Zgjedhjet 2024: Barazia gjinore s’është prioritet për koalicionet me shumicë shqiptare

Për pak ditë do të bëhet e ditur përbërja e re e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Kampanja zgjedhore po përfundon ndërkaq të gjitha partitë politike, pa përjashtim – pak ose aspak s’e kanë përmendur barazinë gjinore, pak ose aspak përmendet kjo në programet garuese të koalicioneve garuese.

Fronti Evropian nuk reflekton ‘Evropë’: Pak zotime për barazinë gjinore

Fronti Evropian zotohet për përfaqësim të drejtë dhe adekuat gjinor në administratë dhe sektorin publik.

“Të gjithë burrat dhe gratë duhet  të kenë një zë në vendimmarrje, qoftë drejtpërdrejt ose nëpërmjet institucioneve të ndërmjetme legjitime që përfaqësojnë interesat e tyre”, thuhet në program.

Premtim tjetër është edhe pagesa e pushimit tl lehonisë dhe atësisë.

“Amviset që kryejnë veprimtari të ndryshme (ushqime apo veshje tradicionale), ndërsa nuk janë të përfshira në sigurimin social, do t’u mundësohen kushte të volitshme si kategori të veçanta, respektivisht të jenë pjesë e sistemit social”, thuhet në program.

Fronti Evropian premton edhe  barazi gjinore në sport, “Ndërmarrja  e masave për nxitjen e barazisë gjinore në sport, duke përfshirë përkrahjen e programeve dhe turneve për vajzat dhe gratë, si dhe promovimin e trajnerëve dhe drejtuesve të vajzave në sport”.

Në programin ‘Evropa 2030’ ky koalicion zotohet për mundësi të barabarta për pjesëmarrësit në ekonomi.

“Synon të sigurojë një kornizë për një ekonomi me mundësi të barabarta në një ekonomi funksionale të tregut të lirë me konkurrencë të ndershme dhe zhvillim dhe infrastrukturë të balancuar rajonale, e cila krijon mundësi të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në ekonomi pavarësisht të përkatësisë së tyre etnike, kulturore, gjinore dhe grupeve të tjera shoqërore”, thuhet në program.

Koalicioni VLEN: 62 faqe program, 2-3 fjali për barazinë gjinore

Kuota gjinore prej 40% premtojnë nga ky koalicion. “Përfshirjen e grave në të paktën 40% të të gjitha pozicioneve të emëruara, në të gjitha nivelet”.

VLEN zotohet për diskriminim pozitiv për pozicionet që përmbushen me konkurs.

“Në rastet kur pikët janë të barabarta do të favorizohet gjinia që ka më pak prezencë në secilin vend të punës”, thuhet në programin e VLEN.

Ata gjithashtu premtojnë se do të rrisin numrin e çerdheve, që do të mundësojë edhe rritjen e punësimit të grave.

Partitë me shumicë maqedonase më shumë vëmendje i kushtuan barazisë gjinore

Për dallim nga koalicionet shqiptare, dy koalicionet më të mëdha maqedonase, koalicioni “Për Ardhmëri Evropiane” i udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë së Veriut (LSDM) si dhe koalicioni “Maqedonia jote” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, por edhe partia E Majta (Levica), në programet e tyre për problematikat gjinore në detaje kanë pika të sqaruara por edhe çfarë ofrojnë si zgjidhje konkrete.

Lidhja Social Demokrate mes tjerash zotohet Sekretariat për Barazi Gjinore

LSDM-ja zotohet për krijimin e masave për inkurajimin e barazisë gjinore përmes fuqizimit ekonomik dhe pavarësisë së grave.

”Barazia gjinore mbetet imperativi ynë politik, sepse secili është i vlefshëm dhe meriton të respektohet, dëgjohet, respektohet, mbrohet dhe paguhet institucionalisht.  Ne kemi hartuar Ligjin e ri për Barazinë Gjinore, i cili do të themelojë Sekretariatin për Barazi Gjinore”, thuhet në programin e LSDM-së.

Ndër të tjera socialdemokratët zotohen edhe për këto pika:

  • Kodi i ri Zgjedhor me parimin 50% – 50% të të dyja gjinive në listat e deputetëve dhe këshilltarëve në komuna, duke  obliguar 30% kandidate gra për kryetare komune.
  • Përmirësim i mbrojtjes ligjore të punëtoreve shtatzëna.
  • Politikë bursash për vajzat në shkencat STEM.
  • Rritja e mbulimit të  grave me ekzaminime parandaluese të parashikuara nga Programi për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje.
  • Edukim seksual gjithëpërfshirës.
  • Futja e të paktën një kontraceptivi në listën pozitive.
  • Rritja e mbështetjes për organizatat civile që ofrojnë shërbime për gratë, viktima të dhunës.
  • Rritja e mbështetjes për pjesëmarrjen e grave në programet e mbështetjes financiare në bujqësi.
  • Përfshirja e barazisë gjinore në të gjithë kurrikulat.
  • Vazhdimi i aktiviteteve për rritjen e barazisë gjinore në sport në 50%, e cila aktualisht është në 32%.
  • Mbrojtja e grave nga të gjitha format e dhunës me bazë gjinore.
  • LSDM zotohet edhe për mundësi të barabarta në tregun e punës, njohje e punës së grave amvise “të pa paguar”, përfaqësimi i barabartë i grave në pozitat vendimmarrëse dhe të tjera.
VMRO-DPMNE me zero tolerancë për dhunës ndaj grave

VMRO-DPMNE në programin e saj zotohet për një serrë masash në drejtim të barazisë gjinore, duke përfshirë dhunën ndaj grave, mbështetjen ndaj viktimave të dhunës, forcimin e pozitës së grave në shoqëri, në sport dhe shumë të tjera.

Në programin e tyre ata zotohen për këto pika:

  • Zero tolerancë për format e ndryshme të dhunës ndaj të cilave gratë ekspozohen.
  • Hapja e dhjetë qendrave të reja për kujdesin dhe mbështetjen e grave viktima të dhunës me bazë gjinore.
  • Grup ndërinstitucional i Qeverisë që do të punojë për të mbrojtur gratë nga të gjitha format e dhunës me bazë gjinore dhe viktimat e dhunës në familje duke forcuar legjislacionin.
  • Përfaqësimi adekuat i grave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes dhe institucionet e tjera nga sektori i inteligjencës-sigurisë do të garantojë respektimin e vërtetë të parimeve të barazisë gjinore.
  • Mbështetje financiare shtesë për klubet sportive.
  • Masa dhe politika për punësim dhe vetëpunësim me qëllim fuqizimin ekonomik të grave përmes projekteve për zhvillimin e sipërmarrjes së grave.
  • Program për këshillimin psikologjik të grave gjatë gjithë shtatzënisë.
  • Reduktimi i diferencave në paga midis burrave dhe grave.
  • Zgjidhje sistematike me të cilën gratë fermere do të mund të ushtrojnë të drejtën e pensionit dhe pushimit të lehonisë.
  • Përfshirja në edukim e vajzave që nuk kanë qasje në të dhe mbështetja e tyre.
  • Kujdes shëndetësor parandalues ​​të përballueshëm, efektiv për të parandaluar sëmundjet malinje te gratë.
  • Qasje në informacion për popullatën e përgjithshme, dhe veçanërisht për grupet e cenueshme sociale të popullsisë për HIV/AIDS dhe infeksione të tjera seksualisht të transmetueshme, për abortin, për infertilitetin, për sëmundjet malinje të gjirit dhe mitrës.
  • Mbështetja e projekteve për gratë fermerë.
  • Hapja e qendrës moderne për fekondim in vitro në Klinikën Universitare për Gjinekologji Obstetrike.
Levica do të promovojë feminizmin e majtë progresiv

Partia E Majta zotohet për promovim të feminizmit të majtë progresiv dhe promovim të të drejtave të grave në shoqëri, duke kapërcyer moralin patriarkal, prapambetjen kulturore dhe qëndrimet mizogjene.

Ndër premtimet e tyre në këtë drejtim përfshijnë:

  • Forcimi i personelit të departamentit të posaçëm që ndërhyn në rastet e dhunës në familje, gjinore dhe krimeve me bazë gjinore.
  • Masa të ndjeshme gjinore dhe politika të synuara që do të rrisin ndjeshëm të drejtat e grave amvise, duke njohur të ashtuquajturat “punë e padukshme” në shtëpi dhe kujdes për familjen.
  • Mbrojtje speciale e lehonisë për gratë që punojnë: dyfishimi i pushimit të lehonisë (nga 9 në 18 muaj).
  • Lehtësimi i qasjes në kredi pa interes për gratë artizanale.
  • Pushimi menstrual nga puna dhe lehtësimi i taksave për produktet e higjienës menstruale dhe shëndetit të grave.
  • Masa të ndryshme lehtësuese për gratë fermere.

Partia politike ‘ZNAM’ e cila për herë të parë garon në zgjedhje ë programin e tyre nuk përmend aspak barazinë gjinore. Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen me 8 maj së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Të tjera