Virgjëria si konstrukt shoqëror: Turp për burrat, krenari për gratë

Gratë dikur detyroheshin t’i tregojnë çarçafët e gjakosur në natën e parë të martesës, pasi sipas tyre kjo do të ‘vërtetonte’ se nusja e re s’kishte kryer marrëdhënie seksuale më herët. Obsesioni i shoqërisë me virgjërinë është i kahmotshëm.

Për shembull, neni 31 i Kanunit të Lekë Dukagjinit thotë: ‘Po s’u pru grueja si duhet te burri, kanuja i nep leje me i pre thekun a flokun e me lshue..’, që nënkupton se nëse himeni i nusës nuk është elastik, ajo duhej divorcuar që në natën e parë të martesës.

Përkundër që praktika e çarçafit dhe doket patriarkale sot nuk janë të zakonshme, në shoqërinë tonë të mos qenurit e ‘virgjër’ vijon të ngelë turp për vajzat ndërsa krenari ose domosdoshmëri për djemtë, nëse mendojnë t’iu përshtaten normave shoqërore se si duhet të duket një burrë, me dy r.

Kur morali vendoset mes këmbëve të gruas ndërsa krenaria mes këmbëve të burrave

Praktika e të menduarit në këtë mënyrë është e dëmshme për të dy gjinitë, në këtë rrast burrat dhe gratë. Kjo pasi shoqëria djemtë që në moshë shumë të re, i vendos nën presion që të kryejnë marrëdhënie seksuale sepse ndryshe, s’mund të konsiderohen burra.

Për të qenë ‘cool’ dhe i pranueshëm nga shoqëria, si djal në moshë të adoleshencës duhet që patjetër të kishe kryer marrëdhënie seksuale. Këto standarde të dyfishta reflektohen në gjetjet e organizatave joqeveritare.

HERA pyeti të rinjtë e moshës 15 vjeçe nëse kanë kryer marrëdhënie seksuale, përderisa 36 për qind e djemve ishin përgjigjur me po, vetëm 3 për qind e vajzave kanë pohuar se kanë kryer marrëdhënie seksuale.

Përpos mos-përputhjes së të dhënave, kjo flet për faktin që djemtë për t’u dukur më të pranueshëm për shoqërinë, janë të prirur të thonë se kanë pasur eksperienca seksuale, edhe atë që në moshën 15 vjeçe. E kundërta ndodhë për vajzat.

Për të qenë një djal i pranueshëm, duhet të jetë seksualisht aktiv

Muhamed Veliu është psikolog, për ‘Mollëkuqja’ përmend disa prej faktorëve që ushqejnë këtë kulturë të roleve gjinore dhe standardeve të dyfishta.

untitled-design-(21)-1709047767.png

“Ky presion është më prezent te djemtë, dhe nis në fazën e hershme të pubertetit. Presioni buron nga perceptimi se djemtë që kanë jetë aktive seksuale në moshën e re janë më të vlefshëm dhe më të pranuar. Meqë identifikimi me grupin është shumë i rëndësishëm në këtë moshë, të rinjtë lehtë manipulohen nga ky presion”, thekson Veliu.

Kjo sipas tij mund të ndikojë keq në shëndetin seksual, pasi ky presion sipas tij i nxit të rinjtë që të ndërmarrin aktivitete seksuale pa qenë të informuar rreth pasojave dhe pa u ndjerë psikologjikisht të gatshëm.

Të rinjtë duhet të bëjnë seks kur të jenë gati, jo kur t’ju thotë shoqëria

Parakusht për kryerje të marrëdhënieve seksuale duhet të jetë ekzistimi paraprak i ‘pëlqimit’ mes palëve, të qenurit gati dhe i informuar mjaftueshëm për mbrojtje nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Nga HERA për ‘Mollëkuqja’ thonë se kultura që i nxit djemtë të jenë seksualisht aktiv se s’bën mund t’i ekspozojë ata drejt sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.

“Pëlqimi është po aq i rëndësishëm për djemtë, të cilët në një kulturë “të maçoizmit” ndjejnë gjithashtu presionin për të hyrë në marrëdhënie seksuale më herët vetëm për t’u pranuar nga bashkëmoshatarët e tyre, duke u ekspozuar kështu ndaj sjelljeve të rrezikshme”, thonë nga HERA.

 

untitled-design-(20)-1709047783.png

“Problemi është te arsimimi dhe standardet e dyfishta sipas të cilave rriten vajzat dhe djemtë në shoqërinë tonë, që në fund të kemi djem dhe vajza të cilët i mësojmë të kenë një pamje dhe kuptim krejtësisht të ndryshëm për botën në të cilën jetojnë. Prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm për dëmin e shkaktuar nga dërgimi i një mesazhi për vajzën, dhe mesazhi krejtësisht të ndrysëm për djalin, se çfarë është e pranueshme dhe si të sillet”, thonë nga HERA.

Në Maqedoninë e Veriut si rezultat i konstrukteve shoqërore është i pranishëm edhe procesi i rivirgjërimit në të cilin kalojnë vajzat/gratë për t’i kënaqur apetitet patriarkale dhe për të “larë mëkatin” nëse kanë pasur marrëdhënie seksuale para se të futen në lidhje apo në martesë me dikë tjetër.

Të tjera