Të mbijetosh si nënë e vetme: Në Maqedoninë e Veriut jetojnë mbi 54 mijë të tilla

Maja është një nga shumë gratë në Maqedoninë e Veriut që, pas viteve të gjata të dhunës fizike dhe psikologjike, mori vendimin e vështirë për t’u larguar nga një martesë abuzive. E vetme me katër fëmijët e saj, më i madhi vetëm 12 vjeç, ajo tani po përballet me një realitet të ashpër: si të sigurojë një jetë të denjë për fëmijët e saj në një sistem që nuk i ofron mbështetjen e duhur.

Sipas ligjeve në fuqi, prindi jo kujdestar në Maqedoninë e Veriut është i detyruar të paguajë alimentacion në muaj për çdo fëmijë. Shumën e alimentacionin e cakton gjykata në bazë të të ardhurave financiare të prindit dhe gjendjes së fëmijës, minimumi i së cilës është 3000 denarë siç është vendosur dhe në rastin në fjalë. Për një grua si Maja, që duhet të mbulojë qiranë, faturat, ushqimin, veshjet dhe shpenzimet shkollore për katër fëmijë, kjo shumë është qesharake. Çmimet e ushqimeve dhe produkteve bazë janë në rritje, dhe realiteti është se shumë gra të vetme nuk ia dalin dot pa ndihmë shtesë.

Sipas Censusit të vitit 2021 në Maqedoninë e Veriut jetojnë plotë 54356 nëna vetëushqyese!

Maja punon me orë të gjata për të siguruar të ardhura minimale, por edhe kështu, ajo shpesh përballet me zgjedhjen mes blerjes së ushqimit ose pagimit të qirasë. Në një vend ku pagat mesatare janë të ulëta dhe sigurimi social për nënat e vetme pothuajse nuk ekziston, shumë gra si ajo detyrohen të trokasin në dyert e organizatave humanitare për ndihmë.

Shoqëria dhe paragjykimet: Gruaja që largohet nga martesa shihet si fajtore

Në shumë raste, sfidat ekonomike nuk janë e vetmja barrë me të cilën përballen gratë që largohen nga martesat e dhunshme. Stigma sociale mbetet një problem i madh. Maja rrëfen se shpesh është gjykuar nga të afërmit dhe fqinjët për vendimin e saj për t’u divorcuar, edhe pse dhuna që kishte përjetuar ishte e vazhdueshme.

“Njerëzit më thonë se duhej të kisha duruar për hir të fëmijëve,” thotë ajo. “Por unë nuk doja që ata të rriteshin në një ambient të mbushur me dhunë dhe frikë.”

Në një shoqëri ku ende mbizotërojnë normat patriarkale, shumë gra hezitojnë të largohen nga marrëdhëniet abuzive sepse ndihen të pambrojtura nga shteti dhe të izoluara nga shoqëria.

Sipas të dhënave të Ministrisë për Punë të Brendshme në vitin 2020 janë regjistruar 992 raste të dhunës në familje nga të cilat 930 kryerës të veprës penale janë burra ndërsa 95 gra. Në vitin e 2021 janë regjistruar 1056 vepra penale që kanë të bëjnë me dhunën në familje nga të cilat përsëri si kryerës i veprës penale dominojnë burrat, plot 998, ndërsa 109 janë gra. Në vitin 2022 numri i veprave penale që kanë të bëjnë me dhunën në familje është rritur në 1124, nga të cilët 1031 kryerës të veprës penale janë burra ndërsa 93 janë gra!

Ku është shteti? Ndihma që mungon për nënat e vetme

Maqedonia e Veriut nuk ofron një sistem të mirëfilltë mbështetës për nënat e vetme. Pavarësisht se varfëria dhe papunësia janë probleme të përhapura, ndihmat sociale janë të pamjaftueshme. Përveç alimentacionit të ulët, shteti nuk ofron mbështetje të mjaftueshme për strehim të përkohshëm, ndihmë për punësim apo asistencë financiare për gratë që dalin nga martesat abuzive.

Strehimoret për viktimat e dhunës në familje janë të pakta dhe shpesh mbingarkohen. Organizatat joqeveritare luajnë një rol të rëndësishëm, por edhe ato kanë burime të kufizuara. Në Maqedoninë e Veriut janë katër strehimore shtetërore që ofrojnë strehim deri në gjashtë muaj. Po ashtu, funksionojnë dy qendra krize, njëra është qendër krize për qëndrim, 24 deri në 48 orë dhe tjetra është qendër për përkujdesjen e viktimave të dhunës në familje deri në një vit. Të dhënat tregojnë se gratë e dhunuara të cilat qëndrojnë në strehimoret e Maqedonisë së Veriut detyrohen të kthehen te dhunuesi për shkak të mungesës së qëndrueshmërisë financiare. Atyre u nevojitet strehim më afatgjatë pas lëshimit të strehimores dhe të kenë mbështetje financiare nga institucionet përkatëse. Sipas koordinatoreve të Qendrave për Dhunë Familjare, është rritur numri i të rinjve që përdorin dhunë, ndërkaq ka dhe raste kur vajzat e dhunuara që paraqiten në strehimore janë nën moshën 18 vjeçare.

LEXO: REALITETI NË RMV NUK PËRKON ME KËRKESAT LIGJORE PËR STREHIMORET PËR VIKTIMAT E DHUNËS NË FAMILJE

Përderisa aktivistet për të drejtat e grave kritikojnë ministritë për mosdhënie të ndihmës së mjaftueshme dhe kërkojnë t’u ndahet buxhet më i madh për shërbimet sociale, si dhe të hapen më shumë strehimore në vend, Maja dhe shumë gra të tjera në situatën e saj vazhdojnë të luftojnë për të mbijetuar, të lënë pas dore nga një sistem që nuk i mbështet. Derisa të ndodhin ndryshime të mëdha, e vetmja rrugë për to mbetet sakrifica e përditshme dhe shpresa se një e ardhme më e mirë është e mundur.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Të tjera