë në shkollë, megjithëse kjo ka barrën e vet – ato mund të marrin një notë të lartë në punim, por qëndrojnë zgjuar gjithë natën para se ta dorëzojnë pasi nuk janë në gjendje të përqendrohen për javë të tëra.

“Vajzat punojnë shumë për të fshehur problemet e tyre. Nuk duan që mësuesit e prindërit të zemërohet me to”, thotë Nadeau. Ekspertët këtë e quajnë maskim, pra mënyrën se si gratë priren të gjejnë mënyra për të kompensuar simptomat e tyre për shkak të pritshmërive shoqërore. “Ato duhet të bëjnë të paktën dy herë më shumë përpjekje se burrat në rastet kur vendosin të kryejnë detyra e punë”, shton ajo.

“Është pothuajse e ndaluar që njerëzit tjerë ta dinë që ju po vuani” thotë 31 vjeçarja Janna Moen, një hulumtuese postdoktorale në Qendrën për Infeksion dhe Imunitet të Yale, me një doktoraturë në neuroshkencë. Ajo vet u diagnostikua me ADHD në fund të të 20-ave të saj. Ashtu si shumë vajza që nuk marrin trajtim, Moen kishte nota të larta në shkollë dhe vazhdoi të kishte një karrierë të suksesshme, por vitet e maskimit të simptomave kontribuan në zhvillimin e problemeve të shëndetit mendor dhe të vetëvlerësimit të saj, si dhe në vështirësitë në marrëdhëniet personale.

Ashtu si Moen, e cila shfaqi simptoma të ADHD që nga fëmijëria, vajzat dhe gratë kanë më shumë gjasa që simptomat e tyre të iu ngatërrohen me vështirësi emocionale ose vështirësi në të mësuar dhe kështu kanë më pak gjasa të referohen për diagnostikim. Paragjykimi gjinor poashtu mund të luajë edhe rol tjetër. Në dy studime ku mësuesve iu prezantuan profilet e fëmijëve me

ADHD, kur profileve iu ndryshuan emrat, prej emrave tipik për vajza në ata tipik për djem, kishin më shumë gjasa të rekomandoheshin për trajtim dhe të ofrim të mbështetjes shtesë.

Të gjitha këto keqkuptime nënkuptojnë se vajzat me ADHD po anashkalohen dhe nuk po marrin trajtimin e duhur. Siç thekson David Goodman, drejtor i Qendrës së ADHD në Maryland dhe profesor në Shkollën e Mjekësisë Johns Hopkins, raporti i djemve ndaj vajzave me ADHD në fëmijëri është rreth tre me një, ndërsa tek të rriturit është rreth një me një, duke sugjeruar se përhapja e ADHD është më e barabartë midis gjinive të të gjitha grupmoshave, vetëm se gratë diagnostikohen më vonë.

“Fëmijët diagnostikohen sepse u shkaktojnë probleme njerëzve të tjerë. Të rriturit diagnostikohen sepse u shkaktojnë probleme vetes së tyre”, thotë Goodman.

Një çrregullim i funksionit ekzekutiv

Në fund të fundit, ADHD është një çrregullim i funksionimit ekzekutiv; i proceseve mendore si planifikimi, kujtesa dhe rregullimi i emocioneve që menaxhojnë aftësinë e një individi për të vepruar.

Përderisa gratë kalojnë në moshën madhore, kërkesat për funksionet ekzekutive rriten dhe simptomat mund të bëhen edhe më të vështira për t’u diagnostikuar si ADHD. Hiperaktiviteti mund të shfaqet si shqetësim i brendshëm, pavëmendja mund të duket më shumë si përpjekje për të përfunduar punët ose për të arritur afatet dhe impulsiviteti mund të shfaqet si vështirësi në menaxhimin e një buxheti. Pavarësisht këtyre sfidave, shumë gra me ADHD nga jashtë mund të duken si perfeksioniste me arritje të larta. Por pasojat e mosdiagnostikimit ose të një diagnoze të gabuar mund të jenë të rënda.

Krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre neurotipikë, gratë me ADHD kanë më shumë gjasa të vuajnë nga ankthi, depresioni, abuzimi me substanca dhe çrregullimet e të ngrënit. Ato gjithashtu kanë pesë herë më shumë gjasa të përjetojnë dhunë nga partneri intim, shtatë herë më shumë të ngjarë të kenë tentuar vetëvrasje dhe kanë shkallë më të lartë të shtatzënisë së paplanifikuar ose të hershme. Një studim danez tregoi se rreziku i vdekjes së parakohshme te gratë me ADHD ishte më shumë se dyfishi i burrave me ADHD, potencialisht për shkak se gratë kishin më pak gjasa për t’u diagnostikuar dhe për të marrë trajtim.

Mungesa e specialistëve të ADHD

Rritja e numrit të diagnozave përkoi me dy faktorë potencialisht të lidhur mes vete: pandeminë COVID-19 dhe popullaritetin e TikTok-ut. Një studim zbuloi se rreth 75% e të rriturve të sapo-diagnostikuar thanë se pandemia luajti rol në nxitjen e tyre për të shqyrtuar diagnozë të ADHD, pjesërisht për shkak të kohës së shpenzuar në platformat e mediave sociale si Twitter dhe TikTok. Tendencat e kërkimeve rreth ADHD në Google midis 2020 dhe 2022 u rritën më shpejt se të gjitha periudhat tjera që nga viti 2004. Hashtag-u ADHD ka grumbulluar 35 miliardë shikime në TikTok në Shtetet e Bashkuara vetëm në tri vitet e fundit. Shumë gra raportojnë se janë diagnostikuar vetëm pasi kanë marrë iniciativën për t’u referuar te një profesionist i shëndetit mendor, e disa nga to pohojnë se janë nxitur nga ndonjë postim në mediat sociale.

Edhe për ata që vendosin të marrin një vlerësim neuropsikologjik, gjetja e një profesionisti të aftë është një sfidë në vete. “Brenda tri viteve studimi, psikiatrit kanë rreth gjysmë dite ligjërata mbi ADHD tek të rriturit”, thotë Kathleen Nadeau.

Për dekada me radhë, qëndrimi mbizotërues mes psikiatërve ishte se fëmijët teksa rriten vetvetiu shërohen nga ADHD. Edhe pse ky koncept i gabuar është hedhur poshtë, në SHBA ende nuk ka udhëzime zyrtare për vlerësimin e diagnostikimin e ADHD tek të rriturit.

Për të kryer një vlerësim të tillë duhen disa seanca dhe poashtu mund të përfshijë intervistimin e anëtarëve të familjes dhe madje shikimin e raporteve mjekësore nga e kaluara për të parë nëse simptomat ishin të pranishme në fëmijëri.

Gjetja e një ofruesi që mund të dallojë ADHD tek gratë është edhe më e vështirë. “Mjeku im mendonte se nuk kisha ADHD për arsye sepse kisha mbaruar universitetin e kisha gjetur punë”, thotë Idowu.

Gratë gjithashtu kanë më shumë gjasa që në vend të ADHD, gabimisht të diagnostikohen me ankth ose depresion. Janna Moen kaloi pothuajse dy dekada me diagnoza të gabuara. Ajo mori trajtim për çrregullime të mëdha depresive dhe ankth, por nuk gjeti shërim të simptomave deri sa mori terapi dhe trajtim për ADHD. Moen mendon se ankthi dhe depresioni i saj ishin më shumë një përgjigje ndaj presionit që ajo i bëri vetes për “t’u dukur normale”, ndërkohë që luftonte me simptomat e ADHD.

“Psikiatrit fillimisht trajtojnë ankthin e depresionin. E kur ato rregulloren, vetëm atëherë konsiderojnë diagnostikimin e ADHD. Faktikisht do duhej të ndodhte e kundërta.” thotë Nadeau.

Shërbimet e pasigurta digjitale për ADHD

Me kaq pak profesionistë, startup-et e shërbimeve shëndetësore digjitale të fokusuara në ADHD janë rritur vitet e fundit, duke e promovuar veten si zgjidhje për problemet si vlerësimet e shtrenjta dhe listat e gjata të pritjes.

Këto startup-e reklamuan shërbimet e tyre shumë në platforma si TikTok dhe Instagram. Hatie Parmeter vendosi të provonte njërën prej tyre kur u përball me një pritje katër-mujore për një vlerësim nga një psikoterapiste në qytetin e saj rural në Wisconsin.

“Ishte proces marrëzisht i shpejtë”, thotë ajo, duke vënë në dukje se u deshën rreth pesë minuta që ofruesi nga telefoni ta diagnostikonte atë me ADHD dhe t’i ofronte ilaçe. “Pasi përfundova vlerësimin, fillova të ndihesha e pasigurt rreth saktësisë së tij.” Parmeter vendosi të mos fillonte terapinë e propozuar dhe më vonë i konfirmoi diagnozat pas një vlerësimi të duhur nga një psikolog.

Disa nga këto kompani janë tani nën hetim nga DEA për praktikat e tyre të dobëta të dhënies së terapive. “Këto vlerësime ishin, për mendimin tim, të pamjaftueshme. Shumë njerëz përfunduan duke përdorur ilaçe edhe pse nuk kishin ADHD”, thotë Goodman

Megjithatë, Goodman dhe ofruesit tjerë nuk mendojnë se vetëm diagnozat e gabuara janë shkaktar i rritjes së theksuar të grave që marrin diagnoza për ADHD. Jennifer Gierisch, drejtoreshë e asociuar në qendrën e Duke, vëren se duke qenë se gratë zhvillojnë kaq shumë strategji për të përballuar ADHD, atyre shpesh u duhet t’u ndodhë një ngjarje të madhe jetësore ose stresor – kalimi nga shkolla e mesme në kolegj, marrja e një promovimi në punë ose të pasurit fëmijë – që ato përfundimisht të kuptojnë se diçka nuk është në rregull. Ajo mendon se pandemia ishte një katalizator për miliona gra në të njëjtën kohë.

“Të gjitha ritualet dhe strukturat që i ndihmojnë njerëzit me ADHD të qëndrojnë në rrugën e duhur, u zhduk. Mjetet komplekse që gratë kishin ndërtuar rreth vetes për të plotësuar deficitet nga ADHD nuk ishin më të mjaftueshme”, thotë Gierisch.

Një vonesë në diagnozën e duhur

Ndërsa Schechter lavdëron mediat sociale për përhapjen e ndërgjegjësimit për ADHD tek gratë e rritura, ajo vëren se mund të ketë kontribuar në një imazh të zbehur të çrregullimit.

Një studim i vitit 2022 nga studiues në Universitetin e Kolumbisë Britanike, për shembull, zbuloi se gjysma e përmbajtjes së 100 videove më të njohura të TikTok rreth ADHD ishin me

përmbajtje mashtruese. “Ky nuk është thjesht një çrregullim që ju bën që ndonjëherë të humbisni çelësat. Kur e reduktojmë ADHD-në në një postim të mediave sociale, dëmet që çrregullimi shkakton në aftësitë funksionale humbet”, thotë Schechter.

Ekspertët theksojnë se problemet me vëmendje të shkaktuara nga pandemia, puna nga shtëpia dhe koha e kaluar në mediat sociale nuk janë të mjaftueshme për të garantuar një diagnozë të ADHD.

“Vetëm sepse e keni të vështirë të punoni nga shtëpia, ose të shpërqendroheni nga telefoni, ose nuk mund të bëni detyrat e shtëpisë me televizorin ndezur, nuk do të thotë që keni ADHD. Gjatë vlerësimeve ne kërkojmë modele simptomash dhe sfidash që kanë qenë të pranishme në kohë dhe në mjedise të ndryshme”, thotë Schechter. Në anën tjetër, Gierisch thekson se në fund të fundit ADHD është një gjendje neurozhvillimore që zakonisht është e pranishme që nga lindja dhe në rreth 80 përqind të rasteve është gjenetike. Edhe pse faktorët e jashtëm mund të përkeqësojnë simptomat, ata nuk mund t’i shkaktojnë ato. “Të thuash ‘të gjithë kemi pak ADHD’, është si të thuash të gjithë jemi pak diabetikë”, thotë ajo.

Klinicistët si Schechter nuk mendojnë se postimet e mediave sociale po rezultojnë në rritje të diagnozave apo diagnozave të gabuara. “ADHD ka qenë gjithmonë prezent, ne më në fund po e kapim hapin dhe jemi në gjendje ta diagnostikojmë siç duhet”, shton ajo.

Për gratë që marrin ndihmë, jeta ndryshon për të mirë. Idowu thotë se që kur ka filluar trajtimin dhe mjekimin stimulues, ajo ka arritur të kontrollojë financat e saj, po lulëzon në punë dhe ka përmirësuar marrëdhëniet e saj. Udhëtimi i saj personal dhe mungesa e informacionit të qasshëm e shtynë atë që në vitin 2020 të fillonte një buletin tashmë të famshëm, “Të jetuarit si e rritur me ADHD”, për të cilin ajo thotë se ka ndihmuar qindra njerëz të diagnostikohen. “Është shumë e vështirë të ekzistosh në një botë ku ndihesh sikur truri yt nuk funksionon si duhet. Informimi është fuqizim”, thotë Idowu.

  • Autor: Kaelyn Lynch, artikullin origjinal e gjeni KËTU.

  • E përktheu për QIKA: Riola Morina.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia