April 3rd, 2024
Të gjithë e dinë që siç kalojnë vitet edhe njerëzit ndryshojnë. Duke u nisur që nga fëmijëria kur të gjithë duartrokasin kur e themi fjalën e parë, e deri në pikën kur do të jemi ne ata që do të duartrokasim për fjalët e foshnjës sonë, apo të mbesës, apo të stërmbesës. Kalimi nga foshnjëria deri në pleqërinë e thellë është një proces i mrekullueshëm, tejet delikat dhe tejet i ngatërruar.
Kurioziteti për këtë temë ngjall pyetje të tipit sa është e trashëguar ajo që do të dalë prej nesh (si rezultat) e sa ne vetë e krijojmë atë që jemi. Njeriu zotëron vullnetin e lirë, edhepse mundësitë tona shpesh përcaktohen nga rrethanat apo thënë më ndryshe nga fati.
“Çdo moshë ka kënaqësinë e vete”-thotë një proverbë popullore. Por përveçse kënaqësisë që sjellin etapat e ndryshme të jetës, ata sjellin edhe shumë ankth, pasiguri dhe kriza. Fjala “krizë” buron nga fjala greke krisis që nënkupton pikën e kthimit gjatë një sëmundje. Pra në lëmën e mjekësisë “kriza” paraqet situatë në të cilën një person ballafaqohet me situatë në të cilën përcaktohet fati i mëtejshëm i gjendjes së tij. Pra kjo është pika kur bëhet e qartë a do të shërohet apo përkeqësohet. Në psikologji ky term përdoret shpesh dhe shpeshherë nënkupton gjëra të ndryshme.
Krizat në psikologji mund ti grupojmë në tri kategori: kriza të situates, kriza sociale dhe kriza të zhvillimit apo të pjekurisë. Krizat e situatës paraqiten pas ndonjë aksidenti (psh. rrugor), pas ndonjë ngjarje të rëndësishme personale si humbja e punës, vdekja e ndonjë personi të afërm, shpërngulje, divorc apo mërgim. Krizat sociale janë të paparashikueshme dhe me ndikim më të gjërë kolektiv, ndërsa paraqiten shkak ndonjë fatkeqësie natyrore apo gjendje e jashtëzakonshme politike që e prish ekuilibrin e individit.
Në këtë shkrim ne do të do të përqëndrohemi në krizat e zhvillimit të personalitetit duke i trajtuar nga qasja e psikologut të njohur Erik Erikson. Rritja zhvillohet nëpërmjet krizave të ndryshme, apo vështirësive që i bjen mosha e përcaktuar në të cilëm gjendemi. Me zhvillimin tonë biologjik, me rolet e reja si nxënës, studentë, të punësuar, të martuar paraqiten kushte të reja të jetës që kërkojnë adaptim.
Eriksoni, ngjashëm si Frojdi, zhvillimin e konceptonte si kalim nëpër faza të ndryshme, të a.q faza psikosociale. Eriksoni u përqëndrua në aspektin social të zhvillimit ndërsa brenda çdo faze të zhvillimit individi has në një konflikt. Nëse arrin që ta zgjidhë këtë konflikt, ai del me virtyt apo kualitete të egos, që e ndihmojnë zhvillimin e mëtejshëm. Kalimi prej fazës në fazë mundësohet nga zgjidhja produktive e krizave që shfaqen. Krizat zakonisht janë lëkundje mes dy anëve për Eriksonin, dhe këtë do ta shohim më tej.
Duke parë secilën fazë në vete, do të jetë më lehtë që të kuptojmë sistemin e Eriksonit.
Faza e parë: Besimi kundër Mosbesimit - Nga lindja deri në 12 muaj, foshnjat duhet të zhvillojnë bindjen se mund të besojnë në prindërit apo kujdestarët e tyre. Nëse për foshnjen ekziston kujdes rreth plotësimit të nevojave themelore foshnja do ta shohë botën si një vend të sigurt dhe të parashikueshëm. Në rastin e volitshëm, me zhvillimin e besimit zhvillohet edhe virtyti i shpresës.
