Untitled-design-17.png

RMV: Rruga në të cilën kalojnë gratë e përfshira në politikë është rrugë me pengesa

SEEN

January 3rd, 2022

“Gruaja në një shoqëri si e jona është objekt gjykimesh e paragjykimesh e së këndejmi edhe objekt sulmi, që nga momenti që ajo vendos të pozicionohet për një rol aktiv në shoqëri”. 

Në këtë mënyrë, gratë e kycura në politikë brenda shoqërisë sonë e cilësojnë rolin e tyre derisa janë aktive në sferën politike. Pranvera Kasami, nga Instituti për Lidership dhe Politika Evropiane konsideron se në Maqedoninë e Veriut gruaja nuk merr aspak mbështetje për pjesëmarrje në politikë madje shoqëria bëhet pengesë që nga momenti kur gruaja vendos të bëhet pjesë e politikës. 

“Politika është një arenë gare e fortë që si parim do të duhej të ishte e rezervuar për gratë dhe burrat me kapacitetin më të lartë intelektual dhe të integritetit në shoqëri, për të përfaqësuar interesat e mbarë qytetarëve (pavarësisht se në vendin tonë sa ka kushte të jetë e këtillë). Fatkeqësisht, për këtë arenë, shoqëria jonë jo vetëm që nuk është mbështetëse, por përtej kësaj është dhe penguese ndaj një gruaje që nuk i përket një “kallëpi” standard që shoqëria ia ka dizajnuar mbi disa , sipas tyre, norma të traditave, vlerave dhe moralizmave. Konform kësaj gruas i duhet një sforco prej dyfish ose trefish për të arritur rezultate që një burrë mund t'i arrijë.

Pranvera Kasami, Instituti për Lidership dhe Politika Evropiane

Nga gjithsej 81 komuna në Maqedoninë e Veriut, vetëm dy prej tyre udhëhiqen nga gra. Danella Arsovska është gruaja e parë pas 30 viteve që udhëheq me Qytetin e Shkupit, kurse Zhaklina Jovanocska udhëheq Komunën e Staro Nagoriçanit. Në zgjedhjet lokale, numër jashtëzakonisht i vogël u pa fillimisht te gratë e kandiduara për kryetare komune, ku nga gjithsej 299 kandidatë për kryetarë në 81 komuna, vetëm 25 ishin gra. Situata nuk qëndron më mirë as në ekzekutiv, ku nga 20 pozicione në Qeveri, vetëm 4 mbahen nga gratë. Ndërsa që nga pavarësia, asnjëherë funksioni i presidentit, kryeministrit apo kryetarit të kuvendit nuk i ka takuar një gruaje. Kasami konsideron se një problem shtesë është se edhe vetë gratë krijojnë pengesa për gratë tjera të cilat vendosin të jenë pjesë  e politikës.

“ Kjo ndodh sepse shoqëria vendos pengesa të paqena për gruan dhe në anën tjetër sepse vet gruaja i merr ato si të mirëqena. Shumë më keq kur gratë paragjykohen dhe nga vetë gratë duke i vendosur atyre epitete dhe etiketime dhe ky është rasti edhe për shoqërinë tonë, e cila edhe ashtu është e mbyllur brenda guaskës së vet me ambient gjysmë-zhvillimi. Gjithsesi, si përfundim mendoj se parim universal për çdokënd dhe çdonjërin është se si do të dizajnojë pozicionimin e vet aty ku gjendet dhe se sa do të lejojë që paragjykimet, sharjet, shprehjet e urrejtjes, apo të ngjashme, t’ia përcaktojnë definimin e asaj që përfaqëson, apo gjurmëve që le. Nuk duhet të ndikohemi nga stigma e “të jemi të pëlqyer nga të tjerët” sepse në atë rast do të vazhdojmë të bëjmë kompromis me gjithçka dhe nuk do të arrijmë asgjë”.

Pranvera Kasami, Instituti për Lidership dhe Politika Evropiane

Përpos pengesave në jetën reale, gratë e kyçura në politikë përballen me fyerje e sulme të ndryshme virtuale. Bujare Abazi e cila është pjesë e partisë politike Aleanca për Shqiptarët si dhe nënkryetare e Qytetit të Shkupit konsideron se  gratë e kyçura në politikë shpesh janë pre e fyerjeve virtuale pas profileve të rrejshme nëpër rrjete të ndryshme sociale. Sipas saj, shteti nuk posedon mekanizma mbrojtës për të penguar këtë fenomen. Një gjë e tillë sipas Abazit, nuk ndodh me politikanët meshkuj.

“ Zhvillimi i teknologjisë përpos ndikimit pozitiv dhe lehtësimeve që ka sjellë, gjithashtu mundëson edhe keqpërdorime të shumta nga individ apo grupacione të caktuara. Gjuha e urrejtjes për shkak dallimeve që na karakterizon si shoqëri në baza të ndryshme e sidomos në baza gjinore merr përmasa shqetësuese për faktin se persona të fshehur pas profilit të rrejshëm kanë lirinë e shprehjes me ç’rast nëpërmjet sharjes dhe fyerjeve nga më të ndryshmet denigrojnë personalitetin e një politikaneje. Nuk besoj se te njëjtit do silleshin ne këtë mënyrë nëse nuk ndjehen të mbrojtur e të pa prekshëm. Shpesh thuhen gënjeshtra por edhe gjëra që prekin privatësinë e një gruaje qe merret me politikë e që për dallim nuk i shkruajnë për politikanët meshkuj. Nuk merret parasysh fakti se lëndojnë një rreth më të gjerë të familjes e shoqërisë dhe integritetit të politikanes që atakojnë. Sigurisht se kjo duhet të ndalohet dhe mënyrat ekzistojnë. Organet duhet të kryejnë detyrën e tyre që këta persona jo vetëm të ndëshkohen, por edhe të marrim një leksion si shoqëri për të gjithë të tjerët që keqpërdorin rrjetet sociale. Kuptohet duhet bërë dallimin e gjuhës së urrejtjes dhe ngacmimit nga kritika konstruktive për të cilën si shoqëri kemi nevojë”.

Bujare Abazi,  Nënkryetare e Qytetit të Shkupit

Në shtator të vitit 2020 USAID së bashku me Institutin nacional demokratik dhe Institutin e Ohrit publikuan një raport i cili tregoi se gratë në përgjithësi derisa marrin pjesë në politikë përballen me pengesa për të marrë një pozitë më të lartë në politikë brenda partive të tyre. Shumica e të anketuarve në këtë analizë kishin thënë se pengesë kryesore për gratë që të jenë aktive në politikë janë vlerat patriarkale dhe paragjykimet të cilat mbizotërojnë se kinse gratë nuk janë të përshtatshme për të qenë aktive në sferën publike, posaçërisht në politikë. Përpos kësaj, analiza e qëndrimeve të të anketuarve tregon se vlerat patriarkale janë një tregues kompleks i cili del në sipërfaqe si arsye implicite për sfidat tjera si mos mbështetja nga ana e familjes apo koha e kufizuar. Po ashtu analiza ka treguar se konsiderohet se gratë e kyçura në politikë janë jo principiele dhe të pa moralshme. 

Megjithatë pasqyra mbi këtë çështje në vend vazhdon të mbetet e njëjtë pa aspak përparim, megjithëse kohë pas kohe zhvillohen fushata ndërgjegjësimi mbi këtë problematikë. Një e tillë u realizua muaj më parë nga disa ministri të vendit të cilët iu bashkëngjiten fushatës “ Avancimi i barazisë gjinore përmes pjesëmarrjes së grave në politikë”, periudhë përpara mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jagoda Shahpaska tha se “gratë e kyçura në politikë duhet ta shfrytëzojnë pozitën e tyre dhe të jenë të zëshme dhe të guximshme dhe problemet t'i tregojmë pa doreza. 

“Duhet të kundërshtojmë çdo tentim për dhunë njëjtë sikur të na ndodhë neve. Duhet të tregojmë solidaritet dhe së bashku t’i gjykojmë këta fenomene. Vetëm nëse bashkohemi, pavarësisht se cilës parti politike i përkasim fuqia jonë do të jetë e pa ndalshme”.

Jagoda Shahpaska, Ministre e Punës dhe Politikës Sociale

Pavarësisht deklaratave të tilla, në përgjithësi institucionet e vendit janë mbështetëse të këtyre fushatave, dhe shumë rrallë herë iniciatorë të tyre. Ministria e Brendshme nuk posedon të dhëna valide publike ku mund të shihet se sa raste të sulmeve të ndryshme ndaj grave politikane kanë marrë epilog. 

 

Vjollca Aliti

Vjollca Aliti

Vjollca Aliti është gazetare e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Tanimë shtatë vite e ushtron profesionin si gazetare. Aktualisht është e angazhuar në televizionin Alsat, ndërsa paraprakisht ka punuar në disa shtëpi të tjera mediatike, përfshirë dhe shtypin e shkruar. Kryesisht Vjollca mbulon tema që kanë të bëjnë me sektorin e shëndetësisë, ku dy vitet e fundit kanë qenë tema që kanë të bëjnë me pandeminë.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia