Statistika: Gratë në MV s’e marrin hisen që ju takon, tradita më e fuqishme se ligji

Gratë në Maqedoninë e Veriut heqin dorë nga trashëgima për të mos i prishur raportet me vëllezërit. Normat tradicionale historikisht i kanë shtypur gratë, duke i lënë pa të drejtën e pronës ose pavarësisë financiare.

“Çështja e trashëgimisë në bazë të ligjit nuk bën diskriminim gjinor” i spjegoi avokatja Nita Xhaferi gazetarit të ‘Mollëkuqja’, duke vërtetuar se problemi nuk qëndron te ligjet, por traditat.

Vetëm 30 për qind e pronave në vend janë në emër të grave. Sipas rajoneve, më pak gra pronare ka në Pollog, edhe atë vetëm 17 për qind e grave janë bartëse të pronave në Tetovë dhe Gostivar.

Burimi: Agjencia për kadastër të Paluajtshmërive

 

Burimi: Agjencia për kadastër të Paluajtshmërive

 

Në një hulumtim të një organizatë joqeveritare, 42 për qind e grave të rajonit të Pollogut kishin theksuar se nuk kanë dashur të marrin pjesë nga trashëgimia pasi ‘kjo nuk është në traditën e tyre familjare’.

Analizuam pjesën më të madhe të qyteteve veç e veç ndërsa të dhënat i siguruam nga Agjencia për kadastër të Paluajtshmërive, janë të vitit 2023.

Situata nuk qëndron më mirë edhe në rajonet tjera të vendit, për shembull në Kumanovë vetëm 26 për qind e grave janë bartëse të pronave, në Dibër 15 për qind, ndërsa në Strugë 21 për qind.

Burimi: Agjencia për kadastër të Paluajtshmërive

Burimi: Agjencia për kadastër të Paluajtshmërive

Burimi: Agjencia për kadastër të Paluajtshmërive

Statistikat e Kadastrës tregojnë që në fakt gratë e qytetit të Shkupit, Manastirit dhe Ohrid janë më pak të prirura t’i ndjekin traditat patriarkale, këto janë qytetetet e vetme ku mbi 30 për qind të pronareve të pronës së paluajtshme janë gra.

Në të gjitha qytetet tjera, kjo përqindje është nën 20.

Burimi: Agjencia për kadastër të Paluajtshmërive

Burimi: Agjencia për kadastër të Paluajtshmërive

Burimi: Agjencia për kadastër të Paluajtshmërive

Burimi: Agjencia për kadastër të Paluajtshmërive

Përpos kësaj, në Regjistrin e Unifikuar të Bujqësisë, janë të regjistruar 30,292 fermere gra por përkundër kësaj, vetëm 5 për qind e grave në zonat rurale zotërojnë pronë, zakonisht pas humbjes së bashkëshortit ose nëse familja ka vetëm një trashëgimtare.

“Kjo çon në situatën në të cilën ndodhet gruaja, e kufizuar në zotërimin e fondeve për drejtimin dhe zhvillimin e biznesit të vet. Traditat e rrënjosura dhe normat patriarkale i dekurajojnë gratë për të mbajtur kontrollin mbi pasurinë e trashëguar”- thonë nga Federata Kombëtare e Fermerëve për ‘Mollëkuqja’.

Ligjet janë në rregull, gishti duhet drejtuar traditave, bisedë me palët e përfshira drejtpërdrejtë në këto procedura

“Në shumicën e rasteve gratë vetë heqin dorë nga e drejta e pronësisë, shumë rrallë ka ndodhë që prindërit nëpërmjet testamentit, kanë përcaktuar që të trashëgojnë vetëm djemtë, gratë kryesisht vetë vijnë tek ne për të hequr dorë nga trashëgimia” tha një noter nga Tetova, me të cilin bisedoi gazetari i Mollëkuqja.

untitled-design-(31).png

Avokatja Nita Xhaferi thuajse çdo ditë merret me çështjet pronësore. Në bisedën që zhvilluam me të, ajo thotë se ligji është i rregulluar në atë formë që të gjithë trashëgimtarët të trashëgojnë pronë në bazë të rendit ligjor.

Por, ka hapësira për manipulime.  

“Gjatë procedurës trashëgimore edhe pse në bazë të ligjit të gjithë trashëgimtarët duhet ta shprehin vullnetin e tyre ekziston hapsirë e cila ngel në ndërgjegjen dhe në pergjegjësinë morale dhe materiale të vet pasardhësve se a do ti përfshijnë gjithë trashigimtarët, në të kundërtën ata (trashegimtaret vajza) do të jenë të dëmtuara pa e deklaruar vullnetin e tyre të lire.” tha Nita Xhaferi, avokate për çështje pronësore.

Çfarë do të thotë kjo?

Ka gjasa që gjatë procedurës trashëgimore të ndodhë që të mos jenë prezent të gjithë trashëgimtarët që të japin deklaratën për trashëgimi, sepse trashëgimtari i cili ka iniciuar procedurën trashëgimore nuk i ka deklaruar në fletvdekje si trashëgimtarë potencial, kjo pasi kur përpilohet fletvdekja, ofiqari të dhënat për fëmijët që i ka lënë i ndjeri i merr nga vetë pala.

  • Për ta parë se si duket aktvdekja, klikoni KËTU.

‘Mollëkuqja’ mëson nga burime anonime, por të sigurta që ka shumë noter të cilët e marrin si të mirëqenë deklaratën vetëm përmes avokatit, duke mos kërkuar që pala të jetë vetë prezente dhe ta shprehe deklaratën për trashëgimi, ashtu siç e kërkon ligji për procedurë trashëgimore.

Në disa vende, kryesisht në zonat rurale ndarja e trashëgimisë vetëm burrave është normalizuar deri në atë nivel saqë një pjesë e grave nuk janë të njoftuara se në fakt edhe atyre ju takon pjesë e barabartë e pronës, si vëllezërve.

Avokatja Xhaferi kryesisht merret me gratë e zonave urbane, thotë se problemi nuk qëndron te (mos) pasja e informatave në lidhje me këtë, por që kjo bëhet totalisht me vullnet dhe zgjedhje të lirë të tyre.

“Trashëgimtaret e gjinisë femërore janë të njoftuara me të drejtën e tyre në trashëgimi dhe në të shumtën e rasteve heqin dorë në menyrë vullnetare.” tha ajo.

Xhaferi thotë se edhe pse pak, megjithatë ka edhe praktika pozitive.

“Ekzistojnë raste jo të shpeshta ku është për lëvdatë që vëllezërit insistojnë që simbolikosht edhe trashëgimtaret motra të trashëgojnë. Rapoti i pjesëmarrjes vitet e fundit gjithnjë rritet. Duke qenë çdo person më i vetëdijshëm për të drejtat e tija” tha avokatja Nita Xhaferi.

Arta Mero ‘theu’ rregullat e patriarkatit, trashëgoi pronën e prindërve

Për ‘Mollëkuqja’ Arta thotë se vendosi të bëhet “motra e keqe” dhe të merr pasurinë e krijuar nga prindërit e saj, në mënyrë të barabartë me vëllezërit, thotë se familjet shqiptare duhet të mësohen me faktin që ajo që krijohet nga prindërit, duhet të ndahet në mënyrë të barabartë.

untitled-design-(29)-1712844002.png

“Mentaliteti aktual i gllabërimit të trashëgimisë vetëm nga vëllau është prodhim i forcës njerëzore e cila ka efekt momental- për të kërcënuar vajzat se do të ju mbyllet dera e shtëpisë së vajzërisë. Respekti duhet të jetë i ndërsjellë dhe vëllezërit duhet të mësohen se ajo çka krijohet nga prindërit duhet edhe të ndahet me motrat dhe vëllezërit tjerë në mënyrë të barabartë.” tha Arta Mero, profesoreshë e të drejtës trashëgimore.

Pranimi i trashëgimisë të bëhet obligim ligjor, propozon Arta

Mero shkoi një hap tutje, thotë se duhet të propozohen ndryshime ligjore që do të reduktonin manipulimet që bëhen me ligjin dhe traditat, vetëm për t’i hequr gratë nga trashëgimia.

“Duke pasur parasyshë manipulimet e shumta që janë prezente në shoqërinë tonë shqiptare, ne profesionistët duhet inicuar procedurë për ndryshime të Ligjit për Trashëgiminë me atë që instituti i dhënies së deklaratë për trashëgimi mos të jetë alternativë (pranimi i trashëgimisë/ heqja dorë nga trashëgimia) por pranimi i pjesës nga masa trashëgimore të jetë obligim trashëgimor-juridik.” thotë Arta.

Pas kësaj, Arta thotë se gratë do të kenë në dorë të bëjnë çfarë të duan me trashëgiminë e tyre, t’ia dhurojnë motrës/vëllaut ose ta shfrytëzojnë për nevojat e tyre.

“Me atë që, ju pasi të pranoni trashëgiminë me të njëjtën mund të bëni çka të doni: ta shfrytëzoni për nevoja të juaja, të ja dhuroni vëllaut/motrës, ose të bëni bamirësi. Duke mos dashur të ofendojmë askënd, tek e fundit çdonjëri është përgjegjës për veprimet veta, por një gjë dijeni vajza të dashura, në asnjë moment mos ndjeheni fajtore sepse ju nuk merrni hisen e vëllaut, por hisen që ju takon nga ajo që kanë krijuar prindërit e juaj bashkërisht” shtoi Mero.

Ajo thotë se arsyetimi i shumicës së vëllezërve se ju takon prona për shkak se ‘janë kujdesur për prindërit’ nuk mban ujë, pasi thotë “obligimi për mbajtje (ushqimi) të prindërve të moshuar është obligim ligjor i të gjithë fëmijëve dhe nuk lidhet me këmbime pasurore”.

Gratë të cilat nuk janë të sigurta në lidhje me të drejtat e tyre trashëgimore mund të konsultohen falas në Klinikën Juridike të Universitetit të Evropës Juglindore, për të lexuar ligjin në lidhje me këtë, klikoni këtu.

Ndaj grave të cilat refuzojnë t’ju përshtaten normave tradicionale shpesh herë ushtrohet presion psikologjik. Rikujtojmë që në vitin 2023 nga 1,166 raste të paraqitura për dhunë në familje, 708 kanë të bëjnë me dhunën psikologjike. Kjo është hera e parë që denoncimet për dhunë psikologjike tejkalojnë ato për dhunë fizike.

Ndryshe, 46 për qind e grave të afta për punë nuk janë të përfshira në tregun e punës, ndërsa pamundësimi i të qenurit pronare e paluajtshmërive dhe përfshirjes në tregun e punës, e bën më të vështirë që ata të jenë të pavarura ekonomikisht.

Të tjera