Faza e dytë: Autonomia kundër Turpit dhe Dyshimit: Në fillimin e fëmijërisë së hershme, nga 1½ deri në 3 vjeç, fëmijët fillojnë të shprehin pavarësinë dhe autonominë e tyre. Ata eksplorojnë mjedisin e tyre dhe zhvillojnë një ndjenjë aftësie kur mësojnë shprehitë e tualetit dhe kur nisin të vishen vetë. Në këtë mënyrë fëmijët nisin të zhvillojnë ndjenjë kontrolli dhe pavarësie. Kujdesi dhe përkrahja në këtë fazë nxisin autonominë, ndërsa rigoroziteti ose kritika e tepërt prindërore mund të rezultojë në ndjenja turpi dhe dyshimi. Në rastin e volitshëm, me zhvillimin e besimit zhvillohet edhe virtyti i vullnetit.
Faza e tretë: Iniciativa kundër Fajit: Vitet parashkollore, nga mosha 3 deri në 5 vjeç, shënohen nga zhvillimi i iniciativës dhe një ndjenjë e qëllimit. Fëmijët kyçen në lojëra imagjinare me bashkëmoshatarët dhe shpeshherë orvaten t’i udhëheqin ato. Meqënëse këto janë grimcat dhe zanafilla e përgjegjësisë, inkurajimi nga prindërit nxit një ndjenjë iniciative, ndërsa disiplinimi ose kritika e tepërt mund të çojë në ndjenja faji, tërheqjeje apo përjashtimi. Suksesi në këtë fazë bjen zhvillimin e virtytit të qëllimit.
Faza e katërt: Industria kundër Inferioritetit: Fëmijët në moshën shkollore, zakonisht nga 5 deri në 11 vjeç, përpiqen të zbulojnë aftësi të reja dhe të përballen me sfidat shkollore. Ata provojnë veten në sporte të ndryshme dhe vendosin bazat e vetbesimit duke u krahasuar me moshatarët dhe duke marrë pëlqim për detyrat që i kryejnë. Suksesi në këtë fazë shkakton ndjenjë kompetence tek fëmija, dhe kjo që paraqet besimin që e fiton fëmija, kur bindet se posedon aftësi ta kryejë detyrën që i jepet. Mungesa e përkrahjes dhe lëvdatave në këtë fazë mund të çojë në ndjenja inferioriteti dhe vështirëson fazën që vijon.
Faza e pestë: Identiteti kundër Hutesës apo Konfuzionit: Adoleshenca, nga mosha 12 deri në 18 vjeç, është një periudhë kritike për zhvillimin e identitetit. Të rinjtë hulumtojnë vlerat, besimet dhe aspiratat e tyre, duke kërkuar të formojnë një ndjenjë të qëndrueshme të vetvetes. Përderisa të gjitha fazat janë të rëndësishme, Eriksoni e ka veçuar këtë faze për nga pesha e saj (ndër të tjera Eriksoni llogaritet si pioner i termit ‘krizë identiteti’). Ndryshimet e turbullta që janë pasojë e proceseve biologjike dhe identiteti i ri seksual ushtron presion të madh mbi adoleshentët. Përpara tyre shfaqen mundësi të reja, stuhi emocionale dhe përvoja të reja që ua rrënojnë shpesh ekuilibrin e sapovendosur. Nevoja kryesore e tyre është të gjejnë një stabilitet në imazhin që kanë për veten e tyre. Suksesi në këtë fazë rezulton në një ndjenjë të fortë identiteti dhe besnikëri ndaj vetes dhe vlerave personale, ndërsa hutesa dhe pasiguria mund të çojnë në krizë identiteti dhe eksperimentim të mëtejshëm.
