Skandal në Maqedoni: Bllokimi i komisionit kuvendor i shpëtoi 15 pedofilë nga publikimi i të dhënave të tyre në Regjistrin e Posaçëm

Pesëmbëdhjetë pedofilë kanë shpëtuar nga publikimi i të dhënave të tyre në regjistrin e posaçëm për pedofilë, falë bllokimit të punës së Komisionit kuvendor për Punë Sociale, Demografi dhe Rini. Që qytetarët të dinë kush janë kryerësit e këtyre veprave me qëllim parandalues, Ministria e Politikës Sociale tha se ka kërkuar ndryshime ligjore që më shumë se një vjet. Deputetja e cila është anëtare e komisionit Imerlije Saliu është e vetëdijshme për këtë, por thotë se s’kanë pasur zgjidhje për shkak të bllokimit të punës së komisionit. “Mollëkuqja” bën thirrje që ndryshimet të kalojnë urgjentisht, thonë se siguria e fëmijëve është më e rëndësishme se inatet politike.

Artikulli fillimisht është publikuar në Portalb.mk.

Ideja e regjistrit (www.registarnapedofili.mk) është të publikohen emrat, mbiemrat, pseudonimet, fotografitë dhe adresën ku jetojnë kryerësit e veprave penale që janë dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm për vepra penale të keqpërdorimit seksual të fëmijëve.

Qëllimi i kësaj është që qytetarët të jenë të vetëdijshëm nëse potencialisht në lagjen e tyre, shkollën ku shkojnë fëmijët e tyre, ose në familje kanë persona që mund të përbëjnë rrezik për fëmijët.

Kjo pasi sipas studimeve, këta persona ka ngjarë të përsërisin veprën penale.

 

Pedofilët e dënuar në vitin 2024 kanë shpëtuar nga publikimi

Portalb-i vërejti që lista e personave në këtë regjistër kishte kohë pa u përditësuar dhe u interesuam në Ministrinë për Punë Sociale, demografi dhe rini nëse bëhet fjalë për problem teknik, rezultoi që problemi ishte në fakt politik.

Problemi qëndron në mos-harmonizimin e ligjit për regjistrin e posaçëm me ndryshimet në Kodin Penal që kaluan në qeverinë e kaluar.

“Për këtë arsye, ju njoftojmë se në vitin 2024 kemi një numër “joreal” publikimesh në këtë regjistër. Respektivisht, vetëm 4 persona janë publikuar, të cilët kanë kryer vepra penale që nuk janë domosdo të lidhura me përdhunimin e fëmijës nën moshën 15 vjeçe”, thanë nga Ministria për Punë Sociale, Demografi dhe Rini (MPSDR) për Portalb.

Kujtojmë që asokohe, Ministria e Drejtësisë në krye me ish-ministrin Krenar Lloga ndryshoi Kodin Penal me çka u ulën dënimet për personat që abuzojnë seksualisht me fëmijë nën moshën 14 vjeçe për 50 përqind si dhe ngriti kufirin nga 14 në moshën 15 vjeçe për atë se kush konsiderohet viktimë e kësaj vepre penale.

Bashkë me këto, është dashur të bëhen ndryshime edhe në Ligjin për regjistrin e posaçëm.

“Në kushtet kur ende nuk janë bë këto ndryshime në Ligjin për regjistrin e posaçëm, nuk mundet dhe nuk lejohet të publikohen personat për të cilët ekziston aktgjykim i plotfuqishëm për veprën penale “përdhunim i fëmijës që nuk i ka mbushur 15 vjet”, thanë nga Ministria për Punë Sociale, Demografi dhe Rini.

MPSDR thotë se “që nga korriku i vitit 2023 kemi sugjeruar ndryshime urgjente të ligjit për regjistrin e posaçëm dhe harmonizimin e tij me Kodin Penal. Ndryshimet ende ndodhen në Komisionin për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini”.

Përpos kësaj, problem në vete është edhe fakti që ky regjistër është vetëm në gjuhën maqedonase, përkundër që disa herë organizatat joqeveritare kanë kërkuar që të përkthehet edhe në gjuhën shqipe. Aktualisht, ministri në Ministrinë për Punë Sociale, Demografi dhe Rini është shqiptar, përkatësisht Fatmir Limani nga Koalicioni “VLEN”.

Imerlije Saliu: E dimë, por s’ka qenë krejtësisht në dorën tonë 

Imerlije Saliu është deputete dhe anëtare e Komisionit për Punë sociale, Demografi dhe Rini. Për Portalb-in thotë se përveç këtyre ndryshimeve, shumë tjera të rëndësishme kanë ngecur në këtë komision për shkak të bllokimit të punës së tij.

“E dimë që kanë ngecur shumë gjëra tejet të rëndësishme, kemi bë apel madje që ky komision të vazhdojë punën siç duhet dhe të ecin gjërat që janë në interes për qytetarët ndërkohë opozita maqedonase nuk ka lëshuar pe, andaj është dashtë ne të ndërmarrim qëndrimin për ndërprerje të komisionit, bashkë me kryetaren e komisionit”, tha Imerlije Saliu.

Kjo përbërje e komisionit deri tani nuk ka zhvilluar asnjë seancë siç duhet.

“Asnjë seancë nuk është mbajtur deri tani, andaj ka ngelur dhe është bllokuar çdo seancë, nuk është zhvilluar asgjë në këtë komision. Kjo për shkak se opozita maqedonase ka propozuar ndryshimet në Ligjin e ‘Branitellave’ që në seancën e parë”, tha Saliu.

Që situata të ndërlikohet edhe më shumë, Ilire Dauti para pak ditësh dha dorëheqje si kryetare e këtij komisioni për shkak të interpelancës që ju bë. Aktualisht, komisioni nuk ka udhëheqës ndërsa nuk ka shpresa se do të jetë funksional për shpejt kohë.

Shumica e pedofilëve janë në liri, andaj funksionaliteti i këtij regjistri është krucial

Deri në dhjetor të vitit 2024, gjithsej 331 persona në Maqedoninë e Veriut janë dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm për vepra penale që kanë të bëjnë me keqpërdorim seksual të fëmijëve, prej këtyre, 189 janë në liri ndërsa 13 janë gra.

“Mollëkuqja” ndër vite ka ndjekur situatën me pedofilinë në vend. Për Portalb-in thotë se është joserioze që për shkak të inateve dhe lojërave politike, të rrezikohet jeta e fëmijëve në vend.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për këtë situatë. Përderisa situata në vend me pedofilinë është alarmante, këta zihen për pikë politike dhe mbajnë inate në një komision që do të duhej t’i kishte dhënë zgjidhje këtij problemi. Inatet e tyre politike nuk janë më të rëndësishme se sigura e fëmijëve në vend, është turp kjo që po ndodhë”, thanë nga ‘Mollëkuqja’.

Ata i bëjnë thirrje Kuvendit të RMV-së që urgjentisht të ndërmerr masa që këto ndryshime të kalojnë.

“Kuvendi i RMV-së t’i thërrasë mendjes dhe të ndërmerr masa që urgjentisht këto ndryshime të kalojnë. Përpos kësaj, ata duhet të mundësojnë që këto ndryshime të kenë edhe fuqi retroaktive, në kuptimin, të mund të publikohen në regjistër edhe personat që kanë kryer këto vepra penale gjatë vitit 2024”, shtuan nga “Mollëkuqja”.

Kujtojmë që nga viti 2014 deri në vitin 2023, ligjet pozitive në Maqedoninë e Veriut kanë lejuar që të dënuar për këto vepra penale të kastrohen kimikisht. Por që, bashkë me ndryshimet tjera, ligjvënësi në vitin 2023 vendosi të heq mundësinë e kastrimit kimik pasi asnjëherë nuk ështe vendosur në praktikë – praktikisht, asnjë të dënuari për këto vepra nuk i ishte shqiptuar ky dënim.

Të tjera