yellow-and-black-modern-corporate-seek-cover-image-2.png

Eli Krasniqi për Tregime Pjeshkash: Hulumtimi në terren ma ka fuqizu tutje festimin e njerëzve të mirë, gra e burra

FEMINISTING

March 29th, 2023

Qyteti x, institucioni x, viti x

vazhdim…

I pastër, pedant, hyni në restoranin e hotelit [ku unë jam tu nejtë]. E ndalën disa njerëz të cilët i folën me respekt. Ndërkohë, unë mendoja se sigurisht asht gruja e tij që ia hekurosë këmishat e pantallonat. U afru te ne, të tjerët në tavolinë u ngritën na kambë, “hajde profesor, a po ulesh me ne” – nuk e di nëse vërtetë e ka titullin profesor apo veç jep mësim diku. Kish vu nji aftershave që më krijoi në qinta të sekondës dhimbje kreje. Kjo asht ndër pjesët e vështira - parfumet, aromatizuesit nëpër autobusë e detergjentët e ndryshëm. Ma kujtoi atë shishen e kaftë që shkrunte „brion“ në kohën e Jugosllavisë. 

Këto ditë shpesh, copëzat e imagjinatës teme po më sillen përreth si re. Dje kur e takova zyrtarin xxx, pata nji lloj udhtimi në kohë. Zyra e komunës me erë lagshtie, nji tavolinë e drunit e vjetër, muret e lyeme deri në gjysme me të kaltër, pastaj nji vijë, e pastaj ngjyra bardhë deri në tavan. Unë i shtroja pytjet zyrtarit e ai endej nëpër zyrë e m’i diktonte përgjigjet (refuzoi diktafonin). Ngjante si nji situatë në kohën e socializmit kur nji burrë me vetëbesim i diktonte daktilografes. Unë – “daktilografja“ sigurisht do të duhej me pasë të veshun nji kostum, me flokë të mbështjelluna mrapa. Do duhej me qenë e heshtun, sepse mas shumë grave që kishin qëndru në shpi, sigurisht jo si zgjedhje e tyne, unë ia dola më u arsimu, dhe me e fitu nji rrogë për vete. Kushedi, nëse kjo rrogë do të ishte ndihmë për familjen, apo do të më duhej vetëm mu, me përgaditë qeizin por ma shumë do gjana që më duhen. Pak me rrogë e pak me kredi, derisa ta kisha taku “fatin e jetës“. Apo do të kisha qenë e martume, por burri jem do të kishte punu dikun afër, sepse shansat që të ishte ndryshe, pra, që të kisha nji jetë krejt të pavarun në një qytet të vogël, do të kishin qenë shumë të pakta. Unë do të kisha qenë e vetëdijshme që çdo lëvizje e çdo e qeshun me za, me nji burrë ose edhe me nji gru, do të ishte dukë si e pahjeshme për nji ”femër“. Në kohën kur kam pak pushim prej punës, i rendis në krye krejt punët që më presin në shtëpi.  

Zyrtari, herë pas herë ndalej e shikonte kah unë:      

- ”Çka thashë?” – pyste me autoritet – “Përsëritma fjalinë e fundit. Aha, mirë, vazhdo“ dhe vazhdonte me diktimin. Zyrtari ishte thatanik, me setër e këmishë e pantolla që i vareshin prej nji rrypi të zi. Mas diktimit të përgjigjeve të tij, sigurisht ri-jetimit të kohës kah fundi i Jugosllavisë, kur sapo kishte fillu me ndi pushtetin e prestigjin e punës që bante, u ulë dhe nisi me më tregu se çfarë duhet me ba unë në hulumtimin tem. Nuk ishte i vetmi. Shumë prej burrave që kam taku deri tash, pavarsisht përgaditjes së tyne shkolllore, kanë konstant “këshilla” se çfare kategorie të njerzve më duhet me intervistu, kush din e kush nuk din me folë, a i vlen mu taku a jo, etj. Krejt në fund më tha, duhesh me taku “profesorin”, ai mundet me të ndihmu.

 „Profesori“ sapo u ul, sikur miqtë e mi mos me m’pasë prezantu fare, filloi me pytjet e zakonshme interrogative dhe demografike. Pastaj nisi me tregu për student, për studentet „femra“ ma saktë – termi ky që gjithnji përdoret sepse me thanë  “gratë” tregon vetëm për gratë e martueme. Dallim i “randsishëm” ky . Tregoi gjithfarë situatash, pa u brengosë fare për bezdinë që unë haptas e shfaqa. Ndërkohë, vëmendja jem fluturoi te takimi i ardhshëm që mezi po e prisja. Hulumtimi në teren ma ka fuqizu tutje festimin e njerzve të mirë, gra e burra. Pa ndihmën e tyne, hulumtimet tona janë gati të pamunduna. Kur vëmendja jeme u kthy në tavolinë, profesori ende kishte qenë tu folë për “femra”. 

- „Unë gjithmonë iu them – ju jeni të sigurta në duert e mia” – tha. 

Në “duert e tij”! Mu kujtu drama e Sartrit “Duert e ndyta”. 

Teksti i paraqitur është përkthyer dhe redaktuar nga autorja nga anglishtja në shqip për "Tregime Pjeshkash".

Elife (Eli) Krasniqi

Elife (Eli) Krasniqi

Elife (Eli) Krasniqi është antropologe, feministe aktiviste dhe shkrimtare. Krasniqi doktoroi për Antropologji dhe Histori të Evropës Juglindore në Institutin e Historisë në Universitetin e Grazit, ku aktualisht ligjëron dhe hulumton. Ajo është në përgatitje të librit për familjen dhe patriarkalizmin në Kosovë nga mesi i shekullit 20 deri në fillim të shekullit 21. Në letërsi, për dramën e saj "CityCide", Krasniqi u shpërblye nga Teatri Kombëtar i Kosovës me Çmimin "Katerina Josipi" (çmimi i dytë, 2011), ndërkaq botimi u bë në 2017 nga Qendra Multimedia, Prishtinë. Botimi i saj i fundit "Në të tjera shpi" (dhjetor, 2022) është përmbledhje me poezi nga viti 2012-2022, botuar përsëri nga Qendra Multimedia. 

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia