Talibanët përmes një dekreti katër pikësh kanë ndaluar që ndërtesat e reja dhe ato ekzistuese, të cilat shërbejnë për vendbanime, të kenë dritare në mënyrë që gratë të mos shihen gjatë kohës sa janë në shtëpi.
Sipas dekretit të postuar në rrjetin social X nga zëdhënësi i qeverisë Zabihullah Mujahid, ndërtesat nuk duhet të kenë dritare nga ku mund të shihet “oborri, kuzhina, pusi i fqinjit apo vendet e tjera që zakonisht përdoren nga gratë”, shkruan AFP.
Hibatullah Akhundzada, udhëheqësi i talibanëve, urdhëroi që ndërtesat të mos kenë dritare që me pamje nga vendet ku një grua mund të jetë ulur ose në këmbë, sepse sipas tyre “të shohësh gratë duke punuar nëpër kuzhina, oborre apo duke bartur ujë nga puset mund të çojë në akte të turpshme.”
Dekreti përcakton se në ndërtesat me dritare që nuk përputhen me udhëzimet e reja, pronarëve do t’u kërkohet ose të ndërtojnë një mur ose të bllokojnë pamjen “ashtu që të shmangin shqetësimet e shkaktuara ndaj fqinjëve”.
Heather Barr, zëvendësdrejtore e përkohshme për të drejtat e grave në Human Rights Watch, tha për Independent: “Ata po i ndalojnë gratë të shihen. Ata po i ndalojnë gratë të shohin botën. Ky është asgjësim total i personalitetit të gruas dhe është qartësisht i vazhdueshëm. Ne as nuk e kemi idenë se ku do të përfundojë kjo”.
Talibanët që nga viti 2021 përmes kufizimeve të ashpra kanë bllokuar gratë nga vendet e punës, arsimimi, hapësirat publike e sportet. Aktualisht grave në Afganistan u ndalohet edhe që të flasin apo të luten ne publik.
Krahas ndalimit të dritareve talibanët kanë paralajmëruar se do të mbyllin të gjitha organizatatat joqeveritare kombëtare e të huaja që punësojnë gra. Në një letër të publikuar në X, Ministria e Ekonomisë paralajmëroi se mosrespektimi i urdhrit të fundit do të çonte në humbjen e licencave të OJQ-ve për të vepruar në Afganistan.
Artikulli fillimisht është publikuar në QIKA.