Faza e gjashtë: Intimiteti kundër Izolimit: Mosha e të rriturve, nga 18 deri në 40 vjeç, karakterizohet nga formimi i marrëdhënieve intime dhe lidhjeve me të tjerët. Individët kërkojnë lidhje të rëndësishme përmes miqësive, marrëdhënieve romantike dhe lidhjeve familjare. Zhvillimi profesional dhe stabiliteti në punë është poashtu i rëndësishëm. Lidhjet synojnë të jenë afatgjate dhe të thella e në këtë mënyrë e përmbushin individin dhe i japin qëndrueshmëri gjatë viteve. Suksesi në këtë fazë rezulton në dashuri, intimitet dhe ndjenjë plotësie, ndërsa dështimi në këtë fazë sjell izolim, tëhujasim nga të tjerët dhe depresion.
Faza e shtatë: Gjenerativiteti kundër Stagnacionit: Mosha e mesme e të rriturve, zakonisht nga 40 deri në 65 vjeç, është një periudhë e fokusuar në të qenurit të dobishëm dhe të vlefshëm për shoqërinë në tërësi. Të moshuarit përpiqen të lënë një trashëgimi përmes punës, familjes dhe pjesëmarrjes në komunitet. Gjenerativiteti definohet si aftësi për të tejkaluar interesat personale dhe për t’u kujdesur për gjeneratat e reja dhe të vjetra. Suksesi në këtë fazë është kur veten e shohim si të dobishëm dhe vlefshëm për njerëzit e tjerë dhe puna që e kemi lënë pas duket si diçka që ka pasur dhe do të ketë dobi për njerëzimin. Personi zhvillon kualitetin e kujdesit (care) për të tjerët, për fëmijët, për partnerin me të cilin jeton dhe për njerëzimin në përgjithësi. Dështimi në këtë fazë është perceptimi se kemi bërë zgjedhje të gabuara dhe prandaj vijon stagnim ose ngecje që mund të çojë në ndjenja shkëputjeje nga bota dhe ndjenja pendimi.
Faza e tetë: Integriteti kundër Dëshpërimit: Në moshën e vjetër, nga 65 vjeç dhe më tej, individët reflektojnë mbi jetën e tyre dhe vlerësojnë zgjedhjet që kanë bërë. Suksesi në këtë fazë përfshin arritjen e një ndjenje të integritetit dhe pranimit të sukseseve dhe dështimeve të jetës. Nëse ruhet integriteti gjatë shikimit të kaluarës individi zhvillon kualitetin e urtësisë. Ata që nuk arrijnë të arrijnë këtë ndjenjë pranimi mund të përjetojnë ndjenja të dëshpërimit dhe pendimit.
Teoria e Eriksonit është një orvatje për të shpjeguar rrjedhën e zhvillimit të jetës sonë. Si e tillë ka mungesat e veta, dhe duhet të rishikohet meqënëse zhvillimi i njeriut sot është ndryshe nga ai në kohën kur është konceptuar kjo teori. Zhvillimi ynë nis që prej periudhës embrionale dhe vazhdon tërë jetën. Secili dëshiron të arrijë pleqërinë e thellë dhe të jetojë gjatë.
Krizat zhvillimore hasen në mosha të ndryshme dhe secila ka peshën dhe rëndësinë e saj. Ndoshta më e rëndësishmja për tu cekur është se’ zhvillimi nuk është destinacion final, por është proces i vazhdueshëm i adaptimit ndaj realiteteve të reja. Një gjë tjetër që bën kjo teori, është se tregon sa të përbashkëta ka midis zhvillimit të secilit. Andaj, çdo herë kur kalojmë nëpër këto faza, do të kujtohemi se janë procese të natyrshme të rritjes sonë të personalitetit. Dhe rritja jonë, nuk përfundon në asnjë pikë.
Muhamed Veliu ka kryer studimet e psikologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit "Shën Kirili dhe Metodi". Ka punuar në Kryqin e Kuq të RMV si kordinator i programeve për mbështetje psikosociale dhe ndihmës së parë psikologjike në kriza. Aktualisht është instruktor në programin "Kryqi i Kuq në Aksion - Promovimi i Vlerave Humane" (KKA - PVH) dhe punon si Geshtalt psikoterapist nën supervizim. Njëkohësisht është edhe moderator në podkastin "Llafe t'lira".
TË NDRYSHME
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia